Shpërthen gazi, asfiksohen banorët
Nga zharreza, MAJLINDA RAMA
Njerëz që largoheshin me vrap nga shtëpitë e të tjerë të rrëzuar pa ndjenja. Një kaos i vërtetë ka përfshirë fshatin Zharrëz në Fier, i cili nisi në orën 12:30 për të vazhduar deri në mbrëmje. Gazi e nafta që shpërthyen nga pusi 13, që prej 7 vitesh jashtë funksioni, mbuluan fshatin. Tragjedia ka qenë një hap larg, pasi një provokim i vogël me shkrepëse apo një zjarr i afërt do të shkaktonte Gërdecin e radhës, 5 km larg Fierit.
Banorë të terrorizuar kanë dhënë alarmin kur kanë parë që e gjithë zona është mbushur me naftë dhe ambienti u mbingop me gaz. “Ishte një tmerr i vërtetë. Asnjëherë nuk kishim parë një gjë të tillë. Kemi vite që jetojmë me ndotjen e tejskajshme, por kjo e sotmja është një katastrofë e vërtetë. Kemi parë vdekjen me sy. Jemi shumë familje që nuk mund të rikthehemi pranë banesave tona, pasi ato janë mbushur me naftë dhe gaz”, tha dje Halime Hoxha, një banore e zonës. Bashkë me dhjetëra bashkëfshatarë ajo ka shoqëruar për në spitalin e qytetit të Fierit 10 banorë, të asfiksuar nga gazi. Të ndodhur në vendin e ngjarjes mund të dalloje lehtë naftën e përhapur gjithandej, ndërsa era e gazit e bënte të pamundur përshkimin e gjithë zonës në këmbë. Sapo u dha njoftimi për këtë ngjarje, të parët që u ngritën në alarm për të bllokuar rrjedhën e naftës dhe gazit ishin vetë banorët, ndërkohë që zjarrfikësit kanë mbërritur pranë pusit më vonë për të shmangur derdhjen e naftës dhe gazit në ambient. “Edhe pse u frikësuam shumë, u detyruam që me shami në hundë t’i drejtoheshim vendin ku u ça pusi për të ndalur sadopak rrjedhjen e lëndëve në mjedis. Luftuam më shumë se një orë, kur mbërritën zjarrfikësit. Erdhën vonë, pasi nafta ishte përhapur nga presioni i madh ndërkohë që nga gazi ishim më shumë të trembur”, shprehet Lumturi Dine. Banorët kanë nxituar me kova uji të lagin zonën ku nafta ishte më dominuese. Nga frika e temperaturave të larta apo e ndonjë provokimi flakësh e gjithë zona mund të shpërthente në një zjarr të fuqishëm. Lufta e banorëve me lëndët helmuese ka vazhduar për orë të tëra, ndërkohë që një pjesë e mirë e fshatit është larguar nga vendi ku ndodhi shpërthimi, për të gjetur një vend më të sigurt për të futur kokën. “Ne Albpetroli-n e pushtetin vendor kemi tre vjet që e kemi lajmëruar për këtë situatë. Edhe shoqata të huaja e kanë parë se çfarë është bërë dhe gjithçka e kanë lënë si më parë. Këtu është bërë një punë e keqe dhe çdo gjë bie në kurrizin tonë. Shtëpitë ku banojmë tani janë më shumë se 100-vjeçare, ata erdhën shpuan pusin këtu dhe tashmë na vënë edhe jetën në rrezik”, akuzojnë banorët.
