Krishtlindjet zbusin klimën politike, zgjidhja e krizës, ende larg
Festa e Krishtlindjeve ka zbutur dje tonet e deklaratave të politikanëve shqiptarë, të cilët kanë gjetur rastin t’i urojnë shqiptarët për më shumë dashuri e harmoni. Por më optimiste ishin deklaratat e krerëve të maxhorancës, të cilët i kanë vlerësuar këto Krishtlindje më të bukura për shqiptarët për shkak se këtë vit të gjithë qytetarët e këtij vendi kanë të drejtën e lëvizjes së lirë. Edhe këtë ditë, si kryeministri Berisha, ashtu edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë vlerësuar meritat e qeverisë në realizimin e reformave për arritjen e liberalizimit të vizave. Ndërsa presidenti Topi, gjatë urimit të tij, ka vënë theksin se kjo dite feste jep mesazhin e harmonisë, të marrëveshjes dhe të uljes së tensioneve.
Lideri i opozitës, Edi Rama, megjithëse ka zbutur tonet e ashpra, sërish është shprehur se këto Krishtlindje e gjejnë vendin në një situatë të vështirë, por, sipas Ramës, shqiptarët do të gjejnë kurajën për ta kapërcyer këtë situatë.
Urimet
Me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, vizituan selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku u pritën nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos dhe më pas Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku u mikpritën nga arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit u përcolli, përmes mediave, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë, kudo që ndodhen, urimet më të sinqerta e të përzemërta. “Gëzuar të gjithëve! Në mënyrë të veçantë besimtarëve të krishterë, të cilët sot kanë festën. Një festë shumë e bukur, sikurse është festa e Krishtlindjeve! Një festë që të inspiron më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë harmoni. Besoj sot, ka më shumë mesazhe për paqe, për qetësi, por besoj që mesazhi që vjen natyrshëm për shoqërinë tonë është: më pak tension, më shumë mirëkuptim, më shumë marrëveshje, sepse gjërat e mira bëhen së bashku dhe gjërat e mira, natyrisht që bëhen kur jemi në harmoni, siç ndodh në familje”, - është shprehur Topi.
Edhe kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, vizitoi dje Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Katedralen e Shën Palit, si dhe Kishën Ungjillore Protestante në Tiranë. Në urimet drejtuar besimtarëve të krishterë, ortodoksë, të krishterëve ungjillore, por edhe të gjithë shqiptarëve, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e kësaj feste të bukur në historinë e njerëzimit, ditës së lindjes së Krishtit. “Kjo ditë i bashkon njerëzit, pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e së ardhmes”, - u shpreh Berisha, ndërsa shprehu kënaqësinë që këtë vit shqiptarët i festojnë Krishtlindjet më të lirë dhe më me dinjitet se kurrë, në historinë e tyre, pasi ata mund të lëvizin lirshëm në mbarë Europën, njësoj si të gjithë qytetarët e këtij kontinenti. “Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të zonës së Shengenit, që me vendimin e tyre për heqjen e vizave, u bënë shqiptarëve kartolinën dhe urimin më të bukur për Krishtlindje dhe Vitin e Ri”, - tha kryeministri. Një urim të veçantë, kryeministri Berisha bëri për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura, të cilët e kremtojnë këtë ditë në rrethana të vështira. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vizitoi dje katedralen e Shën Palit, në fjalën e saj tha se ishte shumë e lumtur që festat e këtij fundviti përkojnë me një ngjarje të rëndësishme, siç është heqja e vizave. “Edhe njëherë dua t’i uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Malin e Zi dhe në vendet e tjera: Gëzuar Krishtlindjet! Jam shumë e kënaqur që këto festa përkojnë me data të shënuara për vendin tonë, me ditë të bukura për vendin tonë, me ngjarje që kanë lidhje personale, që kanë impakt personal te çdo qytetar shqiptar: me heqjen e vizave. Unë u uroj të gjithë shqiptarëve ta gëzojnë këtë dhuratë të bukur të Krishtlindjeve dhe të merituar prej tyre”, - tha kryetarja e Kuvendit.
Festën e Krishtlindjeve ua ka uruar besimtarëve katolikë dhe ortodoksë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Kreu i PS-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Linda Rama, vizitoi dje paradite Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Menjëherë pas vizitës Rama përcolli dhe mesazhin e urimit për të gjithë shqiptarët. “Këtë vit Krishtlindjet e gjejnë Shqipërinë në vështirësi, por Krishtlindjet sjellin mesazhin e dashurisë dhe forcës për të përballuar. E ardhmja më e mirë në një ditë të afërt”, - nënvizoi Rama duke shtuar se do të gjejmë forcën për të kaluar situatën.
Box
Topi: “Besoj se sot ka më shumë mesazhe për paqe, për qetësi, por besoj që mesazhi që vjen natyrshëm për shoqërinë tonë është: më pak tension. Më shumë mirëkuptim, më shumë marrëveshje, sepse gjërat e mira bëhen së bashku”.
Berisha: “Kjo ditë i bashkon njerëzit, pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e Së ardhmes. Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh qeverive të vendeve të zonës së Shengenit”.
Topalli: “Jam shumë e kënaqur që këto festa përkojnë me data të shënuara për vendin tonë, me ditë të bukura për vendin tonë, me ngjarje që kanë lidhje personale, që kanë impakt personal te çdo qytetar shqiptar: me heqjen e vizave”.
Rama: “Këtë vit Krishtlindjet e gjejnë Shqipërinë në vështirësi, por Krishtlindjet sjellin mesazhin e dashurisë dhe forcës për të përballuar. E ardhmja më e mirë do të vijë në një ditë të afërt”.
Krishtlindjet, Rama shtron drekë për familjet në nevojë
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës ka shtruar drekë për 200 persona në nevojë. Dreka u organizua në sheshin te “Partizani i panjohur”, ndërsa kryebashkiaku Rama ishte i pranishëm bashkë me bashkëshorten e tij Linda, për të uruar nga afër besimtarët në këtë ditë të shënuar. “Përmes këtyre festimeve të përbashkëta ne duam t’u themi se u jemi pranë, se jemi të vetëdijshëm për gjendjen e tyre dhe se kjo vetëdije na shtyn që të bëjmë çdo ditë përpjekjet tona për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën e tyre, duke lehtësuar sado pak dhimbjet, hallet dhe problemet e panumërta që ju dhe ata si ju kanë”, - deklaroi gjatë fjalimit të tij kryebashkiaku Rama.
27 Dhjetor 2010