Gaz Paja kthehet sërish në Londër, dalja në “Portokalli” ishte një shaka
Një rol i veçantë me valixhe udhëtimi siç u shfaq të dielën e kaluar në “Portokalli” nuk ishte rastësi për Gaz Pajën, i cili pas lajmit se kishte lënë Shqipërinë, u rishfaq papritur në kabarenë e humorit në “Top Channel”. Por Gaz Paja nuk do të vazhdojë të luajë këtë javë, pasi ky rol ka qenë thjesht një dëshirë e tij për t’u rishfaqur duke surprizuar publikun, ndërkohë që kishte ardhur në Tiranë për disa ditë pushime nga Londra. Por aktori nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e spektaklit “Portokalli” këtë sezon të ri, që sapo ka nisur. I njohur më së shumti si Nasi i famshëm, ka lënë Shqipërinë përkohësisht për rrjedhojë edhe “Portokalli”-në, ndërsa ka nisur këtë vit studimet për master në Londër (Angli). Gjatë viteve të tij të pjesëmarrjes në “Portokalli” ai krijoi një galeri karakteresh, por më i spikaturi ishte personazhi i Nasit, edhe pse në realitet atij nuk i pëlqen aspak ta thërrasin me këtë emër. Përveç specializimit të mëtejshëm natyrisht që do të nisë një jetë ndryshe në Londër. Vendimi që aktori 31 vjeçar ka marrë për bërë një pushim në karrierën e tij artistike ndoshta do të zgjasë një vit. Arsyeja pse ai ka vendosur të shkojë në Londër ka qenë shoqëria e vjetër e aktorit, që e kanë nxitur të zhvendoset atje, ku ata jetojnë prej vitesh dhe ku Gazi do ta ketë më të lehtë përshtatjen e nuk do ndihet aspak i vetmuar. Ishin pikërisht shokët që një vit më parë i përgatitën një surprizë më 27 shtator me rastin e ditëlindjes, duke i organizuar një festë të papritur në një nga klubet e natës në Tiranë. Në festën ku nuk munguan prindërit e aktorit, nëna dhe i ati, aktori i njohur Luftar Paja, kolegët e tij, pothuaj pjesa e më e madhe e aktorëve të “Portokalli”-së e gdhinë deri në orët e para të mëngjesit me muzikë, humor, balerina, e shumë aheng. Gaz Paja e ka nisur karrierën si aktor që në fëmijëri me role në filma artistikë, ndërsa u bë i njohur pas daljes së tij në spektaklin e humorit “Portokalli”, me kthimin e tij nga studimet për dramaturgji në Athinë (Greqi). Nuk dihet nëse pas përfundimit të studimeve pasuniversitare ai do t’i rikthehet “Portokallisë”, por duket se largimi për pak kohë ka qenë një dëshirë e tij për të pushuar pak, edhe pse është në kulmin e karrierës.