Naftë bruto e përhapur kudo, gaz që shpërthen nga të gjitha anët. “Presioni i madh i naftës bruto që del nga pusi, shkoi shumë larg. E kam ndërtuar shtëpinë vetëm pak kohë më parë. Harxhova shumë për të lyer godinën. Por është e tmerrshme të shikosh shtëpinë tënde të kthehet në një pus nafte dhe të mos dalësh dot prej saj nga frika se mos asfiksohesh nga gazi. Bashkë me dy fëmijët mbyllëm gjithë dyert e dritaret dhe qëndruar brenda në shtëpi. Jashtë kishim frikë se mos mbyteshim nga gazi, e ndërsa brenda na hyri paniku i ndonjë zjarri të mundshëm”. Në vendngjarje kanë mbërritur rreth 300 forca të policisë dhe zjarrfikëse, të cilët kanë bërë ç’është e mundur për të bllokuar vazhdimin e shpërthimit të gazit. Pas 1 orë u duk se gjendja u përmirësua, por rreth orës 18:00, nga pusi ka nisur sërish të dalë gaz. Banorët treguan mbrëmë se ndonëse sasia është më e vogël, ata kanë frikë të qëndrojnë në shtëpi.
Shtëpinë vetëm 4 metra larg, i asfiksuari rrëfen panikun
Lefter Dine jeton vetëm 4 metra larg pusit që shpërtheu dje. Ai tregon momentet kur u mbuluan nga gazi, deri në asfiksim.
Jeni një ndër të prekurit nga gazi që shpërtheu fare pranë shtëpisë suaj. Çfarë ndjetë në ato momente?
Fillimisht dëgjova një zhurmë të fortë që vinte nga fare pranë shtëpisë. Mendova se shpërtheu një bombol gazi, pasi dhe era ishte e tillë. Dola në dritare, kur ç’të shikoje. Nafta kishte shpërthyer gjithandej, sa që edhe xhami i dritares ishte veshur me naftë. Jemi tromaksur. Nuk dilnim dot nga shtëpia.
Kush tjetër ndodhej në shtëpi me ju?
Ishim të gjithë në shtëpi. Nëna ime, dy fëmijët dhe gruaja ishin duke parë televizor, ndërsa unë ndodhesha në kuzhinë duke ngrënë bukë. Kur pashë nga dritarja se çfarë po ndodhte, u alarmova dhe bërtita. Ishte e pamundur të dilje nga shtëpia dhe brenda pak sekondave dhoma u mbush me një erë mbytëse.
Si i përjetuat ato çaste?
U frikësuam pa masë. Bashkë me gruan morëm fëmijët dhe me shpejtësi shkuam në shtëpinë e vëllait, pasi edhe dy vajzat e tij ishin duke luajtur jashtë. I mora dhe ato, ndërkohë që me vrap i drejtova për te makina, por nuk munda. Aty u rrëzova përtokë pasi më ra të fikët. Ndjeva vetëm që fëmijët mu larguan nga dora dhe i mori një fqinja jonë. Më pas mu errësua gjithçka. Kur u zgjova e pashë veten të shtrirë në spital. Një mjek më kishte vendosur serumin, ndërkohë që kisha bërë dhe dy tri gjilpëra më parë. Te koka kisha vajzën e vogël që qante, ishte trembur shumë. E kisha në krahë kur më ra të fikët dhe ndaj ishte më shumë e traumatizuar.
Dyshimi, heqja e saraçineskës shkaktoi shpërthimin e pusit
Shpërthimi i pusit të naftës në Zharrëz të Fierit, që rrezikoi jetën e disa banorëve, mund të ishte shmangur.
Një banor i zonës, i cili kërkoi të mos identifikohej, bëri të ditur se kjo nuk do të ndodhte nëse në procesin e rivënies së pusit në punë do të zbatoheshin të gjitha rregullat e caktuara teknike.
Sipas tij, në pus mungonte saraçineska që shërben për bllokimin e naftës. “Bënë punimet e rikonstruksionin dhe nuk kanë vendosur saraçineskën që shërben për mbylljen e naftës”, pohoi banori, i cili është ish-punonjës i ndërmarrjes së naftës. Ai u shpreh se megjithë kërkesat e njëpasnjëshme për riparimin e saraçineskës, specialistët e “Albpetrol”-it nuk kanë bërë asgjë, duke lënë situatën të degradojë deri në këtë pikë, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të Zharrëzës. Prej ditës që po punohej për rivënien e pusit në punë, sipas banorit nuk është bërë për të ruajtur gjendjen teknike të tij. “Punonjësit e sotëm punojnë jashtë rregullave më minimale. Po të ishte saraçineska e preventorit aty, nuk kishte asnjë mundësi që të plaste gazi”, sqaroi ai. Ky është një ndër dyshimet mbi të cilën po punohet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit, ndonëse nuk konfirmohet nga burime zyrtare të “Albpetrol”-it.
