Ringjallet eurozona, bie industria e Kinës

Derisa Eurozona ka dhënë shenja gjallërimi, ekonomia e Kinës ka vazhduar të ngadalësohet edhe gjatë muajit korrik, ndërsa edhe tregu i punës u dobësua. Sondazhi i publikuar të mërkurën sugjeron se gjendja e ekonomisë kineze është komplikuar akoma më shumë dhe e bën më të vështirë objektivin e qeverisë për ta drejtuar ekonominë tek konsumi i brendshëm.
Efektet e ngadalësimit të ekonomisë kineze po ndihen gjithmonë e më shumë, duke filluar që nga dobësimi i eksporteve kineze, pavarësisht jenit të dobët, e deri tek fitimet e kompanisë Apple, që u përball me një rënie të konsiderueshme të kërkesës nga Kina.
“Ngadalësimi i ekonomisë kineze po fillon të bëhet e rrezikshme”, paralajmërojnë analistët. Që nga ardhja në pushtet në Mars, liderët e rinj të Kinës po tolerojnë një rritje më të ngadaltë dhe po përqendrohen në ristrukturimin e ekonomisë drejt konsumit të brendshëm, por ka pasur sinjale të ndryshme, se në çfarë mase duhet të tolerohet ngadalësimi i ekonomisë.
Indeksi i HSBC/Markit për manifakturën, tregoi se prodhimi industrial u ngadalësua në korrik, ndërsa kërkesat e reja në fabrika ranë me hapin më të shpejtë që nga korriku i vitit 2012. Edhe indeksi i përgjithshëm i kushteve të biznesit ra në 47.7 pikë, nga 48.2 që ishte në qershor dhe po qendron për të tretin muaj me radhë poshtë 50 pikëve./Indeksonline/