E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i komunës më të madhe të Shkodrës, në pranga për drogë

Gazeta Shqip

Kleves Muja i PS-së, kërkohej në Itali prej tetorit 2010

Kleves Muja është i dyti politikan që arrestohet për trafik droge pas Fatmir Kajollit

Kleves Muja

Një tjetër politikan në pranga për llogari të drejtësisë italiane. Kryetari i Komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja, është vënë në pranga dje, pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma si i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Muja bëhet personi i dytë i përfshirë në politikë që arrestohet për trafik ndërkombëtar droge pas Fatmir Kajollit, këshillëtarit republikan të Bashkisë së Fierit.

Lajmin për arrestimin e kryetarit të Komunës Rrethina e konfirmoi dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, sqarohej se Kleves Muja u arrestua nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit, me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian.

Policia shtoi se Kleves Muja, 38 vjeç, me detyrë kryetar i Komunës Rrethina, Shkodër, u arrestua, pasi autoritetet italiane të drejtësisë në Bari kanë lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, që mban datën 29 tetor 2010, me akuzën për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas policisë, maksimumi i dënimit i parashikuar për këtë vepër penale është 20 vjet burg.

Kleves Muja ka jetuar për disa vite në Itali, nga ku është kthyer me kursime të mjaftueshme për të ngritur biznes në vendlindje. Në vitin 2011 ai u përzgjodh si kandidat i Partisë Socialiste për kryetar i Komunës Rrethina në Rrethin e Shkodrës dhe më 8 maj arriti të merrte shumicën e votave që e bën fitues në këtë komunë, që nuk ishte konsideruar e lehtë për të majtën.

Nuk është e qartë nëse kryekomunari i rrethinave ishte në dijeni të faktit që ishte person në kërkim gjatë kohës që kandidonte për drejtimin e komunës më të madhe të Shkodrës. Njoftimi i Policisë së Shtetit sqaron se shpallja e këtij personi në kërkim ishte bërë disa muaj përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011 dhe në rast se marrëveshja me Italinë do të kishte qenë në fuqi në atë kohë, Muja nuk do të kishte pasur mundësi të kandidonte.

Ndërkohë, mësohet se Muja ka nuk ka pasur probleme me ligjin në Shqipëri përpara zgjedhjes si kryetar komune.

Vetëm pasi u zgjodh në krye të Komunës Rrethina, ai u bë objekt i një procedimi për fshehje të pasurisë. Nëntë muaj më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e gjobiti Kleves Mujën së bashku me 47 zyrtarë të tjerë të niveleve të ndryshme, të cilët nuk kishin deklaruar pasuritë e tyre, sikundër parashikohet në ligj.

Në muajin shtator të vitit të shkuar, në bazë të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, ILDKP vendosi masën administrative “gjobë” në shumën 25.000 lekë ndaj Kleves Mujës dhe 47 zyrtarëve të tjerë.

 

Kreu i komunës më të madhe të Shkodrës, në pranga për drogë burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›