Shqipëria, në listën e përfituesve nga paketa antikrizë prej 30 miliardë eurosh
BE, plan “marshall” për Evropën Juglindore
Shqipëria është pjesë e paketës financiare prej 30 miliardë euro që Banka Botërore, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve do të injektojnë në ekonomitë e disa prej vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Plani “marshall” i BE për të mbrojtur ekonomitë e këtyre vendeve nga kriza në eurozonë, pritet të sjellë mpakte pozitive në ekonominë e vendit tonë, për ri-qarkullimin e kapitaleve në treg dhe nxitur kredidhënien nga sektori bankar. Plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme
Tre institucionet më të mëdha donatore në rrafshin ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe BERZH kanë rënë dakord për një plan të përbashkët antikrizë në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore. Lajmi i bërë publik pak javë më parë, mësohet se është pasuar nga një marrëveshje mes tre institucioneve. Kësisoj, marrëveshja e nënshkruar dy ditë më parë parashikon një paketë financimesh prej 30 miliardë euro për dy vitet e ardhshme që do shkojnë për 18 vende të rajonit, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria.
Qëllimi kryesor i paketës do të jetë rigjallërimi dhe rritja ekonomike në rajon, i cili po vuan pasojat më të mëdha nga kriza e Eurozonës. Shumica e vendeve jo vetëm që kanë parë tkurrje të fortë të rritjes ekonomike, por tashmë po përballen me një recesion të dytë. Paralelisht, kriza ka goditur edhe financat publike duke i vënë qeveritë në rrezikun e borxheve të rritura. Këto kanë qenë arsyet se pse donatorët kanë vendosur të ndërhyjnë me një plan emergjent, i cili bazohet mbi modelin që u përdor në vitin 2009 për të mbështetur me likuiditet sektorin financiar në disa vende të Evropës Qendrore, që rrezikoheshin nga falimente masive bankash.
Këtë herë, plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme.
Në planin e veprimit është përcaktuar që të investohen rreth 20 miliardë euro në formën e kredive afatgjata për sektorin privat dhe publik, duke trajtuar fushat prioritare si energjia, mbështetje për SME-të dhe konvergjencën. Përpjekje të veçanta do të bëhen për të mbështetur mobilizimin e grandeve të BE për fondet private dhe publike. BERZH pret të investojë 4 miliardë euro për vendet në zhvillim. Mbështetja e BERZH do të përbëhet nga kreditë e kapitalit dhe financimi i tregtisë për të lehtësuar integrimin rajonal dhe rritjen e eksporteve. Kësisoj, paketa financiare mbetet një mundësi e mirë për Shqipërinë, jo vetëm për të lehtësuar sektorin ekonomik nga ndikimi i krizës së eurozonës, por edhe për të injektuar kapitale të reja në treg. Institucionet financiare shqiptare ia kanë dalë me sukses deri më tani ta mbrojnë ekonominë e vendit nga efektet e krizës së eurozonës dhe asaj të vendeve fqinje.
Paketa e financimit 30 miliardë euro
BEI ka rënë dakord për të kryer një investim minimum prej 20 miliard euro. Kjo mbështetje do të përbëhet kryesisht nga kreditë afatgjata për sektorin privat dhe publik, duke trajtuar fushat prioritare si energjia dhe SME-të. BERZH pret të investojë 4 miliardë euro.
Fondi do të përbëhet nga kreditë e kapitalit, dhe financimin e tregtisë për të lehtësuar integrimin rajonal dhe rritjes së eksportit. Investimet e BERZH-it synojnë ristrukturimin ekonomik. Ndërsa Banka Botërore do të investojë me rreth 6.5 miliardë euro, duke përdorur të gjitha instrumentet për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomive të vendeve në zhvillim në pothuajse të gjithë sektorët që hasin probleme me financimet
Mbështetja financiare për 18 vendet e Evropës Juglindore
Mbështetja financiare do të jepet për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Bullgarinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Estoninë, Maqedoninë, Hungarinë, Kosovën, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.
Sipas raportit, këto vende ende përballen me sfida të rëndësishme, duke përfshirë ndikimin e vazhdueshëm të problemeve në Eurozonë.
Rifillimi dhe konsolidimi i rritjes është i domosdoshëm për këto ekonomi për të ngushtuar hendekun në standardet e jetesës me tregjet e BE-së.