Fluks në dogana, emigrantët kthehen në vendet e punës

Vijon fluksi i emigrantëve shqiptarë të cilët kthehen në vendet e tyre të punës në shtetin fqinjë Greqi pasi kanë kaluar pushimet në atdhe.
Burime zyrtare nga doganat Kakavijës dhe Kapshticës, kanë bërë të ditur, se gjatë 24 orëve të fundit, ka patur një fluks të konsiderueshëm të emigrantëve të cilët kalojnë për në shtetin helen.
Kështu gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kakavijë si dhe Pikës Kufitare të Tre - Urave Çarshovë Përmet kanë dalë 5.340 persona si dhe 1.377 automjete ndërsa kanë hyrë në tokën shqiptare 3.336 persona si dhe 875 automjete.
Mësohet se nga pala shqiptare në dalje gjatë ditës së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit është punuar me 6 sportele në dalje dhe 3 në hyrje ndërsa nga pala greke punohet me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje .
Gjatë 24 orëve të fundit në doganën e Kapshticës kanë dalë 5198 persona dhe 1380 automjete ndërsa kanë hyrë 3361 persona dhe 952 automjete.
Ndërkohë deri në këto momente, nuk janë vërejtur probleme në punën në dogana dhe lëvizja vijon pa krijuar radhë apo vonesa.