Stefanoviq: S'ka kthim në vitet e 90-ta

“Ata që mendojnë se ky është proces në të cilin ne mund të fitojmë zgjidhjet, cilat i kemi pasur deri në vitin 1999, mashtrohen shumë. Për shkak se UNMIK-u i ka bartur të gjitha kompetencat tek autoritetet kosovare në kohën e qeverisë së Vojisllav Koshtunicës. Në kohën e qeverisjes së tyre, Kosova e ka shpallur pavarësinë”, ka rikujtuar Stefanoviq për Radion Evropa e lirë duke shtuar se ky është realitet dhe kjo është ajo që ata e kanë gjetur.
“Prishtina është ajo, e cila, fatkeqësisht, ka të drejtë t’i rrëmbejë targat, të burgosë njerëzit, t’i vendosë doganat e saj, gjykatat. Këtë nuk e ka vendosur shteti i Serbisë por Qeveria e Vojisllav Koshtunicës, me politikën e saj refuzuese ndaj çfarëdo bisedimesh. Më vjen keq që në Kosovë ka disa serbë që mendojnë se është e mundur që gjithçka të kthehet në vitin 1996, 1997”, ka thënë Stefanoviq.
Duke folur për veriun, ai ka thënë se liderët në veri të Kosovës, çdo ditë i aktivizojnë alarmet, e thirrin popullin që të mblidhet dhe se këtë e bëjnë për qëllime të tyre përfituese.
“Absolutisht, asgjë nuk funksionon, individët po pasurohen, njëkohësisht njerëzit kanë nga tre ose katër banesa në Beograd dhe Kralevë, ndërkohë që lajmërohen për të marrë ndihmë sociale dhe marrin drunjtë dhe ndihmën me ushqim nga strukturat komunale. Ja pra, kështu e keni sot veriun e Kosovës, ndërkaq që kjo është pasqyra të cilën ata zotërinj po e fshehin nga opinioni. E pastaj ata thonë se çfarëdo marrëveshje me Prishtinën është e papranueshme”, ka pohuar Stefanoviq duke shtuar se ata pozitat privilegjuese dhe pozitat në krim, dëshirojnë t’i ruajnë me çdo kusht.
"Ata dëshirojnë ta ruajnë një sistem të këtillë të shpërbërjes së plotë, sepse atyre ju konvenon, ndërkohë që qytetarët vuajnë më së shumti. Edhe ata janë përgjegjës për një situatë të tillë dhe këtë më në fund duhet thënë hapur, që njerëzit kuptojnë”, ka thënë ndër të tjera, shefi i delegacionit serb në bisedimet teknike me Kosovën, Borko Stefanoviq.