Flasin të gjithë të pakënaqurit e festivalit të 47-të në RTSH
Një garë mes artistësh nuk mund të mbyllet paqtë. Edhe pse përpiqen të jenë diplomatë në opinionet e tyre pas festivalit, gjithmonë do kishin dëshiruar më shumë. Kemi marrë opinionet e konkurrentëve të Festivalit të 48-të të Këngës në RTSH, që u renditën poshtë vendit të parë. Sa e besueshme është vota e jurisë për ta dhe si e kanë parë vlerësimin e ulët që iu është bërë disa këngëtarëve me emër: Anjeza Shahini: Shpresoja të shkoja përsëri në EurosongIshte këngëtarja që shkaktoi reaksion në publik. Kishte hyrë pse jo dhe për të fituar, trofeja që Anjeza Shahini thotë se nuk e kërkon me ngulm. Gjithsesi u shpall e dyta, një çmim jo shumë i preferuar për këngëtarët. Ajo rrëfen emocionet, ç’mendon për votat e jurisë dhe si e ka ndier konkurrencën e fortë me Juliana Pashën: Anjeza, ju morët pikët maksimale nga Agron Tufa me këngën “Në pasqyrë”. Por ai është një poet... Po dhe është një poet që historikisht e kam vlerësuar nga larg dhe m’u bë shumë qejfi, që m’i dha mua pikët maksimale. Agron Tufa nuk është hera e parë që është në këtë pozicion dhe kam përshtypjen se ai e ka ndier si këngë dhe si lirikë, dhe ndaj ka dhënë vlerësimin e tij maksimal. E kam falënderuar atë natë dhe do vazhdoj ta falënderoj, po ashtu dhe anëtarët e tjerë të jurisë që bënë të mundur renditjen time në vend të dytë.Pas votimit të Tufës pati një reagim të fortë nga publiku. Si u ndietë? Ishte surpriza më e madhe dhe që nuk e prisja. Jam lumturuar aq shumë sa nuk di ta shpjegoj pasi provova një emocion që s’e kisha ndierë më parë. Ato momente mendova: “E paskam një avokat”, dhe ai ishte publiku”. Pse menduat “paskam një avokat”, domethënë juria sapo ju kishte zhgënjyer?Në fakt jo s’e mbeta e pakënaqur, apo e zhgënjyer nga juria pasi do të isha treguar e pandershme nëse do pohoja kështu, por kuptova që derisa publiku kishte dëshiruar aq shumë atë 20 pikësh të Agron Tufës, mund ta kishte dëshiruar dhe nga ndonjë anëtar tjetër i jurisë. çfarë është vendi i dytë për ju, në përgjithësi këngëtarëve nuk u pëlqen ky çmim?E kam provuar pas “Etheve..” tek “Këngët e Stinës” kam fituar vend të dytë me tekst të Jorgo Papingjit, e mesa duket qenka fati i Jorgos ky... (qesh). Thjesht hyn në CV-në time, pasi është çmimi i dytë i festivalit tradicional shqiptar. E në këtë rast po e ritheksoj që më shumë kam vlerësuar pëlqimin e publikut, sepse unë për publikun këndova dhe s’doja ta zhgënjeja. Mendoni vërtet se publiku di të bëjë dallimin e një kënge që vlen?Publiku edhe mund të gabojë në cilësinë e asaj që zgjedh, por ne këndojmë për të. Si këngëtarë, i kemi marrë notat më parë nga ekspertët e muzikës, ndërsa çfarë mbetet në festival është se a do pëlqehet perfomanca jonë nga publiku apo jo. Nëse ai të duartroket atëherë kemi arritur qëllimin tonë. Pjesëmarrja juaj ishte thjesht një dëshirë, apo ambicie e fortë për të konkurruar sërish në Eurosong? Do t’i gërshetoja bashkë, pasi pa ambicie s’mund të jesh në garë. E ndieja deri në fund për të qenë konkurrente e fortë, edhe ambicia ishte për të qenë pse jo sërish në Festivalin Europian, por jo me kokën shkëmb. Thjesht hyra me një dëshirë të natyrshme, që nëse do ta fitoja do të bëja me kënaqësi konkurrenten në Eurosong për herë të dytë.Sa e mundur është për një këngëtar nga Shqipëria, që ta provojë më shumë se një herë atë skenë?Në Shqipëri ekziston mentaliteti se po more pjesë një herë, nuk merr dot pjesë prapë në Eurosong. Në botë është tjetër gjë, përmendim këtu vende si; Rusia apo Greqia që