E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet poshtë shtëpisë së vet Arjan Selimi, dyshohet se u vra në kurth

Selimi ka qenë në kafe me një të njohurën e vet dhe është ngritur me urgjencë nga tavolina drejt rrugicës anës pallatit, përpara se të ekzekutohej

Vritet poshtë apartamentit ku jetonte 37-vjeçari Arjan Selimi (Armand Andoni), ndërsa dëshmitë e para të mbledhura nga hetuesit flasin për një kurth të mirëmenduar të ngritur ndaj 37-vjeçarit. I njohur si një ndër “lordët” e trafikut të drogës në Tiranë, në vitin 2004 Selimi u arrestua së bashku me të tjerë për trafik ndërkombëtar droge në operacionin “Kompas”. Selimi ka marrë dje në trup disa plumba kallashnikovi në një rrugicë poshtë pallatit ku banonte pas daljes nga burgu. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15 minuta pranë ish-Parkut të Autobusëve, në fund të Rrugës së Kavajës, ndërsa pallati ku banonte Andoni ka qenë i futur në rrugica të pandriçuara. Breshëria e armëve nuk ka kursyer as 19-vjeçarin Keltis Kola, i cili ishte duke ecur poshtë pallatit ku ndodhi ngjarja. Dyshimet e policisë janë se bëhet fjalë për një kurth. Burime policore kanë bërë të ditur se Selimi mund të ketë spikatur praninë e dyshimtë të një personi aty pranë dhe ndërsa është çuar për të verifikuar lëvizjet e personit të dyshimtë është goditur me breshëri në mënyrë të beftë me kallashnikov nga një person i cili ka dalë nga një kthinë që ndodhet mes pallatit ku jetonte Selimi dhe një vile trekatëshe. Selimi ka mbetur i vdekur në vend pasi ka marrë disa plumba të cilët i kanë copëtuar gjithë kraharorin. Policia e shtetit ka konfirmuar dje shoqërimin e të paktën 13 personave, të cilët janë shoqëruar si dëshmitarë të mundshëm të ngjarjes, por edhe si persona me aktivitet të dyshimtë në atë zonë. Vërshimi i plumbave ka shkuar në drejtim “veri-jug” dhe kanë dëmtuar edhe disa automjete që ishin aty pranë si dhe djaloshin 19-vjeçar Keltis Kola, i cili mësohet se ka marrë një plumb në stomak dhe një plumb në këmbë, por që për të cilin dje u tha se është jashtë rrezikut për jetën. Andoni ka qenë duke pirë kafe poshtë pallatit përpara se të ndodhte ngjarja, së bashku me një femër, dhe është çuar nga tavolina për një moment dhe fill më pas kanë ardhur breshëritë e kallashnikovit. Hetuesit kanë pyetur edhe persona që janë ndodhur poshtë pallatit në atë moment, por nga të dhënat paraprake mësohet se dëshmitë e këtyre personave nuk kanë dhënë ndonjë ndihmë me vlerë në identifikimin e autorëve. Këta të fundit kanë patur në avantazhin e tyre dhe terrenin thuajse tërësisht të pandriçuar për t’ia mbathur me motor. Hetues që ndodheshin edhe në vendin e ngjarjes thanë dje se dyshohet se ekzekutorët kanë qenë dy djem, të cilët janë larguar më pas me një motor “papaq”, ndërsa burime policore kanë konfirmuar mbrëmjen e djeshme se kanë patur dijeni dhe të dhëna operative mbi mosmarrëveshje të Selimit, ndërsa kanë konfirmuar edhe faktin se ai mbahej nën survejim nga forcat e antidrogës, si i dyshuar për përfshirje në aktivitete të paligjshme. Mbrëmjen e djeshme forcat e policisë janë interesuar edhe për faktin nëse në zonë ka patur ndonjë sistem kamerash pranë pallatit, ndërsa dje nuk u konfirmua zyrtarisht nëse ka patur ndonjë kasetë filmike që mund të ketë evidentuar lëvizjet e Selimit dhe të vrasësve. Banorë të zonës thanë se në kompleksin e dy pallateve ndodhen vetëm katër biznese, dy lokale, një market dhe një parukeri dhe asnjë prej këtyre katër bizneseve nuk ka patur të instaluar sistem survejimi me kamera. Banorë të pallatit të pyetur dje nga MAPO kanë thënë se kanë mundur të shohin vetëm momentet e pas ekzekutimit, ku kanë parë trupin e shtrirë të Selimit si dhe 19-vjeçarin Keltis Kola, i cili gjendej i shtrirë dhe i plagosur në një distancë prej afro 12 metrash nga Selimi. Ekspertimi i vendit të ngjarjes i bërë nga ekspertët ka zbuluar se pjesën më të madhe të plumbave Selimi i ka marrë në kraharor, duke ngelur i vdekur në vend. Arjan Selimi, i njohur ndryshe dhe me emrin Armand Andoni, ra në pranga në sajë të operacionit të koduar “Kompas”, i zhvilluar në 23 qershor të vitit 2004 në Shqipëri, ShBA, Itali dhe Kosovë. Në pranga ranë më shumë se 40 persona, por vetëm 8 prej tyre u akuzuan për “trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”. Drejtues i rrjetit u cilësua Arjan Selimi, i cili u dënua me 16 vjet heqje lirie. Selimi njihet edhe si partneri i regjisores dhe show girl-it shqiptare, Inis Gjoni, e cila është shtatzënë, disa muajshe. Selimi me origjinë nga Shkodra, njihej si një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Tiranë. Për një kohë të gjatë ai ka jetuar dhe në Amerikë.

