Zjarri, pranga rojës së pularisë
VLORE - Policia e Vlorës ka ndaluar dje rojen e ish-pularisë "Kamberi", si shkaktarin e zjarrit që përfshiu këtë kompleks paraditen e së enjtes. Burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar bënë të ditur ndalimin e Hekuran Mënallës, 60 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në zonën e Nartës. Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë nën akuzën e shkatërrimit të pasurisë së tjetrit pa dashje. Të njëjtat burime saktësuan se, 60-vjeçari që punonte si roje në kompleksin e pularisë, rreth orës 10:30 të së enjtes ka ndezur një zjarr për të djegur barin që ishte brenda mureve rrethuese të tij. Shumë shpejt flakët janë shpërndarë në një pjesë të konsiderueshme të zonës dhe kanë përfshirë dhe djegur dy prej kapanoneve të kompleksit. Në këto kapanone ka pasur aparatura të teknologjisë së përparuar, prodhuar vitet e fundit, të cilat janë shkatërruar plotësisht prej zjarrit. q.b