Nora “i thotë” jo Tiranës
Leonard KarajArlind Nora nuk do të lëvizë nga Laçi. Skuadra kurbinase ka mbajtur futbollistin e saj duke hequr dorë nga shkëmbimi me Malindin plus 10 milionë lekë (të vjetra). Arlind Nora ka dashur shumë që të veshë fanellën bardheblu, ashtu sikundër pjesa më e madhe e lojtarëve që militojnë në Superligë. Por kontrata që e lidh me klubin e Laçit e ka detyruar gjirokastrin që të përvijojë sezonin me kurbinasit. Në të vërtetë klubi i Tiranës ra dakord me sulmuesin dhe Nora ishte shumë pranë kampionëve, por në fund ka ndërhyrë presidenca e Laçit që ka kontratë me gjirokastritin, duke ndërprerë marrëveshjen mes palëve. Madje presidenti i kurbinasve, Pashk Laska, ka lëshuar dy ditë më parë dhe akuza konkrete ndaj drejtuesve të Tiranës, duke i thënë “jo” këtij kalimi. Tirana në të vërtetë i kishte dhënë Laçit sulmuesin Enzo Malindi dhe një shumë prej 10 milionë lekësh që ta linte të lirë Arlind Norën, por Laska ka qenë i prerë në idenë e tij për të mos e lëshuar sulmuesin. Kësisoj, palët nuk gjetën një marrëveshje dhe Norës i mbetet të luajë për kurbinasit deri në fund të sezonit, pasi ka kontratë të rregullt me klubin laçian. Bisedimet për të afruar bomberin në radhët e Tiranës kishin nisur kohë më parë dhe sportisti nuk kishte si të mos ndihej i vlerësuar nga oferta. Kur mbetej vetëm për t’u hedhur firma, ndërhyn presidenti i Laçit Pashka Laska, që nuk pranon kurrsesi lëvizjen e Norës drejt kryeqytetit, madje njëshi i bardhezinjve kurbinas ka “kërcënuar” ashpër drejtuesit e Tiranës, sipas të cilit veprojnë në mënyrë të padrejtë e të paligjshme. Ndërkohë sot Tirana do të niset për në Turqi për zborin e radhës. Për dhjetë ditë me radhë skuadra do të akomodohet në një nga komplekset e njohura të Kemerit, për të zhvilluar fazën përgatitore dimërore. Rezidenca në fjalë është kthyer prej disa vitesh në një destinacion të kërkuar për skuadrën bardheblu, falë kushteve moderne që ofron. Ekipi do të niset sot nga klubi në orën 13:00 drejt aeroportit të Rinasit dhe më pas me avion në linjën Tiranë-Stamboll-Antalia, për të mbërritur në mbrëmje vonë në destinacion. Kampionët kthehen në shtëpi më 19 janar.