Flet kreu i PS: Presidenti i ri, Rama se përjashton Nanon

Kreu i PS, Edi Rama
Kreu i PS: Pse u larguan Meksi dhe Seseri
Kishim vendosur një orë zero, Islami theu vendimin duke sfiduar Grupin Parlamentar
Kreu i PS-së, Edi Rama, në një intervistë në emisionin Debat në Vizion Plus me gazetarin Alfred Peza, foli për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, për përjashtimin e Kastriot Islamit, por dhe për kritikat që i janë bërë librit të tij Kurban. Rama nuk e përjashtoi emrin e Nanos, por tha se opozita do të kërkojë një proces për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Kohët e fundit ju përdorni internetin, Twitter dhe më pak komunikimin direkt me mediat. Përse?
Twitter është një nga rrugët e mundshme të komunikimit sot dhe e shoh si një nga mënyrat që vjen dhe zgjerohet dita-ditës. E shoh këtë edhe nga numri në rritje i atyre që regjistrohen në adresën time.
Pra projekti Shqipëria dixhitale e zotit Berisha po shkon me sukses?
Kjo është një çështje tjetër. Ajo çka ka ndodhur në aspektin e zhvillimit dixhital është më shumë pasioni apo prirja natyrale e shqiptarëve ndaj prirjeve të reja, sesa rezultat i një politike largpamëse apo projekti të qeverisë.
Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar u përjashtua Kastriot Islami, ndërkohë që kjo gjë nuk u bë me Andis Harasanin që shkoi në Kuvend kur grupi ishte në bojkot, apo votimi i Fullanit nga Blushi dhe Malaj, apo në votimin e buxhetit të qeverisë kanë munguar 14 deputetë dhe nuk pati vendim për ata, edhe Gramoz Ruçi ka votuar kundër Kodit Detar, për të cilin ka pasur vendim grupi të votohej pro. Përse nuk u përjashtua Ruçi, por Kastriot Islami i shkretë…?
…I shkretë( qesh)! Të mos i ngatërrojmë gjërat. Është e vërtetë që në këta dy vjet që pararendën Kongresin e 5 nëntorit, PS ka jetuar me një anomali të brendshme dhe dëshira apo bindja ime dhe e të tjerëve në lidership ka qenë krijimi me durim dhe ringritja dalëngadalë e kushteve për rikompozimin shpirtëror të forcës sonë politike për ngjitjen e asaj frakture që u krijua në 2009. Pasi kjo frymë u shfaq në Kongresin e PS-së dhe pas atij votimi që u bë për Guvernatorin, grupi i PS-së vendosi pas një mbledhje shumë serioze me bindjen se është momenti për të filluar nga një orë zero dhe për të lënë pas këtë vijimësi jo normale. U ra dakord që këtu e mbrapa do të bindemi bashkërisht për domosdoshmërinë e një respekti ndaj vendimit të shumicës dhe dëgjimit me shumë respekt të çdo pakice. Kur është marrë ky vendim për të kundërvotuar kandidaturën e kryetarit të KLSH-së, është thënë se prania dhe vota kundër janë detyrim i çdo deputeti. I vetmi që e theu këtë vendim politik, pa asnjë arsye të justifikuar, është Kastriot Islami, i cili vendosi të largohet nga Grupi Parlamentar Socialist.
Ishte shkak apo sebep largimi i zotit Islami?
Edhe nëse ishte sebep, është një sebep që e krijoi vetë me vullnetin e tij të lirë. Unë do të them se Gjovalin Kadeli, deputeti i Lezhës, ishte pranë bashkëshortes në Itali në shtratin e spitalit, krejtësisht i justifikuar, por u kthye për të respektuar vendimin politik, jo thjesht formalisht për të respektuar Grupin Parlamentar, por edhe mandatin e tij e ata që e kanë votuar. Fidel Ylli ka sot e gjithë ditën një kurë për një operacion në shtyllën kurrizore që e detyron në regjim shtrati deri më 7 janar. Ai u ngrit nga krevati gjysmë ore para se të kurohej dhe erdhi në Kuvend që të votojë. Deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu, anuloi biletën e udhëtimit bashkë me bashkëshortin dhe djalin për një vizitë që kishin programuar jashtë shtetit. I anuloi të gjitha dhe erdhi për të votuar në Kuvend. Kush është Kastriot Islami që paska të drejtën të sfidojë të gjithë Grupin Parlamentar, duke u larguar nga salla pasi ishte aty në sallë. Nuk është askush më shumë se sa të gjithë deputetët e tjerë të grupit të PS-së. Ai që thyen një vendim të marrë nga të gjithë bashkë, nuk thyen thjesht një disiplinë formale, por fyen Grupin Parlamentar dhe mbi të gjitha,nuk nderon mandatin që ka marrë nga populli opozitar.