kanë çuar të njëjtin këngëtar gati tre herë. Por ne kemi një të vërtetë tjetër pasi fakti që kemi pak kohë që marrin pjesë në këtë festival, ka shumë etje tek artistët. Ky është këndvështrimi im, pse Anjezën nuk mund ta shohin sërish në atë skenë. Në fund të fundit ka ende këngëtarë për ta provuar Eurosongun.Mund të ishte kënga juaj e përshtatshme për Eurovizion?Mendoj që kënga me muzikë të Sokol Marsit goditi në publik. Ishte e lehtë, tradicionale, origjinale në ritme moderne përderisa shumë të rinj që dëgjojnë muzikë të huaj e kanë pëlqyer. Mund të ishte një këngë e përshtatshme. Po për këngën fituese “Nuk mundem pa ty” ç’mendoni?Përsa i përket fitueses unë dua ta vlerësoj Julianën. Dhe më parë e kam thënë që duhet të vijë një ditë që dhe ajo të jetë atje. E kam parë në stilin e baladave si këngëtare, megjithatë dhe këtu ishte mirë. Me ka pëlqyer gjithashtu Mariza Ikonomi, Bojken Lako, Linda Halimi në duetin me Erti Hizmon, etj. Kishte këngëtarë me potencial zëri që u vlerësuan me 1, 2 apo 3 pikë. Si e keni parë këtë vlerësim?Me gjithë respektin për kompozitorët në këtë festival kam qenë pro zërave, dhe kishte vërtet të mirë. Por fakti që vlerësohen me pikë minimale këta këngëtarë mendoj që thjesht ka të bëjë me materialet muzikore që zgjedhin, përveç preferencave personale të anëtarëve të jurisë. çfarë u mungon jurive tona, për të bërë një vlerësim vërtet të ftohtë?Para festivalit unë e kam thënë në intervista të ndryshme që ajo që u mungon, dhe që ne shumë rrallë kemi arritur ta kemi është kritika e mirëfilltë e muzikës. Dhe unë e shoh këtë si problem. Në juritë tona ka pasur elementë të kritikës, ose persona ende në karrierën e tyre që përballen me konkurrentët në skenë, dhe nuk e shoh si të mirë, sepse nuk mund të jesh i paanshëm në vlerësim kur s’je i ftohtë, jashtë skene, dhe kritik i vërtetë. Por deri tani janë provuar mënyra të ndryshme votimi, me anë të jurisë, me anë të publikut, apo gërshetim i këtyre. Ju për çfarë lloj votimi jeni?Faktikisht është e vështirë si zgjedhje, megjithatë do isha shumë pro publikut. Gjithsesi do doja të kishte një mënyrë tjetër të marrjes së çmimeve, të një vlerësimi real të karrierës së artistit gjatë një viti, por ajo ditë më duket ende larg për Shqipërinë.Sapo keni lënë pas 2009 me realizime në muzikë, si e sheh 2010 në fushën e ndjenjave?(Qesh) Këtë Shën Valentin pres lule, po nuk do dhuroj.Sokol Marsi: Prisja një vlerësim më të mirë nga Saimir Braho për kompozimin timKompozitori Sokol Marsi e kishte bashkëpunimin e tij të parë me Anjeza Shahinin. Për të ndoshta nuk ishte një garë me “happy end”, pasi sipas tij në fund të fundit vendimet e jurive krijohen mbi opinione subjektive, të cilat nuk i kundërshton dot. I kënaqur apo i pakënaqur nga ky vlerësim që juria i dha krijimit tuaj?Jam i kënaqur, që mesazhi i këngës sime arriti të depërtojë në publik,dhe kjo gjë më bën të jem i lumtur pasi mendoj që qëllimi kryesor në një krijim është pikërisht përcjellja e mesazhit që do të transmetosh në publik dhe pikërisht publiku ta bëjë atë pjesë të vetes. Deri në momentin që kënga është akoma në duart e kompozitorit, poetit, këngëtarit ajo është akoma personale, por kur transmetohet në publik pastaj ajo është e të gjithëve dhe për këtë arritje më vjen mirë. Përsa i përket votimit të jurisë mendoj se në vazhdimësi festivalet brenda garuesve (krijueseve apo këngëtareve) nuk kanë pasur ndonjë “happy end”, për arsye të ndryshme. Por në fund të fundit vendimet e jurive krijohen mbi opinione subjektive, të cilat nuk i kundërshton