E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fluturat mbretërore" në MTKRS

Në galerinë "Ibrahim Kodra" të Ministrisë së Kulturës u çel dje ekspozita e piktores Ardiana Shasivari-Kika. Piktorja Ardiana Shasivari-Kika paraqitet me një ekspozitë të përbërë me vepra, të cilat përgjithësisht kanë për bazë motive figurale. Kështu, ajo trajton kësaj here nga njëra anë fluturat si motive dhe nga ana tjetër femrat që i paraqet në akt. "Figurat e femrës nudo në pikturën në fjalë dhe fluturat që e shoqërojnë nuk e paraqesin femrën si viktimë, por paraqitet si parafytyrim i bukurisë hyjnore - femra lakuriqe me trup të zbërthyer në mënyrë gjeometrike. Femrën dhe fluturën e paraqes si imazh të figurës statike e njëkohësisht të robëruar në këmbë, duke synuar të fluturojë dhe të shijojë kënaqësinë e të qenit i liruar", thotë piktorja. Ajo i quan fluturat "mbretërore", duke u bazuar në llojin e fluturave në fjalë, të njohura në gjuhën angleze si "monarch butterfly". Duke parë paraqitjen e motivit të fluturës nga ana e historisë së artit, mund të vështrojmë se paraqitja e fluturave në kultura të ndryshme u bë në përgjithësi për të trajtuar tema të ndryshme. Në kulturën kineze, paraqitja e fluturës, ndër të tjerash, do të thotë gëzim, apo frymëzim. Duke e pasur parasysh që fluturat dalin prej larvave, ato nëpër shumë paraqitje të kulturave të tjera marrin domethënien e ringjalljes apo rimishërimit, kështu ndodh në kulturën e krishterë. Shkallët e zhvillimit të saj krahasoheshin me atë të jetës, vdekjes dhe ringjalljes. Fluturat janë statike, duke qenë në formë të larvës, mirëpo çlirohen pastaj nga ky mbështjellës dhe mund t‘i shfrytëzojnë krahët për të fluturuar. Në kulturën greke, paraqitja e fluturës, ndër të tjera, do të thotë pavdekshmëri, si dhe paraqitje e psikikës dhe e shpirtit simbolizohet me këtë motiv. Edhe kultura e maorëve, kulturë kjo nga e cila artistja Shasivari-Kika u frymëzua gjatë vizitës së saj në Zelandë të Re, e sheh fluturën si paraqitje të shpirtit. Në veprat e piktores Shasivari-Kika, përtej asaj që njihet në literaturë të historisë së artit për paraqitjen e fluturave, theksohet edhe fakti që ajo përmes këtij motivi paraqet gjallërinë, paraqet jetën. Kjo sidomos vërehet në veprën e saj "Flutura Mbretërore", ku fluturat janë paraqitur pothuajse duke u munduar ta gjejnë vendin e tyre sikur të ishin të gjalla mbi pëlhurë. Sipas piktores, paraqitja e fluturave në veprat e saj paraqet edhe vetë natyrën e femrës. Vepra në fjalë paraqet një grumbull fluturash, në një sipërfaqe të rrethuar me një kornizë relativisht të theksuar, e cila është e pikturuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›