E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet Griselda: Sbëja dot fëmijë, shpika shtatzëninë

Elvis dhe Griselda Roshi

Gazeta zbardh dëshminë e 28-vjeçares përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda. Rrëfimet e plota të personave që kontaktuan me Griseldën në orët e rrëmbimit. Çfarë doli nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe pikëpyetjet mbi bashkëshortin që për 9 muaj besoi se e kishte gruan shtatzënë. Elvis Roshi kthen Griseldën pasdite në shtëpinë e prindërve dhe kërkon falje publike

Gruaja e bashkiakut, 140 minuta para prokurorëve: Sbëja dot fëmijë

Griselda Roshi, gruaja që bashkëjetonte me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka shembur vetë dje gjithë rrëfi-min e tmerrshëm që shpërndau në publik tri ditë më parë.Ndonëse sajimi i ngjarjes së rëndë ishte verifikuar nga policia, mjekët ligjorë dhe prokuroria, protagonistja e historisë së pazakontë ka pranuar mashtrimin, madje ka shpjeguar edhe shkakun e gjithë kësaj. Për plot 2 orë e 20 minuta, Griselda Roshi dëshmoi dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me ngjarjen. E shoqëruar nga një fuoristradë e Policisë së Shtetit dhe një ambulancë, Griselda Roshi ka mbërritur dje rreth orës 12:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes, në praninë e një psikologeje dhe të oficeres së caktuar posaçërisht në grupin e hetimit për të lehtësuar komunikimin. Gjatë dëshmisë së saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Griselda Roshi vazhdimisht ka pasur vështirësi dhe ndërprerje në komunikimin e saj pas pyetjeve që i janë bërë nga grupi i hetimit. Megjithatë, prania e një oficereje femër dhe e një psikologeje duket se ka ndihmuar ecurinë e procesit derisa 28-vjeçarja ka mbyllur ciklin e shpjegimeve të saj duke sqaruar edhe motivin e ngjarjes së sajuar që tronditi opinionin publik. Në thelb duket se shkaku ka qenë fakti se Griselda Roshi nuk bënte dot fëmijë. Një fakt për të cilin, me sa duket, rreth një vit më parë ishte vënë në dijeni edhe Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës.
Dëshmia e Griseldës në Prokurori
Rezultatet e ekspertizave në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe më pas në maternitet, ku është hedhur poshtë dhuna dhe shtatzënia e 28-vjeçares, duket se e kanë kthjelluar Griselda Roshin. Pas ekzaminimit nga mjekët, gjatë dëshmisë në prokurori, e reja ka qenë më e qartë se tri ditë më parë kur teksa tregonte një histori të frikshme rrëmbimi, në rrëfimin e saj artikulonte plot kontradikta. “E kam sajuar këtë histori pa qëllim të keq dhe duke menduar se do të funksiononte për një kohë”, mësohet se është shprehur Griselda Roshi në prokurori. Ajo ka përsëritur disa herë në deklarimet e saj para hetuesve, se qëllimi i saj i vetëm ka qenë që të mos humbiste bashkëshortin e saj, Elvis Roshin. Në dëshminë e vet, 28-vjeçarja ka shpjeguar edhe frikën që ka përjetuar për një kohë të gjatë, frikë e cila e kishte shtyrë që për mëse 9 muaj të krijonte idenë e shtatzënisë fillimisht te vetja e më pas te njerëzit që e rrethonin.
Pamundësia e lindjes
Sipas të dhënave hetimore të konfirmuara edhe nga Griselda Roshi dje në prokurori, 28-vjeçarja ka probleme shëndetësore që e bëjnë të pamundur që ajo të lindë fëmijë. Ky problem shëndetësor duket se ka qenë shkaku i ngjarjes që alarmoi policinë dhe Prokurorinë shqiptare. Rreth një vit e gjysmë më parë, Griselda Roshi dhe bashkëshorti i saj, sot kryetar Bashkie në Kavajë, sipas dëshmisë së 28-vjeçares, kishin marrë vesh se ajo nuk mund të lindte. Pa dashur të cenojnë privatësinë dhe marrëdhënien mes bashkëshortëve, burimet e hetimit thonë se një lajm i tillë kishte ndikuar për keq në raportin mes Griseldës dhe Elvis Roshit. Megjithatë, mjekët, sipas dëshmisë së Griseldës, nuk kishin dhënë përgjigje përfundimtare negative. Ndaj, disa muaj më vonë, 28-vjeçarja ka shpjeguar se ka pasur një shëndoshje dhe një zmadhim të barkut, çka e bëri të mendojë se kishte mbetur shtatzënë. Disa javë më pas ajo ka dëshmuar se ia komunikoi këtë lajm bashkëshortit të saj, Elvis Roshit. Në këtë moment, ndërsa çifti mendonte se do të kishte një fëmijë, komunikimi dhe marrëdhënia mes tyre, sipas Griseldës, ndikoi për mirë. Ajo ka shpjeguar se e ka kuptuar që nuk kishte mbetur shtatzënë rreth një muaj më pas, por pas idesë së krijuar dhe gëzimit që kishte përjetuar i shoqi, pati frikë t’i tregonte se shtatzënia kishte qenë vetëm një iluzion. Kështu, për nëntë muaj me radhë, Griselda Roshi jetoi fillimisht me disa rroba dhe më pas me jastëk të vendosur në bark, duke krijuar te shumëkush idenë e një shtatzënie normale, por edhe pritshmërinë se pas nëntë muajve bashkëshortët do të bëheshin me fëmijë. Për këtë mjafton të thuhet se bashkëshortët kishin biseduar mes tyre edhe emrin e djalit të ardhshëm. Pikërisht në kohën kur afati 9-mujor po plotësohej, Griselda Roshi ka dëshmuar se e sajoi ngjarjen për të justifikuar “humbjen” e fëmijës, që nuk e kishte pasur kurrë. Pas dhënies së këtyre deklarimeve, 28-vjeçarja ka dalë dje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth orës 14:50.

