E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturaket amerikane pa pilot me virus

Fluturaket amerikane pa pilot, që janë përdorur në një sërë aksionesh në Pakistan e Afganistan dhe që ekzekutuan së fundmi në Jemen një nga liderët më të fuqishëm të Al Qaedas, janë prekur nga një virus kompjuterik, që u kontrollon çdo lëvizje.

Fluturaket janë në gjendje që të vijojnë aksionet e tyre, por piloti që i drejton ato, nga një bazë në Nevada, thotë se çdo lëvizje që bëjnë ato regjistrohet nga virusi.

Specialistët druhen se të dhënat e kapura nga virusi mund të jenë transmetuar në internet dhe mund të kenë rënë në dorë të terroristëve.

Megjithëse një fluturake e tillë kushton nga 10 milion deri në 30 milion dollarë, ato vlerësohen shumë, për shkak se nuk rrezikojnë jetën e pilotëve.

Për më tepër, SHBA i përdor ato në zona ku nuk u miratohen operacionet ushtarake. Mendohet se që kur Obama mori detyrën, flota e tyre, e drejtuar nga CIA, e përbërë nga 30 fluturake, ka kryer 230 aksione në Pakistan.

Deri më tani janë vrarë më shumë se 2 mijë terroristë dhe civilë në këto sulme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›