Flori dhe Argjend Lloga, pas dy vitesh mungesë rikthehen me një klip
Dy vëllezërit e njohur Flori dhe Argjend Lloga kanë vendosur të rikhehen sërish në tregun muzikor shqiptar me një klip të ri pas dy vitesh mungesë. Ata do të vijnë në Tiranë për disa ditë për të realizuar xhirimet e një klipi të ri me muzikë popullore, në bashkëpunim me kompozitorin Gramoz Kozeli. Ky do të jetë dhe një takim i vëllezërve në Tiranë, pasi Flori jeton në Kaliforni (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) ndërsa Argjendi jeton në Maqedoni. Videoklipi i ri do të jetë disi i thjeshtë dhe xhirimet do të realizohen vetëm në një ambient, ndryshe nga klipet e mëparshëm shumë të nxehtë. Vëllëzërit këngëtarë, të cilët gjatë këtyre viteve kanë bërë karrierë më se shumti në Kosovë kanë vendosur që kësaj here të sjellin një kolazh me këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. Ata janë bërë të njohur vitet e fundit në tregun muzikor shqiptar me këngët e tyre sa baladë aq edhe të nxehta verore, ku përveç gjetjes dhe muzikës së veçantë binte në sy luksi në klipet e tyre. Atmosferë elektrizuese dhe femrat sexy kanë tërhequr vëmendjen në klipet e Flori dhe Argjend Llogës. Edhe pse ata jetojnë larg Tiranës, nuk e mohojnë që suksesin e tyre të vërtetë e njohën këtu. Ata hynë me bujë në tregun shqiptar të muzikës, ndërkohë që kishin realizuar katër albume më parë. Hit-et e tyre i kanë realizuar në bashkëpunim me kompozitorin Genti Lako, ku veçohen; “Loti i verbër”, “Vajzat”, “Kalimtari i dashurisë”, “Njëri qesh dhe tjetri qan”.