E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati i tragjedisë, në krizë për ujin

 

BERAT - Dita që fshati Hingë i komunës Poshnjë në rrethin e Beratit do të ketë ujë të pijshëm duket shumë e largët. Më shumë se një muaj nga koha kur 4 vetë në këtë fshat, pjesë e komunës së Poshnjës humbën jetën gjatë hapjes së një pusi për të siguruar ujin e pijshëm, banorët nuk shohin asnjë dritë jeshile për zgjidhjen e problemit. Të ndodhur përballë kësaj situate, ku askush nuk u jep shpresë, ata kërcënojnë se nëse nuk merren masa urgjente do të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme. Sipas banorëve, edhe pse ndodhi tragjedia ku 4 vetë mbetën të karbonizuar pasi elementi metalik i sondës më të cilën po hapnin pusin takoi në tensionin e lartë, askush nuk është kujtuar më për ta. Ata pohojnë se tragjedia e 25 korrikut në këtë fshat e ka emrin "mashtrim i pushtetarëve", të cilët sipas banorëve, në fushata elektorale kanë premtuar se do t'u ndërtojnë ujësjellës dhe pasi kanë siguruar votën nuk janë parë më në fshat. Mësohet se gjithë zona e Hingës vuan mungesën e ujit të pijshëm që prej 11 vjetësh, kohë kur është shkatërruar ish-ujësjellësi. Banorët janë shprehur se pas tragjedisë kanë pretenduar se pushtetarët do të ndërmerrnin masa konkretë përsa i përket furnizimit me ujë të fshatit, por deri tani asgjë e tillë nuk është vënë re. "Deri më sot ata as që e kanë vënë ujin në zjarr, por bëjnë të pa diturin. Deputeti i zonës Marko Bello në bashkëpunim më ministrinë përkatëse dhe drejtuesit e komunës duhet të marrin të gjitha masat për të na ardhur në ndihmë", pohojnë banorët të irrituar. Fshati me 2 mijë banorë ka parë si të vetmen mundësi shpëtimi për sigurimin e ujit hapjen e puseve. Mësohet se në gjithë zonën janë bërë gjithsej rreth 100 shpime, por në gjithë këto puse asnjëherë nuk janë bërë analiza për cilësinë e ujit.   d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›