Flet Prençi: Nishani, Burgaj, Kuliçi, Peka e Halili notojnë në krime

Ministri i Brendshem, Bujar Nishani, dhe drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Hysni Burgaj
Lindita Çela
Nuk kanë kaluar as 30 minuta nga vendimi i bërë publik për largimin nga radhët e policisë dhe Shemsi Premçi thuajse përpin çdo lajm të publikuar për të. Turfullon i tëri nga ato çfarë i dëgjojnë veshët, por akuza për veprime të turpshme i rikthen humorin. Të thotë se vendimin e priste, madje dhe qëndrimet kundër asaj kaste që e ka quajtur mafia e kromit, por ta akuzojnë për veprime të turpshme është e rëndë për dibranin me një karierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Dëgjon akuzat dhe kundërshton çdo frazë të artikuluar në njoftimin zyrtar të lexuar nga zëdhënësja e shtypit. Por për Drejtuesin e Parë, Shemsi Prençi, e vërteta është krejt tjetër. E vërteta e tij ka të bëjë me njerëz që grabisin pasurinë kombëtare e shfrytëzojnë si skllevër minatorët e Bulqizës. Sa për drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, për Shemsi Premçin nuk janë gjë tjetër, veçse një zinxhir i mafies, përballë së cilës ai u detyrua të largohet nga uniforma blu.
Z. Premçi, zyrtarisht u vendos përjashtimi juaj nga radhët e policisë, vendim ky që vjen pas një sërë akuzash që ju keni ngritur për Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, madje edhe ndaj kryeministrit Sali Berisha. Si e gjykoni këtë vendim?
Unë jam vetëpërjashtuar dhe për këtë jam shumë krenar se nuk kam pranuar të vazhdoj të punoj me këta njerëz që bashkëpunojnë me vjedhjen e pasurisë kombëtare e fshehin kriminalitetin në vend. Absolutisht e kam pritur këtë reagim. Madje pres dhe gjëra më të mëdha nga këta njerëz. Sot dëgjova nga media se ata më kishin dhënë vërejtje dikur, madje më akuzonin se kisha kryer edhe vepra të pahijshme. Unë nuk kuptoj se kush ishin këto vepra, pse nuk i publikojnë. Por, ajo që unë kam bërë është se kam lëvizur nga vendet e punës ata njerëz të cilët Drejtori i Përgjithshëm me strukturat e mafies, që mbështesin vjedhjen e kromit, i kishin kthyer në gurë kilometrik për të siguruar lëvizjen e makinave që vjedhin kromin në Bulqizë. Unë nuk mund ti toleroja. Këtë e kam denoncuar në prokurorinë e Dibrës, madje kam vënë në dijeni dhe Prokuroren e Përgjithshme lidhur më këtë fenomen. Sa për të vërtetuar atë që thashë, Hysni Burgaj më ka urdhëruar në shërbim më datë 24, ndërkohë që pretendon se me datë 23 më ka pezulluar nga detyra. Por, të gjitha reagime, ende jo zyrtare, kanë ardhur pas dhënies së dorëheqjes sime. Në rrugë zyrtare, deri në këto momente që po flasim, nuk më kanë komunikuar asnjë vendim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka kurajën qytetare dhe as zyrtare për të më komunikuar masat administrative ndaj meje. E kuptoj se Burgaj dhe Ministria e Brendshme është shumë trazuar pas deklaratave të mia. Ata janë të trazuar për shkak të veprimtarisë kriminale në të cilën notojnë Bujar Nishani, Hysni Burgaj, Agron Kuliqi, Avenir Peka, Astrit Halili dhe kalvari në vertikale që ata kanë instaluar për të vjedhur dhe për të grabitur pasurinë shtetërore. Por, këtë nuk e thashë unë. Kjo është e vërteta që do ta zbulojë kushdo që do të hetojë këtë çështje.
Dhe cila ishte e vërteta që zbuluat ju, z. Prençi në pak kohë që drejtuat policinë e qarkut të Dibrës?
