E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria thërret prefektin dhe kreun demokrat të qarkut

Gazeta Shqip

Ndreka ka paditur për falsifikim dokumentesh edhe arshivistin e këshillit të qarkut

Kryetari socialist i këshillit dorëzon provat kundër të dyve

Vangjel NdrekaI zgjedhuri prej të majtëve si kryetar i Këshillit të Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, ka dorëzuar dje provat që ai disponon në lidhje me kallëzimin që ka kryer një javë më parë ndaj prefektit Robert Bitri, të cilin e akuzon për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe moszbatim të vendimeve të gjykatës. Rreth orës 15:00, Ndreka është paraqitur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Fierit, ku mësohet të ketë vënë në dispozicion të hetuesve materialet që mbështesin kallëzimin e tij.

Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të prokurorisë, të cilat sqaruan se dje, hetuesit kanë dëgjuar gjithë pretendimet e Ndrekës, si dhe janë administruar në cilësinë e provës materiale gjithë dokumentacioni dhe materialet që ai ka vënë në dispozicion të hetimet. Nga burimet mësohet se Ndreka ka depozituar në prokurori pamjet në të cilat ai pretendon se në mbledhjen e organizuar nga rivali i tij, Artur Shehu, më 24 prill 2012, shfaqen persona që nuk kanë asnjë lidhje me Këshillin e Qarkut të Fierit, të cilët kanë ngritur dorën në vend të këshilltarëve. Gjithashtu, mësohet se ai ka denoncuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe mosevidentim të së gjithë korrespodencës, edhe arshivistin e Qarkut të Fierit, D.Muskaj. Ndërkaq, burimet e prokurorisë kanë bërë me dije se janë ende duke verifikuar materialet denoncuese dhe se nuk është vendosur procedimi penal. Të njëjtat burime shtojnë se gjatë ditëve në vazhdim do të pyeten edhe të denoncuarit, të cilëve do tu kërkohet të vënë në dispozicion materialet dhe dokumentacionin përkatës. Prokuroria i ka dërguar një shkresë zyrtare edhe emisionit investigativ Fiks Fare, që të vërë në dispozicion të hetimit filmimet ku u shfaq një punonjës i Komunës Strum të Rrethit të Fierit, i cili pohonte se gjatë mbledhjes së zhvilluar nga të djathtët në hotelin Fieri kishte votuar në vend të një këshilltari. Gjatë filmimeve të kryera nga Fiks Fare, Dashnor Agaçe, punonjës i policisë ndërtimore të Komunës Strum ka pranuar me gojën e tij se është paraqitur në mbledhjen e datës 24 prill 2012 si anëtar i Këshillit të Qarkut të Fierit, duke u prezantuar si Eduart Dogani. Agaçe u shpreh se Dogani ndodhej në Greqi dhe për këtë arsye kishte shkuar të ngrinte dorën në vend të tij. Gjithashtu, dy këshilltarë të tjerë, të cilët janë filmuar që kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga z. Vangjel Ndreka, rezultojnë që të kenë firmat e tyre në listën e këshilltarëve të palës tjetër. Bëhet fjalë për Aulent Tolin, i cili nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar në hotelin Fieri, por në procesverbalin e të djathtëve rezulton firma e tij. Pamjet tregojnë se Aulent Toli ka qenë i pranishëm në mbledhjen e drejtuar nga Vangjel Ndreka. E njëjta gjë rezulton edhe për Veiz Dervishin. Të dy këta këshilltarë kanë firmosur nga një deklaratë noteriale, ku kanë mohuar prezencën e tyre në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu.

Edmond Hoxhaj

Procesi

Verifikimet

Prokuroria e Fierit ka sqaruar se është ende në fazën e verifikimit të akuzave dhe për këtë arsye, do të marrë në pyetje dy zyrtarët e denoncuar

Provat

Vangjel Ndreka është paraqitur dje në prokurori me gjithë dokumentacionin dhe pamjet filmike me të cilat ai pretendon se prefekti ka shpërdoruar detyrën

Prokuroria thërret prefektin dhe kreun demokrat të qarkut burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›