Flutura 15-vjeçare: 4 gardistë më kërcënuan të bëj prostitutën
Tiranë
E dëmtuara shpjegon tmerrin e përjetuar nga ish i dashuri dhe tre shokët e tij
Adoleshentja
Flutura S., gjimnaziste në Tiranë, duke treguar për Shqip se për pesë muaj ishte shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore në Tiranë
Antitrafiku i Tiranës ka vënë nën hetim edhe tre gardistë të tjerë për shfrytëzimin për prostitucion të një vajze të re nga Tirana. E dëmtuara, e identifikuar si Flutura S. (emri i plotë i saj nuk publikohet për arsye hetimore), ka shpjeguar për Shqip, ashtu si për grupin hetimor se është shfrytëzuar, jo vetëm nga ish i dashuri, efektiv i Gardës, por edhe nga tre shokë të tij, të cilët edhe ata janë gardistë. Sipas saj, fillimisht, ajo e ka pasur të dashur të arrestuarin Ilirjon Gjoni, i cili më vonë e ka keqtrajtuar, kërcënuar me jetë dhe e ka detyruar të bëjë prostitutën për persona të ndryshëm, sidomos për efektivë të Gardës së Republikës. Madje, sipas saj, ai e kishte kërcënuar edhe me jetën e prindërve dhe të motrës, pasi vëlla nuk ka, kështu që ajo ishte detyruar tu bindej urdhrave të tij. Megjithatë, shqetësues për policinë mbetet fakti se kemi të bëjmë me një organizim nga katër punonjës të Gardës, të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal. Sipas të dhënave, veç të arrestuarit, tre persona të tjerë janë nën hetim, pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar për shfrytëzimin e vajzës së re, e cila studion në një nga gjimnazet e kryeqytetit. Madje, vajza e re ka treguar për Shqip se ka mundur të arratiset nga katër gardistët, vetëm kur ata kanë pasur disa probleme me policinë, pasi në gjendje të dehur kishin shkuar te Spitali Ushtarak dhe kishin kërcënuar mjekët. Seksioni Kundër Trafiqeve bëri të mundur ndalimin me iniciativë të shtetasit Ilirjon Hajrulla Gjoni, 25 vjeç, lindur në fshatin Derjan të Matit dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, me detyrë efektiv në Gardën e Republikës dy ditë më parë, pas denoncimit të adoleshentes, e cila nga tronditja, fillimisht kishte dhënë emër të gabuar në polici. Në lidhje me arrestimin e gardistit, policia shpjegoi se në ngarkim të tij është depozituar një kallëzimin penal nga një shtetase 15-vjeçare, e cila deklaron se për një periudhë 5-mujore është shfrytëzuar për prostitucion. Ndërsa i arrestuari Ilirjon Gjoni nuk e ka pranuar akuzën në asnjë moment, duke u shprehur se e ka pasur të dashur.
Flutura 15-vjeçare: 4 gardistë më kërcënuan të bëj prostitutën burimi: Gazeta Shqip