Akuzat e PS-së për ministrin Ruli, Prokuroria nis hetimet
TIRANË – Task-Forca e Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës ka nisur dje verifikimin e procedurave nëse ka qenë në përputhje me ligjin kur ish-ministri i Energjetikës, Genci Ruli, ndryshoi marrëveshjen koncesionare dhe shtyu pagesën e gjobës për shoqërinë që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë. Sipas burimeve nga Task-Forca, kjo procedurë verifikimi ndiqet për të parë nëse vendimi i zotit Ruli përbën vepër penale dhe ka mundësi për çeljen e hetimeve për këtë çështje.
Nëse Task-Forca vendos fillimin e hetimeve, atëherë nis thirrja e dëshmitarëve, ku kryesori do të jetë pikërisht ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Ky i fundit, aktualisht ministër i Bujqësisë, akuzohet se në korrik të vitit 2009, vetëm dy ditë pas kërkesës së kompanisë koncesionare, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare pa e kaluar atë më parë për miratim në Kuvend, çka lehtësoi kompaninë nga gjoba prej 1.6 milionësh euro dhe detyrimet e investimeve të parealizuara.
Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria duke dyshuar aferë të dyshimtë nga ministri Ruli, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh.
U kap me armë para shtëpisë së Toni Blerit, rrezikon 5 vjet burg
Procesi ndaj Vladimir Këndellës, në prag të përfundimit. Vendimi jepet në janar
Këndella rrezikon 5 vjet burg. Qëlloi me armë para shtëpisë së Blerit
LONDËR – Shqiptari, azilkërkues në Britaninë e Madhe, i cili u kap me armë para shtëpisë së ish-kryeministrit Toni Bler, rrezikon pesë vjet burg. E përditshmja britanike “Daily Mail”, ka bërë të ditur detajet e procesit gjyqësor ndaj Vladimir Këndellës, i cili pret vendimin në janarin e vitit të ardhshëm. Vladimir Këndella u kap pak kohë më parë, vetëm pak metra larg shtëpisë së ish-kryeministrit. Emigranti me origjinë shqiptare ia ka dalë mbanë që të hidhte armën në tokë përpara se të arrestohej, por më vonë arma është gjetur nga një fqinj i tij, i cili ishte duke nxjerrë qenin në shëtitje kur ka parë pistoletën. Tre lloje të tjera armatimesh janë zbuluar në banesën e Këndellës një ditë pas arrestimit të tij. E gjitha kjo ka ndodhur një vit më parë, më 12 dhjetor, kur Këndella, gjatë një udhëtimi është përplasur me mjetin e tij me një pikë karburanti, por pa shkaktuar dëme të mëdha. Policia, gjatë ndalimit dhe kontrollit që i ka bërë makinës së tij ka zbuluar që ai ishte pa sigurime. Në momentin e parë që është ndaluar nga policia ai u ka dhënë atyre një emër të rremë dhe është arrestuar në vend. Duke menduar se kishin bërë një ndalesë të thjeshtë për shkelje të rregullave të qarkullimit, dy policët e kanë dërguar të arrestuarin pranë pikës së karburantit, duke mos qenë në dijeni të faktit që shqiptari mbante një pistoletë në kruskotin e makinës së tij. Pika e karburantit ndodhej vetëm pak metra larg shtëpisë së ish-kryeministrit Toni Bler. Të pandehurit i janë gjetur 600 paund në xhep dhe një patentë, e cila, sipas tij, ishte e të dashurës së tij portugeze. Gjatë fjalës në gjyq, Këndella ka deklaruar se plumbat që janë gjetur në shtëpinë e tij mund të ishin të personit që i ka shitur makinën, pasi ky i fundit kishte ndaluar një ditë në shtëpinë e shqiptarit për të pirë. Këndella ka deklaruar se edhe arma ishte e personit që kishte makinën dhe që asnjëherë nuk ka pasur qëllim të përdorë armën dhe plumbat për të lënduar njeri. Ndaj tij ka mbaruar procesi dhe është dënuar me pesë vjet burg.