Pas dy vjetësh do ta ktheni Kastriotin, siç kthyet Paulin Sterkajn pasi votoi Presidentin Topi?
Ka gjithnjë një shans të dytë për këdo dhe cilido ia lejon ose jo vetes këtë mundësi për një shans të dytë.
Është fundi i Mendimit Ndryshe ky gabim që bëtë me Kasatriot Islamin?
Është realisht fyerje e inteligjencës së PS-së që mendimi ndryshe të identifikohet me Kastriot Islamin. Realisht mendoj se nuk ka vend për koment në këtë pikë.
Këshilli i të Urtëve ka zëra, siç është zoti Meidani që ka thënë se nuk është pyetur nga ju. Ju keni bërë dhe një polemikë me zotin Meidani, përse?
Nuk do ta quaja aspak polemikë. Unë kam shprehur një opinion dhe janë thjesht pjesë e natyrshme e të bashkëjetuarit në hapësirën e PS-së dhe është për tu habitur se si dikush që ushqen në mënyrë të vazhdueshme debat dhe polemikë, reagon në mënyrë disproporcionale kur nga ana tjetër ka një opinion që nuk pajtohet për diçka me opinionin e tij. Unë nuk shoh asnjë polemikë, por një moment ku të gjithë duhet të qëndrojnë para se të propagandojnë bashkimin me LSI-në si çelësin magjik të fitores të së majtës, vlen të arsyetojmë se përse duhet të fitojë PS-ja dhe ky koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Folëm për zotin Islami, por në PS ka rrjedhje, është larguar zonja Meksi nga PS, flitet dhe për zotin Majko që mund të lerë mandatin për një detyrë të lartë..
…Nuk e kuptoj se si mund ti përziejmë të gjitha këto me fjalën rrjedhje. Nëse Kastrioti ka rrjedhur, nuk bëhet fjalë për rrjedhje të forcave. Unë lus me gjithë zemër që të bëhet e mundur që Pandeli Majko të shkojë në OKB dhe të përfaqësojë Shqipërinë, si shqiptari i parë që ngjitet në hierarkinë më të lartë të OKB-së, ashtu sikundër në rastin e Ermelinda Meksit, sbëhet fjalë për konceptin e rrjedhjeve të forcave nga PS.
Ka ikur me dëshirën e vet Ermelinda Meksi?
Absolutisht ka qenë një vendimmarrje e konsultuar me Ermelindën, së cilës ne të gjithë i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë, por dhe për faktin që ajo ka marrë një përgjegjësi të veçantë në kushtet e sotme. Në rast se do të ishim në kushte të një normaliteti ekonomik dhe në rast se Banka e Shqipërisë do të ishte e pavarur dhe jo degë e partisë në pushtet, atëherë padyshim që mund të bënim një zgjedhje tjetër. Përderisa formula jonë për një dakordësi që në përbërjen e Bordit të Bankës së Shqipërisë, ku ne kërkuam të kishin 3 përfaqësues dhe ku propozuam që Bordi të ishte i zhveshur nga përkatësitë partiake, mbeti vetëm një vend për opozitën, atëherë ne e pamë të udhës që në këtë vend të çojmë një personalitet me shumë eksperiencë dhe me përgjegjshmëri të plotë politike për të qenë aty syri i opozitës. Pavarësisht se si eksperte e pavarur politikisht për të penguar një vijueshmëri perverse të politikës së BSH-së që ka humbur jo vetëm pavarësinë, por në mënyrë të rrezikshme është vënë në dispozicion të aventurave të politikës ekonomike dhe financiare të qeverisë.
Duhet të pranoni që me Rudina Seserin keni gabuar në përzgjedhje?
Do ta pranoja nëse do të kisha gabuar. Mendoj se Rudina Seseri ishte një personalitet që i kishte të gjitha atributet për tu kthyer në një figurë të rëndësishme të PS-së. Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan ashtu siç dëshironim ne, siç dëshironte Rudina, që pati një sërë problemesh në një periudhë kohe që u zgjat realisht dhe krejt në një mirëkuptim, kur iu bë asaj e pamundur dhe na u bë ne e pamundur që të bashkëjetonin