Arjan Selimi, në kafe me gruan e Sokol Koçiut, pak minuta para vrasjes

Arjan Selimi ka qenë në kafe poshtë apartamentit ku jetonte, me L. Koçiun, bashkëshorten e Sokol Koçiut, pak sekonda para se të çohej me vrik nga tavolina në lokalin e sheshpushimit të pallatit dhe të shkonte drejt rrugicës së pandriçuar anës pallatit. Gruaja e mbrojtësit ligjor Sokol Koçiu ka përshkruar dje në polici momentet e fundit para vrasjes, duke konfirmuar faktin se Selimi është çuar nga tavolina me shpejtësi, pak sekonda para se mbi të të derdhej breshëria e plumbave të kallashnikovit. Burime policore kanë thënë dje se takimi mes Selimit dhe L. Koçiut ka qenë një takim normal mes tyre, pasi, sipas të dhënave policore, Sokol Koçiu dhe Arjan Selimi kanë qenë shumë miq gjatë kohës që kanë kryer burgun në Tiranë dhe kjo miqësi duket se ka vazhduar edhe pas daljes të të dyve nga burgu. Ka qenë pikërisht dëshmia e gruas së Koçiut ajo që ka bërë hetuesit të besojnë se me shumë gjasa Arjan Selimi është futur në kurth, duke e orientuar lëvizjen e tij nga tavolina e lokalit në sheshpushimin e pallatit, drejt rrugicës përbri pallatit, e cila është tërësisht e pandriçuar.

Dëshmitari: U krijua shumë panik, djalin e plagosur nuk po e ndihmonte njeri

Një i ri banor i pallatit, që ka asistuar skenën e krimit, pak sekonda pasi ka ndodhur ka dëshmuar dje për gazetën momentet e para të pas vrasjes. “ Unë kam qenë pas pallatit dhe sa kisha zbrit nga shtëpia. Kam qenë nga ana tjetër e pallatit. Dëgjova krismat dhe nuk lëviza në fillim. Pastaj në drejtimin tim ka ardhur një djalë i ri dhe më tha duke qarë se i kishin plagosur shokun e ngushtë, e kishte fjalën për atë djalin e ri që ishte plagosur. Të gjithë janë fshehur në atë moment dhe më pas kanë nisur ulërimat e grave dhe u krijua një panik i paparë në zonë. Kur jam afruar pranë vendit të ngjarjes, kam parë të vrarin dhe kam parë dhe atë djalin e plagosur që rënkonte i shtrirë. Të riun që kishte mbetur i plagosur në fillim nuk po e ndihmonte njeri, pasi të gjithë ishin në panik dhe shumica e njerëzve nuk afrohej aty pranë se kishin ende frikë. Më pas të plagosurin e kanë nisur me një automjet për në spital dhe situatën e mori nën kontroll policia që erdhi dhe më pas rrethoi zonën’, - është shprehur i riu. Banorë të lagjes janë shprehur se nuk kanë parë momentin e ekzekutimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›