dot. Unë personalisht si krijues më duhet të bëj rolin e profesionistit dhe jo atë të publikut, që në disa raste mund edhe të mos përputhen bashkë. Në fund të fundit jam vlerësuar me çmimin e dytë, që është një vlerësim për punën time.Cili nga anëtarët e jurisë ju zhgënjeu, duke ju dhënë pikët që nuk i prisnit?Secili nga anëtarët e jurisë është profesionist në fushën e tij dhe mban përgjegjësi për votimin sipas tij. Ndoshta prisja më shumë nga këngëtari Sajmir Braho, pasi m’u duk pak larg nga vlerësimi i përgjithshëm i jurisë, apo qoftë edhe asaj që rezultoi në fund kur kënga u rendit në vendin e dytë. Pikët e tij ishin shumë larg këtij realiteti por gjithsesi mbetet arsye dhe gjykim për të, që si krijues nuk e kundërshtoj dot.Pse zgjodhët Anjeza Shahinin? Me Anjezën ishte bashkëpunimi i parë dhe fatmirësisht rezultoi me sukses. Anjeza ishte pak skeptike për pjesëmarrjen e saj në festival për shumë arsye të saj, por kur dëgjoi këngën pranoi pa asnjë hezitim të bashkëpunonte pasi ndjeu se kishte në dorë një këngë që i shkonte shumë në të gjithë komponentët dhe mund të jepte maksimumin. Unë personalisht e vlerësoj shumë bashkëpunimin me të pasi këngëtaret si Anjeza janë të rralla në Shqipëri, dhe kjo gjë nuk ndodh shpesh.Ishte Eurosongu qëllim në vetvete për ju?Mendoj se çdo krijues që hyn në një garë ka një qëllim të mirë brenda vetes dhe kjo nuk mohohet se ndryshe do ishte hipokrizi. Por unë personalisht dëshiroja që kënga të dilte sa më mirë, pasi kisha punuar shumë dhe me bashkëpunëtorët e mi, që i falënderoj publikisht, mjeshtrin Shpëtim Saraçi, poetin e mirënjohur Jorgo Papingji, dhe këngëtaren që me profesionalizmin e vet i dha maksimumin këngës sime, Anjeza Shahini. Eurosong zhvillohet çdo vit dhe detyra jonë është që të bëjmë krijime sa më të mira për t’u përfaqësuar denjësisht në arenën e muzikës europiane.Duke shkëputur veten nga konkurrimi, ç’mendim keni për vlerësimin që iu bë këngëve të tjera?Mendoj se grupi bashkëpunues në këngën fituese është i përbërë nga profesionistë me vlera në fushën e muzikës duke filluar që nga Ardit Gjebrea, një krijues me shumë vlera në muzikë dhe më gjerë, këngëtarja Juli Pasha,Shpetim Saraci etj. Tashmë gara ka mbaruar dhe si mik e si koleg do t’ju uroja shumë sukses në Eurosong.çfarë shije ju ka lënë votimi i jurive në vite, si kompozitor me eksperiencë?Ka pasur raste që në juri nuk ka pasur të zgjedhur njerëz brenda fushës së muzikës apo gjinisë së këngës, por në fund të fundit janë kushte, që i vendosin organizatorët dhe askush nuk del dot mbi to. Sa për gjykimet këngët që jetojnë tregojnë dhe kanë treguar në vite se meritonin më shumë apo me pak. Kjo ju ka ndodhur shumë krijuesve ndër vite.Linda Halimi: Nuk u ndava e kënaqur me jurinëKëngëtarja nga Kosova tregon eksperiencën e saj të parë si konkurrente në Festivalin e RTSH-së. Hyri në festival pasi kishte fituar trofeun e fundit të “Top Fest”, por kësaj here u rendit e 13-ta. Si t’u duk vlerësimi i jurisë? Të them të drejtën unë s’jam ndarë e kënaqur me vlerësimin e jurisë pasi kënga “Nuk të dorëzohem”, duet me Erti Hizmon meritonte më shumë se vendin e 13-të. është hera e parë që marr pjesë në këtë festival dhe kam arritur të kuptoj, që atje nuk vlerësohet vokalisti por kompozitori më shumë. Mendoj se unë dhe Erti kemi dhënë maksimumin në skenë, ndërkohë që kemi menduar që ta bëjmë klip, pasi është një nga këngët që kam shumë për zemër.Pse cilat ishin pretendimet e tua, ku e shihje veten?Po e lë pak mënjanë modestinë, dhe ndonëse nuk e prisja çmimin e parë