Sadiku takon Jahjagën, pastaj niset për në Beograd

Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku i cili deri më tash ka kryer detyrën e ambasadorit në Zagreb, pasi ka takuar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjagën, është nisur për në Serbi.
Sadiku, i cili u emërua javë më parë zyrtar i Kosovës në Serbi, pas dorëheqjes së papritur të Lulëzim Pecit i cili kishte pasur një përplasje me Qeverinë për shkak të deklaratave që ka bërë në shtetin serb do të nisë tash misionin atje
"Presidentja Jahjaga theksoi se hapja e misionit të posaçëm diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë kontribuon në zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë", thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkaq pohohet se Ambasadori Sadiku ka shprehur gatishmërinë për të kryer me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë të gjitha detyrat pasi që ky mision ka specifikat e veta, duke marrë parasysh të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe synimin e përbashkët të integrimeve europiane./Indeksonline/