Në klinikë u paraqit me emrin e shoqes

TIRANE – Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës ka përdorur një emër të rremë kur është paraqitur në klinikën “Ikeda” dhe ka marrë një serum mesnatën e së hënës. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se kur është paraqitur në klinikë dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, Griselda Roshi ka përdorur emrin e rremë, Erisa Avnimulaj, shoqja e saj. Ky emër është gjetur në dokumentet e mbajtura në klinikë për t’i dhënë serumin 28-vjeçares. Ndërkohë, në klinikën “Ikeda” janë sekuestruar edhe kamerat e vëzhgimit që kanë regjistruar hyrje-daljet e Griselda Roshit.

U kërkuan gjatë dëshmisë Psikologë në seancat me Griseldën

TIRANE – Të gjitha veprimet hetimore të kryera nga policia, Mjekësia Ligjore apo materniteti me Griselda Roshin, janë kryer në praninë e psikologëve. Që nga momenti i paraqitjes së saj në Polici për të dhënë deklarime, e duke vazhduar më pas me kryerjen e ekspertizës dje te Mjekësia Ligjore, procedurat e hetimit janë asistuar e ndjekur nga afër prej psikologëve. E njëjta gjë ka ndodhur dje gjatë dëshmisë së Griselda Roshit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku për më shumë se dy orë, një psikologe ka asistuar marrjen në pyetje të 28-vjeçares. Prania e psikologëve në procedurat e këtij hetimi është bërë për të lehtësuar komunikimin dhe për të marrë sa më shumë të dhëna nga 28-vjeçarja, duke supozuar gjendjen e ndërlikuar emocionale në të cilën ajo ndodhej.TRAZHGIM SOKOLAJ

Versioni i Policisë për shtatë orët e tmerrit të Griseldës

Policia e Tiranës deklaroi dje një pjesë të itinerarit të ndjekur nga Griselda Roshi (Zaimi) mbrëmjen e së hënës, kohë kur ajo pretendoi se ishte marrë peng.Në një deklaratë për median, policia shpjegoi dje gjithë lëvizjet e Griselda Roshit, duke nisur nga mbrëmja e së hënës, kur 28-vjeçarja ka pirë kafe te qendra “Kristal”, te “Komuna e Parisit” dhe derisa ka mbërritur në klinikën “Ikeda” në Tiranë. Ndërkohë, gazeta “Panorama” ka mësuar se edhe pas përfundimit të veprimeve në klinikë, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës është kthyer atë natë në shtëpinë e saj me një taksi të marrë nga Tirana dhe ka zbritur shëndoshë e mirë, ndryshe nga ç’pretendohej, se ishte hedhur në një kanal.
Sipas Policisë, denoncimi me pretendimin për rrëmbim të 27-vjeçares është bërë të mërkurën, rreth orës 10:00, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Padia është paraqitur nga kunati i saj (vëllai i bashkëshortit), shtetasi Saimir Rroshi. Ai ka depozituar një kallëzim penal, në të cilin shprehej se kunata e tij, gruaja e vëllait, Elvis Rros

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›