Fletët e votimit, Zguro: “KQZ-ja duhet të zbatojë Kodin Zgjedhor”
Eljona Ballhysa
“Komisioni Qendror Zgjedhor do të zbatojë Kodin Zgjedhor për fletët e votimit”. Kështu është shprehur dje anëtari i këtij institucioni, Klement Zguri, i cili e cilësoi shqyrtimin e kësaj çështjeje nga ana e KQZ-së se i ka kapërcyer të gjitha afatet kohore. Deklaratat e Zgurit nënkuptojnë se KQZ-ja, në mbledhjen e datës 29 dhjetor, do të miratojë djegien e fletëve të votimit në zbatim të nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Në këtë nen parashikohet se fletët e votimit asgjësohen nga KQZ-ja menjëherë pasi hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Por kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor kundërshtohet me forcë nga Partia Socialiste, e cila kërkon që fletët e votimit të mos digjen deri në fund të hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Qëndrimi
“Më 29 dhjetor, Komisioni Qendror Zgjedhor do të shqyrtojë vendimin për fletët e votimit. Kjo është një kërkesë ligjore dhe një procedurë, e cila duhet të ishte realizuar me kohë. Pra, Komisioni Qendror Zgjedhor ka tejkaluar çdo afat ligjor në shqyrtimin e kësaj çështjeje”, - është shprehur Zguri, ndërsa theksoi se KQZ-ja do të respektojë Kodin Zgjedhor përsa i përket fatit të fletëve të votimit. Ky ka qenë qëndrimi i kahershëm i përfaqësuesve të maxhorancës në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Pak kohë më parë, kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani, tha se fletët dhe kundërfletët e votimit do të digjen, pavarësisht arritjes apo jo të një marrëveshjeje politike. “Në rast se do të nisë puna për pastrimin e kutive, rrjedhja e punës do të jetë ajo që parashikon Kodi Zgjedhor. Në rast se do të vendoset për t’u hapur dhe ripërdorur, do të digjen fletët dhe kundërfletët e votimit dhe do të shkojnë në Arkivin e Shtetit dokumentacionet që janë për të shkuar në Arkivin e Shtetit. Rastet hipotetike në rast se një komision i mundshëm hetimor do të fillojë punën, do të vendoset sipas përcaktimeve ligjore dhe sipas vendimmarrjes në KQZ. Nuk mund të ketë marrëveshje politike që vjen në kundërshtim me ligjin”, - është shprehur kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani.
Kërkesa e PS-së
Ndërkaq, Partia Socialiste, në kërkesën e saj të depozituar në Kuvend, ka bërë të ditur se nuk ka hequr dorë nga kërkesa për mosdjegien e këtyre fletëve. Në këtë draft PS-ja nuk i referohet nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që parashikon djegien e fletëve të votimit sapo të hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Në kërkesën e tyre socialistët i referohen nenit 119, i cili bën fjalë për futjen në zarf të fletëve të votimit. Por, neni 119 bën fjalë për nxjerrjen e rezultatit nga grupi i numërimit të votave, atëherë kur në fakt procesi i ankimimeve në KQZ ende nuk ka filluar. Në rastin e parë, te neni 178, paragrafi 6, parashikohet se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, materialet zgjedhore shkojnë në Arkivin e Shtetit dhe fletët e votimit digjen. Socialistët, në kërkesën e tyre të re vijojnë ta përjashtojnë këtë nen dhe aty flasin për fletët e votimit, në kuptim të nenit 119, pika 3, i cili parashikon futjen e tyre në zarf. Një procedurë normale kjo para përfundimit të procesit zgjedhor nga të gjitha shkallët, deri te Kolegji Zgjedhor i Apelit, por jo normale, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. “Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, do të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3, të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat ngarkohet KQZ-ja t’i ruajë dhe t’i vendosë në dispozicion të komisionit hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej komisionit”, - shkruhet në draftin e PS-së.
Seanca e së hënës do të vendosë për komisionin hetimor për zgjedhjet
Ditën e hënë deputetët e Kuvendit do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, që do të jetë e fundit për vitin 2010. Në këtë seancë pritet të vendoset nëse do të ngrihet apo jo komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse Partia Socialiste ka më shumë se një vit që kërkon ngritjen e këtij komisioni, palët ende nuk kanë arritur në një marrëveshje konsensuale. Edhe seanca e fundit parlamentare dështoi në arritjen e një kompromisi mes palëve. Ndërkaq, është vendosur që përfaqësues nga të dyja partitë politike do të vazhdojnë të zhvillojnë negociata, megjithëse kompromisi duket ende larg. Partia Demokratike kërkon që KQZ-ja të hapë kutitë dhe materialet zgjedhore t’i dërgojë në Arkivin e Shtetit, dhe që aty mund t’i marrë komisioni hetimor. Kjo kundërshtohet nga Partia Socialiste, e cila kërkon që materialet t’i marrë direkt nga kutitë dhe që kutitë të mos preken më parë. Për këtë pikë u zhvilluan negociata të njëpasnjëshme gjatë seancës parlamentare të së enjtes nga katër juristët, Fatmir Xhafaj e Damian Gjiknuri, për PS-në dhe Ilir Rusmali e Viktor Gumi për PD-në. Edhe pse palët arritën marrëveshje për pikën 2 dhe 3 të kërkesës së PS-së, ata nuk arritën që të bien dakord për pikën e tretë të projektvendimit për materialet zgjedhore. Dy forcat politike, në draftet e përgatitura prej tyre, do të japin opsionet konkrete se si mund të zgjidhet çështja e materialeve zgjedhore, të cilat janë të parashikuara në pikën e katërt të projektvendimit. Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit e dy partive kanë shkëmbyer mesazhe të shumta për gjetjen e konsensusit. Socialistët duan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor që do të ngrihet të gjitha materialet zgjedhore duke përjashtuar fletët e votimit për të cilën maxhoranca është e prerë për të mos e pranuar. Socialistët kërkojnë që hetimi i shkeljeve të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit, sipas socialistëve të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore të cilat ngarkohet KQZ t’i ruajë dhe t’i vendosë në dispozicion të komisionit hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej komisionit hetimor të Kuvendit. Është pikërisht kjo pikë, e cila i mban palët larg në arritjen e një marrëveshjeje për ngritjen e komisionit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
27 Dhjetor 2010