E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i premton Qetsorit angazhim në strukturat e PD

 Qetsor Ferunaj, fituesi i reality show “Big Brother 2” duket se e pret një Vit i Ri premtues në përfshirjen e tij në politikë, pikërisht në strukturat e Partisë Demokratike. Vlonjati 33 vjeçar, i cili vazhdon të jetojë në Orikum, ndërsa ndjek studimet për Shkenca Politike në Vlorë, ka qenë i ftuar në festën e fund vitit të Forumit të të Rinjve Demokratë, ku ka qenë i pranishëm dhe Kryeministri e Kryetari i PD-së, Sali Berisha. Qetsori ka marrë ftesën nga ky forum direkt pasi suplementi “Panorama Plus” botoi një intervistë të Qetsor Ferunaj, ku shprehte ambicien e tij për të hyrë në strukturat e Partisë Demokratike, dhe vështirësinë që po ndeshte për të depërtuar në klanet brenda partisë. Në intervistën e sipërpërmendur ai pohonte ambicien për të arritur një ditë në Kryesinë e Partisë Demokratike. Intervista u botua bashkangjitur më intervistën e dhënë nga këngëtarja çiljeta Xhilaga, pak ditë pas zgjedhjes së saj në Këshillin drejtues të PD-së. Ndaj në festën e Forumit të të Rinjve Demokratë që u organizua në “Living Room” në Tiranë, nuk mungonte dhe çiljeta ndërsa është prezantuar me Qetsorin, i cili është marrë më vonë veçmas nga Berisha duke biseduar të dy për disa minuta. Kryeministri i ka komunikuar Qetsorit vlerësimin e tij për mendimet e shprehura në gazetën “Panorama”, duke veçuar këndvështrimin e tij për konceptin e familjes, duke i premtuar mbështetje për ta përfshirë në strukturat e PD-së. Më pas Kryeministri ka kërkuar të realizojë disa foto me dy të rinjtë me famë që aspirojnë në PD, pikërisht me çiljetën dhe Qetsorin. Ndërkohë që Qetsori pas atij takimi ka filluar të ingranohet personalisht. Ai ka ngritur një grup të rinjsh vullnetarë nga Vlora, të cilët do të nisen sot drejt Shkodrës për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›