gjithsesi prisja të isha të paktën në tre më të mirët. Por gjithsesi kjo vetëm sa më forcon më shumë, që herën tjetër të arrij më lart.Kush nga anëtarët e jurisë të zhgënjeu?Unë nuk ndihem e zhgënjyer nga ndonjë anëtar veçanërisht. Por vetë fakti se kënga doli e 13-ta, nuk ka qenë vlerësim i drejtë mendoj. Gjithsesi publiku është ai që bën këngën hit ose jo, sepse brenda tri netëve kënga nuk mund të gjykohet gjithmonë.Ti vetë cilën këngë apo këngëtar do veçoje?Nuk kisha ndonjë favorit sepse unë kam shije pak më ndryshe muzikore. Por të gjitha këngët ishin të mira, Më kanë mbetur në mendje kënga fituese e Juliana Pashës, dhe ajo e Dorina Garucit.Kjo ishte hera jote e parë në këtë festival, do të ketë herë të dytë?Sigurisht që do të marr pjesë sërish deri sa ta rrëmbej çmimin e parë, dhe kam shumë besim për këtë. Do të konkurroj sa herë të kem mundësi sepse më pëlqen si festival, pavarësisht vlerësimeve. Të them të drejtën unë vlerësimet më të mira i kam marrë nga publiku.Kristi Popa: Vendi i tretë më pëlqeu, asnjëherë s’do heq dorë nga garatKompozitori Kristi Popa, i cili konkurroi më krijimin e kënduar nga Kamela Islami, duket se ka mbetur i kënaqur nga vlerësimi i jurisë së Festivalit në RTSH. Sipas tij vendi i tretë është po aq i rëndësishëm sa vendi i dytë, dhe vendi i parë. Kristi u prezantuat me këngën “Gjëra të thjeshta” në festival. Pse zgjodhët Kamela Islamin?Për përzgjedhjen e këngëtares Kamela Islami ka meritën kryesore drejtori i Festivalit të RTSH-së, Selim Ishmaku, të cilin e falënderoj për mbështetjen tepër profesionale gjate festivalit. Mua më mbetej vetëm ta pranoja ose jo, dhe fakti që i shkova deri në fund nënkupton vlerësimin tim maksimal për potencialin interpretues të saj. Por gjatë bashkëpunimit me Kamelën mësova se kishte qenë një admirim i saj i kahershëm për stilin tim te kompozimit çka e bëri bashkëpunimin tepër të hapur dhe profesional. E falënderoj Kamelën që e pëlqeu të vetmen këngë që unë i tregova. Dhe u renditët të tretët, prisnit më shumë?Kur janë 22 këngë konkurruese dhe vetëm tri çmime, ato çmime janë aq të njëjtë me njëri-tjetrin saqë sido që të jetë rrotacioni i tyre ata mbeten tri fituesit e vetëm. Koha është e vetmja që afron, që largon, që rikujton, apo që harron.Këngëtarë të njohur si; Rovena Dilo, Era Rusi, Linda Halimi dhe Erti Hizmo, Kejsi Tola, Teuta Kurti, etj, që u vlerësuan me pak pikë nga juria. ç’mendon për perfomancën e tyre?Për artistët e përmendur kam përshtypje pozitive dhe në kujtesën time ata kanë lënë fraza këngësh që më ndodh shpesh edhe ti fishkëllej gjatë ditës. Edhe performancën e kanë pasur të mirë.Ka kompozitorë dhe këngëtarë që janë zhgënjyer përgjithmonë nga festivalet, ti?Mua me pëlqejnë sistemet e garave. Kështu e kam nisur karrierën me gara dhe me emocionet e mëdha që shoqërojnë një ngjarje, ku ka garë. Nuk e besoj se do të bëjë pjesë te të zhgënjyerit e përjetshëm dhe të heq dorë nga pjesëmarrja sepse është diçka më tepër që më lidh me pjesëmarrjen sesa me mos pjesëmarrjen. është publiku që pret të dëgjojë këngë dhe unë këtë mision kam në jetën time, të kompozoj.Agron Tufa: Pse i dhashë Anjeza Shahinit pikët maksimaleShkrimtari Agron Tufa rrëfen përshtypjet e Festivalit të 48-të të RTSH-së, si anëtar jurie. Arsyeja pse ai ishte i vetmi që vlerësoi me maksimumin e pikëve Anjeza Shahinin, dhe një gjykim kritik mbi cilësinë e teksteve të këngëveCili është vargu më i bukur që ju ka mbetur në mendje, po vargu me pa kuptim që dëgjuat në atë festival? Pika më e dobët e këngëve të festivalit ishin tekstet. Si në të gjitha vitet e tjera, tekstet e këngëve shkruhen pa pikë përgjegjësie, pa shije artistike, pa “eliksirin” poetik, duke u mbështetur tek klishetë e stërkonsumuara. Pjesët e tekstit nuk krijojnë një tërësi në funksion të një lajtmotivi apo ideje. Shpesh nuk e dallon tekstin nga refreni. Vargjet më mbresëlënës që krijojnë atmosferë, sipas kujtesës janë: “Jam prapë ajo që isha dje/me një makiazh mos më gënje/ ... ti je një maskë e pavërtetë/ ti frymë s’ më fal/ ti nuk ke jetë...”