E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluturime direkte Luksemburg-Tiranë, Hoxha: Një tjetër kompani ajrore evropiane vjen në Shqipëri

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha njoftoi sot vendosjen e fluturimeve direkte midis Luksemburgut dhe Tiranës përmes kompanisë “Luxair”.

Ministri e konsideroi një lajm të shkëlqyer ardhjen e një tjetër kompanie ajrore evropiane në Shqipëri.

“Duke filluar nga 29 marsi 2027, kjo linjë e re që do të funksionojë gjatë gjithë vitit do të kryejë fluturime dy herë në javë, të hënave dhe të premteve, duke krijuar lidhjen e parë të rregullt ajrore direkte midis Luksemburgut dhe Shqipërisë”, shkroi Hoxha në rrjetin social X.

Sipas tij, kjo është një lidhje e re dhe e mirëpritur, që do t’i afrojë edhe më shumë njerëzit, bizneset dhe komunitetet e dy vendeve.

Më herët, në 21 prill të këtij viti, ministri Hoxha pati zhvilluar një vizitë në selinë e kompanisë “Luxair”, ku në një takim me CEO-n e saj, Gilles Feith, u diskutua pikërisht mundësia e lidhjes Luksemburg-Tiranë përmes fluturimeve direkte.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›