E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletëpalosje, takime derë më derë për 8 marsin

01/03/2011  Protesta, deputetet socialiste marrin orintimet nga lidershipi socialist

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me ligjvënëset socialiste në funksion të protestës që pritet të organizojë kjo parti më 8 mars, ku do të kërkojë largimin e qeverisë “Berisha”. Kështu, duke qenë se socialistët kanë njoftuar publikisht për organizimin e një manifestimi në Ditën e Gruas kundër kryeministrit Sali Berisha, mbetet që gjatë këtyre ditëve ato të merren me përgatitjet për një protestë të tillë. Në këtë mënyrë, ka qenë vetë Rama që thirri në një takim të gjitha deputetet e grupit parlamentar të PS-së për tu dhënë orinetimet kryesore mbi këtë organizim. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se me qëllim mbarëvajtjen e kësaj proteste lidershipi socialist ka ideuar një plan konkret mbi hapat ku do të përqendrohet ky organizim, që nga nisja deri në mbyllje të tij. Kësisoj, ndër kërkesat e para të Ramës për deputetet socialiste mësohet të ketë qenë pikërisht pjesëmarrja sa më e gjerë e grave nga të gjitha rrethet, përfshirë këtu dhe kryeqytetin. Për këtë arsye që sot grupet e punës do të nisin takimet derë më derë për të shpërndarë fletëpalosjet, përmes të cilave ftojnë të gjitha gratë që të mblidhen në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e kreut të qeverisë “Berisha”. Po kështu pritet që në Tiranë dhe në rrethet kryesore të vendit të zhvillohen takime në formë

fushate sensibilizuese, përmes të cilave përfaqësueset socialiste të bëjnë të qartë mesazhin që do të përcillet në protestën e 8 marsit. Në këtë tubim, ku do të jenë pjesëmarrëse vetëm gratë, pritet të mbahen fjalime të ashpra dhe kritike ndaj qeverisë dhe kreut të saj. Ndërkohë që prej ditësh lidershipi socialist ka zgjedhur që të gjitha deklaratat kundër keqqeverisjes të bëra nga selia rozë të përfaqësohen nga figura e grave.

Kandidaturat

Deputetët e PS-së, të ndarë sipas qarqeve, kanë zhvilluar dje takime të veçanta me kryetarin socialist Edi Rama dhe sekretarin për pushtetin vendor pranë Asamblesë Kombëtare, Bashkim Fino, ku kanë diskutuar mbi kandidaturat për zgjedhjet lokale të 8 majit. Edhe pse një pjesë e këtyre kandidaturave kanë ardhur në qendër, sërish në disa zona shfaqen probleme për shkak të pakënaqësive që janë krijuar në përzgjedhjen e tyre.

Reagimi e Kodhelit

“Pavërtetësia e akuzave, Berisha sulmon Ina Ramën”

Deputetja e PS-së Mimi Kodheli reagoi dje ndaj deklaratave të ardhura nga kampi blu, i cili shigjetoi ashpër kryeprokuroren Ina Rama. “Si mundet burri i një gruaje dhe babai i një vajze, fatkeqësisht kryeministër i këtij vendi në mes të Europës, të organizojë një fushatë të përditshme linçimi publik kundër një gruaje në detyrë si Ina Rama? E quajti në fillim me gojën e tij me një fjalë që se përmban edukata qytetare”, - vlerësoi Kodheli gjatë fjalës së saj. Sipas deputetes socialiste, “Berisha vazhdon duke nxjerrë përditë shërbëtorët e oborrit të pushtetit të tij me një fjalor që nuk fyen thjesht zonjën Ina Ramën, por çdo grua, çdo vajzë, çdo porosi të traditës shqiptare e çdo normë të kulturës europiane. Nëse prokurorja e përgjithshme nuk bën siç do Saliu, fajin e ka Saliu, jo Ina Rama”. Në vlerësimin e Kodhelit, nëse prokurorja e përgjithshme heton vrasjet e 21 janarit, fajin e ka Saliu, jo Ina Rama. “Nëse nuk ka e smund të ketë asnjë provë që provon shpifjet e intrigat e Saliut për liderin e opozitës, fajin e ka përsëri Saliu”, - u shpreh ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›