. Apo : “Në sytë pasqyrë/ unë veten pashë dikur/ si një balonë e dehur, që nuk njeh kufi/ por fija jonë u këput...”. Ndërsa vargje pa shije ka plot, të tilla të ngopura me përemra vetorë, si; “Ti je ai...vetëm ti, nuk mundem pa ty... falem me ty, zgjohem me ty... unë jam ajo... gjej veten time... “, etj. Ke përshtypjen se autorët e teksteve përpiqen të lidhin dhunshëm imazhe aksidentale. Ose ka gjasë, siç kam pasur rastin të njoh situata të tilla kur krijohet baza e këngës, dhe pastaj tekstin e quajnë komponent të dorës së dytë; teksti krijohet dhunshëm që t’i vishet linjës muzikore me hir a me pahir. Me vjen shumë keq dhe është e trishtë të shohësh gjithë atë shpenzim dhe shfrim energjish vokale e instrumentale në adresë të një teksti që është pallavër banale. Ku qëndron problemi, çfarë duhet bërë?Duhet lënë mundësia të ketë larmi autorësh dhe tekstet të mos mbeten monopol vetëm i disa autorëve. Teksti i këngës duhet përafruar me poezinë, që përveç atmosferës, të ketë edhe një lajtmotiv me peshë, vargje të cilat të vijnë vetvetiu ndërmend dhe t’i përsërisësh me vete. Kënga fituese u shpall “Nuk mundem pa ty”, por ju i dhatë pikët maksimale Anjeza Shahinit. çfarë vlerësuat më shumë tekstin, muzikën apo vokalin? Në këngën e Anjeza Shahinit të gjitha komponentët e këngës krijonin një harmoni proporcionale - muzika, teksti, interpretimi - çka krijojnë një tërësi organike të materies së këngës, diçka të ngrohtë, shpirtërore dhe çka është edhe më e rëndësishmja, shqiptare. Të mos harrojmë, se festivalet e RTSH-së kanë në thelb përfaqësimin e këngës së lehtë shqiptare, ndryshe nga ekzotizmat dhe reminishencat e ritmeve dhe eklektikës muzikore të tregut të huaj. Juliana Pasha është një këngëtare, të cilën unë personalisht e kam pëlqyer dhe e pëlqej gjithnjë. Ajo ka një vokal të mrekullueshëm, të pastër dhe origjinal. Por ritmet e muzikës së saj, si minimum, nuk ishin shqiptare. Kjo ka ndikuar në vlerësimin e ndryshëm, që kam dhënë midis këngës së saj dhe të Anjezës. Ndryshe do të kishte qenë po të kishim të bënim me Festivalin e Interpretuesve... Votimi juaj u mbështet nga publiku ne sallë, sipas jush pse ndodhi? Kjo do të thotë se ne nuk kemi një publik budalla. Ai e njeh mirë këngën shqiptare, e do dhe e përjeton atë. Ky publik ka ardhur të dëgjojë këngën shqiptare, ritmet shqiptare të këngës sonë së lehtë. Përndryshe publiku e ka në dorë vetë të shëtisë si t’i teket nëpër ritmet e huaja dhe e di se ka të bëjë me ta. Pak rëndësi ka se kush do ta përfaqësonte më mirë Shqipërinë në Eurosong. Nuk është kriter i vlerave artistike vetëm Eurosongu. Ky fakt nuk duhet të bëhet shkas, që krijuesit tanë të heqin dorë nga origjinaliteti. Meqë ra fjala, shijet e mia asnjëherë nuk janë përputhur me ato të Eurosongut. Por edhe nëse e matim këngën tonë të Festivalit të 48-të me suksesin e paraqitjes sonë në Eurosong, jam krejtësisht i bindur, se Anjeza Shahini do të na përfaqësonte më mirë. Po aq mirë, do të na kishte përfaqësuar edhe kënga Flaka Krelanit, Kamela Islamit apo Pirro çakos.