E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antonio Petris

Grishja për të parë një vend të njohur vetëm në rrëfime, për të punuar në një teatër të ri opere, për të ngjitur në skenë një tjetër "Andrea Chenier", e ka sjellë në Tiranë regjisorin Antonio Petris. Ka ardhur për të interpretuar, siç ai cilëson, sipas mënyrës së tij, një histori dashurie të vendosur në shtratin e një momenti të rëndësishëm historik. Pikërisht në Revolucionin Francez. Veç një ndjenje humane, përzierë në fatet e personazheve, Petris sheh në këtë vepër një mesazh të madh demokracie. Prej disa ditësh ndodhet në sallën e provave, duke punuar me artistët shqiptarë. Drama historike e kompozitorit Umberto Giordano, me libret të Luigi Illica, do të vijë në skenën e Teatrit të Operës si premierë më 4 prill. Në rolin e poetit Andrea Chenier do të interpretojnë tenorët Armaldo Kllogjri dhe Gianluca Zampieri, në atë të Gerardit, Ymer Kaça, ndërsa në rolin e Maddalena de Coigny do të interpretojnë sopranot Irini Nikolla dhe Eva Golemi. Opera do të dirigjohet nga Edmond Doko, skenografia i është besuar Alfredo Troisit, ndërsa kori do të dirigjohet prej Dritan Lumshit. Në skenë, përveç korit dhe orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të angazhohen edhe studentë të Akademisë së Arteve.

Prej disa ditësh ndodheni në Tiranë për vënien e një premiere. Si e shihni deri tani bashkëpunimin me artistët shqiptarë?

Ka më shumë se 10 ditë që ndodhem në Tiranë. Menjëherë fillova të punoja me artistët shqiptarë, e më duhet ta pranoj që janë të zotë. Me dy prej tyre, Armaldo Kllogjrin dhe Etleva Golemin, kisha punuar më parë në Itali. Kjo është hera e tretë që bashkëpunoj me ta dhe ndjehem mirë, sepse e dinë se çfarë dua. Por edhe puna me artistët e tjerë ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ndonëse është hera e parë që vij këtu, do të doja të rikthehesha.

Pse e pranuat ftesën për të vënë "Andrea Chenier" në Tiranë?

Më ngacmoi ideja për të vënë në skenë një vepër në një vend të panjohur e në një teatër ku nuk kisha punuar më parë. Kisha dëgjuar të flitej për Shqipërinë, shumë njerëz që kam takuar në Itali më kishin treguar, por tashmë që erdha, ndjehem mirë. Sigurisht që si në çdo teatër të çdo vendi ka gjëra pozitive dhe negative.

Çfarë domethënie ka për ju opera "Andrea Chenier"?

Sinjifikon një histori dashurie në një moment të rëndësishëm historik. Atë të Revolucionit Francez dhe Iluminizmit. Revolucioni Francez është mëma e demokracisë, që për vite me radhë ka lindur fëmijë në vende të ndryshme të botës. Demokracia te ju erdhi rreth 20 vjet më parë. Ishte një fëmijë i revolucionit në vendin tuaj. Shumë të tjerë duhet të ketë në të ardhmen, sepse ne kemi shumë nevojë për demokraci. Në këtë këndvështrim do ta shoh gjithmonë nisjen e punës për vënien në skenë të kësaj vepre.

Ajo që do të duket në skenë do të jetë më së shumti një histori dashurie apo një leksion historie?

Historia e dashurisë është dominante, por sigurisht e vendosur në shtratin e një historie reale. Opera titullohet "Andrea Chenier" dhe jo Revolucioni Francez. Logjikisht do të rrëfehen historitë personale të Andreas, Madalenës, Zherardit, të cilat marrin vlerë në kontekstin ku janë vendosur. Kjo operë jeton jo vetëm nga historizmi, por edhe nga aspekti human i personazheve. Kur ne studiojmë historinë, shumë pak na intereson njeriu Napoleon, dashuritë që ka pasur, përballë ngjarjeve historike që kanë rrjedhur nga veprimet e tij.

Pas Italisë, kjo është regjia e dytë që ju realizoni për këtë opera. Çfarë vjen ndryshe?

Kujdesi për të mos bërë të njëjtën gjë dy herë sjell që në fillim diferencat nga një shfaqje në tjetrën. Regjisori apo artisti është gjithnjë në kërkim të diçkaje të re, të një ngritjeje artistike. Në këtë pikëpamje, aspekti skenografik në këtë vënie do të jetë shumë interesant. Është menduar që gjatë operës të ketë shfaqje imazhesh, të realizuara përmes një teknike të panjohur edhe në Itali.

Tendencat për një trajtim modern kanë prekur edhe këtë gjini të artit. Ka të tilla në regjinë tuaj?

Mund ta themi që qëndron mes klasikes dhe modernes. Për mua i rëndësishëm është mesazhi. Edhe pse "Andrea Chenier" është e lidhur me kohën e Revolucionit Francez, për mua është një operë pa kohë fikse. Çdo ditë shohim të lindë demokracia, por ndonjëherë edhe vdes, sepse ka vende që më parë e kanë gëzuar e sot nuk e kanë. Historia ripërsëritet dhe kjo është e vërtetë. Unë synoj të tregoj një histori sipas mendimit tim, të interpretoj një opera dhe nuk kërkoj t‘i bëj kolpo publikut. Artisti përcjell mesazhe që ndoshta mund të mos krijojnë efekte të menjëhershme, ai nuk është një lolo. Meqë muzika është gjithnjë aktuale, operat na përkasin edhe sot. Andrea Chenier përpiqem ta shoh si një njeri të dymijëshit dhe përpiqem ta lexoj duke e vendosur në momentin tim historik, duke e interpretuar në mënyrën time.

Cilat janë veprat tuaja më të parapëlqyera?

"Eugenio Onjegini" është opera për të cilën mendoj si i çmendur për ta realizuar, "Boheme" është ajo që më prek më shumë në zemër, të gjithë na bën nga pak të qajmë, ndërsa Verdi është ai që më nxit forcën më të madhe të brendshme. Sigurisht që e pëlqej edhe Moxartin. E gjithë kjo panoramë më përket shumë.

Çdokush gjen diçka që i bën përshtypje në një vend të panjohur. Çfarë keni gjetur ju këtu?

Në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, kam gjetur shumë ngjyra. Në shumë shtete të tjera ku kam qenë, kam përjetuar një atmosferë gri. Këtu gjej një lloj çrregullsie argëtuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›