E Diel, 1 Nëntor 2026

Remitancat, 621 milionë euro në gjashtëmujorin e parë

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Emigrantët shqiptarë kanë dërguar 621 milionë euro në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rekord të ri historik të prurjeve nga remitancat.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë se dërgesat e emigrantëve u rritën me 16,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke vijuar tendencën rritëse të flukseve financiare nga emigracioni drejt ekonomisë shqiptare.

Rritja u përshpejtua ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit, kur remitancat arritën në 347 milionë euro, me një zgjerim prej 24% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në terma vjetorë, vetëm në tremujorin e dytë në Shqipëri hynë rreth 67 milionë euro më shumë nga dërgesat e emigrantëve.

Rekordi i ri, prej 621 milionë eurosh në gjashtë muaj, i konsolidon remitancat si një prej burimeve të rëndësishme të hyrjeve valutore në ekonomi, krahas të ardhurave nga eksporti i shërbimeve dhe veçanërisht turizmi.

Flukset e parave nga emigrantët kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e familjeve përfituese dhe në konsumin e brendshëm, ndërsa në nivel makroekonomik kontribuojnë në rritjen e hyrjeve valutore dhe në financimin e nevojave të ekonomisë.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›