Flet ministri i Jashtëm grek, Avramopulos: Bashkë me Shqipërinë dhe Italinë, do jemi furnizues të Evropës
Gazsjellësi TAP/Greqia: “Projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë”
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos deklaron se ndërtimi i gazsjellësit TAP është një nga nismat më të rëndësishme në fushën e energjisë. Në fjalimin e tij në parlamentin grek, ai tha se Athina ka nënshkruar marrëveshjet me Shqipërinë dhe Italinë, në funksion të realizimit të projektit TransAdriatik Pipeline (TAP).
“Kemi marrë nisma të rëndësishme sa i përket fushës së energjisë në rajon. Ndryshimi i hartës energjetike në Evropë na jep shanse që të jemi furnizues të Evropës si dhe drejton gjithë historinë e gjeopolitikës në rajon. Për tu përmendur është se tani afër kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm në këtë drejtim duke nënshkruar me Italinë dhe Shqipërinë marrëveshjen e gazsjellësit TAP. Është një nga pikat më nevralgjike zhvillimi i politikave të Greqisë në fushën e energjetikës”, u shpreh ai.
Kryediplomati grek e sheh bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të Ballkanit edhe si faktor stabiliteti në një rajon me të kaluar të trazuar.
“Këto politika duhen shoqëruar dhe me nisma për një terren sa më të sigurt, më paqësor dhe më të qëndrueshëm në rajonin. Sepse Ballkani i trazuar në të kaluarën na dërgon përsëri mesazhe kërcënuese. Kjo është një politikë që do të pasohet nga veprime konkrete dhe politikat zhvilluese që do të shfrytëzojnë pasurinë e territorin grek në tokë dhe në det. Politika jonë është të përcaktojë të gjitha zonat industriale detare, duke përfshirë AOZ, me të gjithë fqinjët tanë, i cili do të jetë hap tregues në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, tha ai.
Duke u ndalur te integrimi në BE i vendeve të rajonit, ministri i Jashtëm Dimitris Avramopulos tha se kjo do të jetë në fokusin e presidencës greke në gjysmën e parë të vitit 2014. “Me rastin e Presidencës greke të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, Athina do të inkorporojë një prioritet të caktuar, përfshirë të ardhmen e Gadishullit Ballkanik në Evropë”, shtoi më tej ai.