E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Spahiu, ditët e poetit në spital

Te kafe "Europa" ka ditë që nuk duket mëngjeseve. Nuk e kanë parë të eci nxitimthi, me kokën lart, sikur i flet qiellit. Tavolinën e mbushur me miq plot e ka zëvendësuar me një dhomë modeste në repartin e neurologjisë, në spitalin numër 5, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza". Prej mesnatës së të premtes, poeti Xhevahir Spahiu ka zënë shtratin. Ekipi i mjekëve Mentor Petrela, Hiera Kruja dhe Mira Rakacolli thonë se diagnoza është ishemi cerebrale. Ata mendojnë se është shkaktuar nga një tension i lartë i pakontrolluar mirë, prej të cilit poeti nuk vuante vazhdimisht, ose mund të jetë shkaktuar prej yndyrave në gjak. Orges Spahiu, djali i poetit, i cili është mjek, ka shpjeguar se Xhevahir Spahiu ka dy vatra në hemisferën e majtë të trurit. Ato janë ekzaminuar me rezonancë magnetike dhe ka rezultuar se janë më të mëdha nga sa ishte parë nga skaneri. "Sipas përgjigjes që kemi marrë nga një eko në qafë, është vënë re se ka ngushtim të një arterie në anën e majtë, e cila është 70 për qind e bllokuar dhe ndoshta është pikërisht kjo arsyeja që ka shkaktuar isheminë cerebrale. Gjithsesi, mbetet për t‘u konfirmuar pas disa analizave që kemi kryer sot (dje)", tregon djali i madh i poetit. Sipas tij, përgjigjja e këtyre analizave do të jetë vendimtare edhe në ndryshimin e terapisë, apo në vendimin për të kryer një operacion. "Për momentin, akti i operacionit është i bllokuar. Nëse do të jetë e nevojshme, ne do të mundohemi të krijojmë edhe mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje jashtë shtetit. Presim përgjigjet e këtij ekzaminimi të rëndësishëm. Edhe pse gjymtyrët reagojnë, pra nuk ka bllokim të lëvizjes, për shkak të ishemisë, babai nuk mund të flasë", flet duke u dridhur ai. E vërtetë! Ai nuk mund të flasë... por a mundet të mos flasë Xhevahir Spahiu?

Mesditë. Marjeta, zonja e poetit, pret e përcjell miqtë dhe të afërmit. I falënderon, u jep dorën e kthehet në dhomë. Është e shqetësuar. Xhevahir Spahiu, bashkëshorti, njeriu i dashur, poeti nuk ndodhet aty. Një tjetër ekzaminim prej mjekëve e ka nxjerrë jashtë dhomës, dritarja e së cilës sheh nga Dajti. Çarçafët janë krejt të bardhë... të bardhë si shpirti i poetit. Portierja në hyrje, e ndjen se ai duhet të jetë një njeri me peshë, i rëndësishëm... por nuk ia di emrin. Asaj vetëm kaq i lejohet. Ndryshe nga sa ndodh me pacientët e tjerë, te dhoma numër 2 vizitat nuk kanë fund. "Ah, është shkrimtari? Dhe prapë: "A kishte dalë në pension?" - pyet me drojë ajo, si për të gjetur në këtë mënyrë edhe moshën e tij. Pension? A mund të dalë me të vërtetë në pension ai që krijon? Portierja ul sytë, e zënë në faj... Jo, jo, ai që krijon nuk mund të dalë në pension edhe kur duart nuk lëvizin, edhe kur goja nuk hapet për të thurur fjalën... Ndihen lëvizje në korridor. I shtrirë në një barelë, i pagojë, Xhevahir Spahiu, i shoqëruar prej infermierëve e dy djemve të tij, Orgesit dhe Arturit, hyjnë në dhomë. Tronditëse. Sytë e Xhevos (siç e thërrasin të gjithë) shikojnë çuditshëm, gati të turpëruar, sepse ai nuk i përket kësaj gjendjeje, as asaj barele e as dhomës numër 2 në repartin e neurologjisë. Një herë pati thënë: "Njeriu është një qenie misterioze, aq më shumë poetët. Një poet e përjeton botën dhe krijon njëkohësisht një botë të ëndërruar prej tij, i realizon të dyja, e ka këtë fuqi shpirtërore. Poeti është si një tel violine shumë i fuqishëm dhe njëkohësisht i ndjeshëm. Atë e prek dashuria me gishtat e saj, e prek dhimbja me gishtat e saj, e prek padrejtësia, ose ëndrra për të bukurën e lirinë dhe me këto gishta, kjo violinë, kjo lirë poetike lëshon një tingull të mahnitshëm". "Poetëve të vërtetë nuk ua mbyll dot gojën as vdekja. Zëri i tyre është te poezitë e librat", thotë Arshin Xhezo, një prej miqve të krijuesit. Sepse, Xhevahiri është njeriu që ulërin ndaj së keqes, është poeti i shqetësuar që nuk njeh kompromise. Është miku i mrekullueshëm, është ai që kur hyn te kafe "Europa", vrullshëm dhe shumë sinqerisht i përshëndet të gjithë.

"Nga të kemi moj vajzë? Ti shkruan poezi?"

"Po, por nuk kam guxim t‘ia tregoj askujt".

"Duhet të mi sjellësh patjetër ndonjë ditë!"

Sot, ai, poeti që mbledh pranë vetes edhe të njohurit e rastësishëm, miku i të gjithëve, edhe të atyre që i njeh brenda një ore, ka nevojë t‘i ketë pranë të gjithë. Pa përjashtim!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›