E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluksi emigrator nga Tunizia Italia kerkon ndihmen e BE-se

Pa Europën Italia nuk mund t’i bëjë ballë situatës. Përballë vërshimit të refugjatëve tunizianë në ishullin mesdhetar Lampedusa, qeveria italiane ka kërkuar ndihmën e BE-së. Ministri i Brendshëm Roberto Maroni kërkoi nga Komisioni angazhimin e agjencisë për mbrojtjen e kufijve FRONTEX si dhe mbështetje financiare prej 100 milionë eurosh.

Sipas tij më këtë ritëm priten  rreth 80 mijë emigrantë të paligjshëm. Kryeministri italian Silvio Berlusconi tha se bëhet fjalë për një emergjencë, që prek gjithë BE-në ndërsa sipas Maronit nevojitet një plan i përbashkët i Bashkimit Europian për t’i bërë ballë situatës.

“Kërkova  dhe besoj se është themelore që Europa në nivelet e saj më të larta domethënë krerë shtetesh e qeverish të hartojë një strategji, të ndërmarrë një iniciativë e të ndërmarrë një aksion diplomatik të fortë ndaj këtyre vendeve të prekura nga fenomene të tilla” tha Maroni.

Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini mbërriti për një vizitë në Tunizi, ku do të bisedojë me kryeministrin tunizian Mohammed Ghannouchi për zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Më parë në Tunizi ishte edhe e ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme Catherine Ashton, e cila i premtoi qeverisë kalimtare një ndihmë emergjente prej 17 milionë eurosh. Për shkak të krizës ekonomike në Tunizi, ditët e kaluara më shumë se 5000 tunizianë kanë mbërritur në ishullin italian Lampedusa. Që prej ditës së hënë në ishull nuk kanë mbërritur migrantë të tjerë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›