Fluksi,hapen 23 sportele
DURRES - Arrin në 23 numri i sporteleve të përpunimit të pasagjerëve dhe të mjeteve në Portin e Durrësit, por duket se edhe kjo masë nuk mjafton për të parandaluar radhët e gjata. Porti më i madh i vendit ka nisur të përballet me fluksin e emigrantëve në ikje, të cilët kthehen në vendet e tyre të punës. Numri mesatar ditor i udhëtarëve që dalin nga Porti i Durrësit arrin deri në 12 mijë, ndërsa i automjeteve në 2500. Fluksi më i madh paraqitet në orët e vona, ku dhe radhët janë më të gjata, pasi tragetet mbërrijnë 3 deri në 4 orë më vonë se orari i caktuar. Për shkak të lodhjes nga orët e pritjes, një pjesë e pasagjerëve kanë preferuar të presin tragetin në terminalin e përkohshëm të pasagjerëve, ndërsa pjesa tjetër jashtë në sheshin e trageteve. Për këtë arsye udhëtarët e kanë cilësuar imbarkimin në tragete shumë të vështirë në Portin e Durrësit, duke thënë se kjo prish planet e udhëtimit të tyre, pasi ata duhet të kthehen në ditën dhe orën e caktuar në vendet e tyre të punës. o.u