Flet globalisht

Në fjalimin e saj në Konferencën “Kufijtë në Zhvillim” të mbajtur në Georgetown të SHBA’së dhe të organizuar nga USAID’i, Presidentja Atifete Jahjaga ka folur për zhvillimet botërore, por edhe ato brenda shtetit të Kosovës, të cilën ajo e përfaqëson në këtë konferencë.
Jahjaga fillimisht ka përshëndetur faktin që kjo konferencë po mbahet në SHBA, një demokraci e cila, sipas saj, ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë një rol të fortë dhe konstruktiv në çështjet globale. Për më shumë, siç ka thënë Presidentja, një vend që ajo dhe populli i Kosovës e kanë shumë afër zemrës.
Fjalimi i Presidentes kishte një pyetje thelbësore, të cilën e adresonte ndaj të gjithë liderëve të botës, përgjegjës për problemet me të cilat përballet njerëzimi në ditët e sotme.
“Si mund të bashkëpunojmë për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe të forcojmë resurset materiale dhe sistemin moral të vlerave shoqërore, ndërkohë që zvogëlojmë konfliktet që prodhojnë trazira, shkatërrojnë jetëra dhe cenojnë përparimin e gjithëmbarshëm?”
Në Konferencën në të cilën kanë marrë pjesë liderë dhe personalitete të ndryshme botërore, Jahjaga ka bërë një përshkrim të gjendjes botërore, por me theks të veçantë historisë tragjike të Kosovës, gjatë luftës së fundit, dhe ngritjes së saj në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë.
Duke folur për zhvillimet e viteve të fundit në Kosovë, Presidentja ka thënë se shteti më i ri në Europë ka bërë përpjekje të fuqishme në krijimin e shtetit të së drejtës dhe sigurimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e vendit, e posaçërisht të komuniteteve pakicë.
“Me të njëjtën vendosmëri po përpiqemi që t’i tejkalojmë dallimet dhe të rivendosim besimin e tronditur që ende ekziston në sfond si pasojë e trashëgimisë së luftës, sidomos në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Në këto përpjekje kemi shënuar sukses, sepse institucionet e përbëra nga shumica shqiptare kanë ofruar një gamë të gjerë të drejtash dhe garancish ligjore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb, si dhe mënyrën e tyre të jetës dhe traditës fetare në Kosovë”, ka thënë Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka folur para të pranishmëve gjithashtu edhe për sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës, e sidomos për krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat sipas saj, kanë dërguar një imazh të keq në botë për Kosovën.
Fakti që Kosova shpesh është prezantuar si vend me nivel të lartë të korrupsionit dhe krimit, ka thënë Jahjaga, ka ngulfatur përpjekjet për të paraqitur Kosovën si një tregim të përbashkët të suksesit ndërkombëtar dhe vendor.
Jahjaga ka theksuar se luftën kundër korrupsionit e ka marrë me vendosmëri, duke përmendur themelimin e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit si institucion për t’i dhënë zgjidhje këtij fenomeni, i cili është i përhapur në shoqërinë kosovare.
“Unë kam caktuar prioritete dhe kam vendosur kornizën e përgjithshme për të luftuar këtë sëmundje që po kërcënon shoqërinë e Kosovës, për të cilën kërkoj rezultate konkrete”, ka thënë ajo.
Fjalimin e saj, Jahjaga e ka përfunduar duke u përpjekur t’u japë përgjigje pyetjeve të cilat edhe kanë qenë temë e kësaj konference. Problemet me të cilat përballet njerëzimi, ka thënë Presidentja, kanë përgjigje, megjithëse ato janë të vështira dhe komplekse.
“Pra, në pyetjen se si të bashkëpunojmë për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të forcuar shoqëritë dhe për të reduktuar konfliktin, unë përgjigjem demokracia, zhvillimi, siguria dhe gjithëpërfshirja”, ka thënë Presidentja Jahjaga.