Deti me dallgë shkakton kaos në linjat e trageteve
DURRËS – Deti me dallgë është bërë shkak për bllokimin e qindra emigrantëve shqiptarë në Portin e Barit në Itali. Sipas kapitenerisë së Portit të Durrësit, shumica e trageteve kanë pasur vonesa disaorëshe gjatë ditës së djeshme, ndërsa emigrantët nga Shqipëria e Kosova kanë pritur me orë të tëra në Portin e Barit. Në mesditën e së hënës në Durrës kanë mbërritur tre tragete me disa orë vonesë, ndërsa rasti i veçantë ka qenë ai i tragetit “Rigel”, i cili është ankoruar me plot pesë orë vonesë në bregdetin shqiptar. Sipas të dhënave më të fundit, me këto mjete lundruese kanë mbërritur 8 mijë qytetarë, ndërsa nga Porti i Durrësit kanë dalë rreth një mijë qytetarë.
Situata paraqitet e normalizuar pasi janë marrë masat për shtimin e sporteleve duke bërë të mundur fluksin e emigrantëve. Agjencitë e udhëtimit dhe të transportit detar konfirmojnë se për javën e ardhshme janë prenotuar 17 mijë bileta nga emigrantë që pritet të kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.
Vetëdorëzohet autori që vrau 31-vjeçarin për të dashurën
TIRANË – Vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës shtetasi i shpallur në kërkim, Besmim Uka, i vënë nën akuzë për vrasjen me thikë të shtetasit Edmond Mullai, nga fshati Gjashtë i Sarandës. Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet i vetëdorëzuari ka ndodhur më 19 dhjetor 2010 në qytetin e Sarandës, ku Besmir Uka ka qëlluar me thikë Edmond Mullain. Hetimet e policisë kanë nxjerrë në pah se fillesat e ngjarjes kanë qenë disa ditë më parë, kur një mik i 23-vjeçarit Uka ka ngacmuar të dashurën e Edmond Mullait. Kjo e fundit punonte në një kazino në qytetin e Sarandës, ndërkohë që 23-vjeçari dhe shoku i tij shkonin për të luajtur. Ngacmimi i është bërë i ditur edhe Mullait, i cili e ka takuar djaloshin dhe ia ka bërë të qartë që nuk duhet të ngacmonte të dashurën e vet, me të cilën bashkëjetonte. Mbrëmjen e 19 dhjetorit, pasi ka shkuar në kazino, Uka ka fyer edhe vajzën 20-vjeçare pasi ka mësuar se kjo e fundit kishte rrëfyer për ngacmimin e bërë. Si rrjedhojë, vajza ka marrë të dashurin në telefon dhe Mullai nuk ka ngurruar të mbërrijë në punën e saj. Pasi ka çuar të dashurën në shtëpi, ai ka marrë 3-4 shokë të tij dhe është rikthyer në kazino, ku pasi e ka nxjerrë jashtë 23-vjeçarin, kanë filluar të debatojnë njëri me tjetrin, debat që ka përfunduar në dhunë fizike. Pasi janë rrahur me grushte, Besmir Uka ka nxjerrë një thikë, të cilën e mbante me vete dhe me të ka qëlluar Mullain. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 31-vjeçari nga fshati Gjashtë ka gjetur vdekjen.
Aksidenton për vdekje 50-vjeçarin, zhduket drejtuesi i mjetit
LAÇ - Një shtetas 50-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet ende i paidentifikuar, në aksin rrugor Laç-Patok. Gjithçka ndodhi dje, në afërsi të fshatit Gurrëz, ku makina goditi Kol Gjonin, duke e lënë të vdekur në vend. Makina mësohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë, por banorët e zonës kanë gjetur trupin e pajetë dhe kanë njoftuar uniformat blu të Kurbinit. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të bërë identifikimin e makinës dhe drejtuesit të mjetit.
27 Dhjetor 2010