Unë kam marrë detyrën më 7 shkurt 2012. Që në momentet e para të marrjes së detyrës strukturave të luftës kundër krimit iu kam kërkuar që të bëjnë një informacion të plotë rreth veprimtarisë kriminale që kanë lidhje drejtpërdrejtë me aferat korruptive të kromit në Bulqizë dhe Mat. Informacionin e kam nisur shumë të detajuar për prezencën e strukturave eprore të Policisë së Shtetit. Ka disa të vrarë, të zhdukur, përplasje me armë në mes të qytetit e në bazë të këtyre informacioneve unë kam krijuar një vizion të qartë mbi veprimtarinë kriminale dhe jam munduar të krijoj strategjinë e luftës kundër këtij kriminaliteti. Kemi hartuar plan masash, i cili është miratuar nga të gjitha strukturat, madje dhe nga drejtori i përgjithshëm, Burgaj. Në zbatim të këtij plani masash na është ofruar mbështetje me forcat e FNSH-së së Shkodrës për një periudhë dy javore. Në këto kohë kemi pasur rezultate kundër veprimtarinë kriminale të vjedhjes së kromit, por çuditërisht në ditën që ne kemi bllokuar 8 kamionë me krom të një kompanie që unë shumë vonë kam mësuar se zyrtarisht administrohej nga Enkeleda Hysenbylliu, reagimi i strukturave të larta të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme kanë qenë rrebesh, jo ndaj fenomenit, por ndaj strukturave të policisë së qarkut të Dibrës. Na kanë bërë terror psikologjik nëpërmjet strukturave të SHKB-së, duke na kërcënuar se do të na burgosin për veprimtari të paligjshme. Si mund të quhen të tilla këto, veprime të jashtëligjshme, kur plani im masave është i miratuar.
Z. Prençi, ju thoni se në Bulqizë ekziston mafia përballë së cilës ju u detyruat të jepni dorëheqjen. Por informacionet që ju keni siguruar, a i keni denoncuar në organet kompetente?
Po, madje në të gjitha strukturat e hetimit të shtetit shqiptar. Një material që mban 18 dokumente, midis të cilave raporte shërbimi dhe informacione të shefave të krimeve, të cilat flisnin për këtë veprimtari kriminale. Por, në vend që mbështeteshim në këtë përballje, ne u sulmuam. Për këtë kam deklaruar se mafia e kromit e ka kështjellën në Ministrinë e Brendshme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Deri në këto momente nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga këto struktura me përjashtim të një plani skandaloz për hetim të arsyeve të bllokimit të 8 kamionëve.
Por, z. Prençi, ju paguheni për të luftuar krimin e ky është një ndër misionet që duhet të përmbushë një oficer karriere. Mos ndoshta jeni dorëzuar?
I gjendur krejt i vetëm, jam dorëzuar nga ushtrimi i detyrës së drejtorit, por jo nga misioni im. Në portin e Durrësit vetëm 5 kompani të kromit kanë numër serial liçence për të depozituar krom dhe të gjithë të tjerët grumbullojnë krom nga puna e zezë e minatorëve të fëmijëve jetim të Bulqizës. Sasia e kromit që del nga krahët e minatorëve është 10-fish më e madhe se sa ajo që del nga kompanitë e licensuara të shtetit. Ky është krimi dhe vjedhja që ndodh për të cilën të gjithë heshtin. Unë po flas.
Ju akuzoni drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe ato të Policisë së Shtetit, të përfshirë në atë që ju e quani mafia e kromit. Por nëse do ti rikthehesha karrierës suaj, marrëdhëniet tuaja nuk kanë qenë fort të mira me këto struktura. Deri sa këta drejtues janë të përfshirë në këtë aferë, si ka mundësi që vendosën emërimin tuaj në këtë zonë?
Fillimisht emërimin tim e kam menduar si një hakmarrje të vonuar të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme pas konflikteve që unë kam pasur me zv/ministrin Avenir Peka në zgjedhjet e 8 majit. Por tani mendoj se ata kanë menduar se unë nuk do të reagoj ndaj fenomenit të grabitjes së kromit nga shpellat e krijuara nga kjo mafie. Kanë menduar se unë do të heshtja pasi unë gjeta gjurmët e implikimit në veprimtari kriminale të Astrit Halilit, Hysni Burgajt, Agron Kuliqi dhe Avenir Pekës, ndaj dhe më emëruan.
Ka ditë që ju lëshoni akuza të tilla, por ende strukturat e Prokurorisë nuk kanë nisur hetimet, qoftë edhe për të thënë të kundërtën e deklaratave tuaja. Si e konsideroni këtë fakt?
Prokuroria ka kohë për të hetuar atë që unë kam denoncuar publikisht. Unë nuk paragjykoj vendimet e prokurorisë