Specialistë të ndryshëm pohuan dje se shpërthimi në pus ka ardhur pas ndërhyrjeve që janë bërë në të për ta kaluar nga një pus i fondit të ndalur në një pus në prodhim. Sipas tyre, shpërthimi i lëndës djegëse është diçka e natyrshme që mund të ndodhë gjatë shpimit të puseve në kërkim të naftës. Ata saktësuan se presioni i madh i naftës ka bërë që lënda të dalë në sipërfaqe duke çarë edhe tubacionin e pusit. Ndërsa burime pranë kompanisë “Albpetrol” bënë të ditur se në pusin që shpërtheu në Zharrëz po punohej prej pesë ditësh me qëllim pastrimin, mirëmbajtjen dhe nxjerrjen e naftës. Dita e djeshme ka qenë e fundit kur pranë pusit kanë qenë të pranishëm edhe punonjës të kompanisë. Bashkë me mjetet e tyre të punës naftëtarët kanë kryer punime në pusin e fondit të ndalur për rivënien e tij në aktivitet. Të njëjtat burime qartësuan se janë disa puse të fondit të ndaluar, rikthimi në gjendjen normale i të cilëve ka sjellë rritjen e prodhimit të naftës. “Në bazë të një plani nga kompania jonë, ne jemi munduar që të vendosim në punë shumë puse të fondit të ndalur, duke e nisur nga Patosi, Marinza, Zharrëza e disa zona të tjera, ndërkohë që nuk kemi pasur probleme të tilla. Nga vendosja në punë e këtyre puseve ne kemi rritur prodhimin në masën 70 për qind. Këto puse bëhen pas një skeme të përgatitur dhe në radhë i takonte Zharrëzës ku do të viheshin në punë edhe shtatë puse të tjerë”, pohuan burimet.
Ngresi: “Albpetrol” do hetojë shkaqet
“Albpetrol” do të bëjë analizën e situatës së djeshme, për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Në një njoftim të bërë dje pas asaj që ndodhi në Zharrëz, nëndrejtori i përgjithshëm i “Albpetrol” sh.a Vasillaq Ngresi ka bërë sqarimin e tij. “Bëhet fjalë për pusin numër 2616 në sektorin e 6, Qendra e Prodhimit të Naftës Patos. Ky është një pus aktiv i cili dhjetë ditë më parë i është nënshtruar një ndërhyrjeje remonti dhe perforimi (hapja e një shtrese më sipër Goran 3). E gjithë kjo ndërhyrje është bërë sipas rregullores teknike dhe prej tre ditësh pusi ishte futur sërish në punë. Sot rreth orës 12:00 në këtë pus ka pasur një rrjedhje masive të gazit. Me njoftimin që kemi marrë, kemi nisur menjëherë punën për eliminimin e kësaj daljeje gazi dhe rreth orës 15:00 është arritur eliminimi i plotë i tij dhe situata është plotësisht nën kontroll. Ndërkohë po merren masa në përputhje me rregulloren teknike për shmangien e ndonjë incidenti tjetër”, pohon ai. Sipas Ngresit, incidenti nuk ka sjellë të lënduar rëndë, janë shfaqur shenja të intoksikimit të punonjësve apo banorëve të zonës dhe gjendja e tyre është në përmirësim të ndjeshëm. Ai thekson se ngjarja e djeshme nuk është fenomen i rrallë në industrinë e nxjerrjes së naftës dhe gazit.