E Diel, 1 Nëntor 2026

Florenc Doka merr zyrtarisht detyrën si kryetar i Bashkisë së Cërrikut

Florenc Doka mori sot zyrtarisht detyrën si kryetar i Bashkisë së Cërrikut, pas betimit të bërë në mbledhjen e këshillit bashkiak, sipas Kushtetutës, për fillimin e mandatit të ri.

Ceremonia e organizuar me këtë rast u zhvillua në prani të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe këshilltarëve bashkiakë.

Ministri Salla, në një postim në rrjetet sociale, shprehu bindjen se Doka do të jetë një kryebashkiak për të gjithë qytetarët, duke punuar me përkushtim dhe përgjegjshmëri.

“Jam i bindur se Florenci do të vazhdojë rrugën e nisur për më shumë investime dhe zhvillim për çdo familje të Cërrikut, në rrugën tonë të pandalshme drejt familjes së madhe europiane”, u shpreh Salla.

Në fjalën e tij pas marrjes së detyrës, Doka e cilësoi momentin si solemn dhe emocionues, duke theksuar përgjegjësinë e madhe që merr përsipër ndaj çdo banori të bashkisë.

“Jam thellësisht mirënjohës për besimin që më keni dhënë. Ju siguroj se do të punoj me përkushtim, transparencë dhe ndershmëri, çdo ditë, në shërbim të komunitetit tonë. Së bashku do të ndërtojmë një bashki më të zhvilluar, më funksionale dhe më pranë njerëzve”, tha ai.

Florenc Doka u shpall fitues në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, duke marrë 6201 vota. Kundërshtarët e tij, Eligert Hima i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” mori 1275 vota, ndërsa Amarildo Hoxha, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, mori 1888 vota.

Me marrjen e detyrës, Doka nis zyrtarisht mandatin e tij si kryebashkiak i Cërrikut, duke premtuar se do të punojë çdo ditë për zhvillimin e qytetit dhe mirëqenien e banorëve.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›