Fluturimet, pak shpresa për kthim në normalitet
Bllokimi i fluturimeve ajrore vijoi për ditën e pestë radhazi dje ndërsa disa aeroporte të Europës u rihapën me orar të shkurtuar. Aeroporti i Rinasit vijoi të punojë vetëm për linjat e Italisë së Jugut, Athinës dhe Stambollit, ndërsa pritet të rihapen linjat me Vjenën, Budapestin e Milanon. Kreu i Aviacionit Civil në Shqipëri, Ervin Mazniku, deklaroi dje se reja e tymit të lëshuar nga vullkani i Islandës nuk e ka prekur Shqipërinë e për rrjedhojë, nuk është nevoja për të mbyllur hapësirën ajrore shqiptare. Për sa u përket biletave të prenotuara, por që nuk u përdorën nga shqiptarët, sipas tij, kompanitë ajrore kanë shprehur gatishmërinë t’i riskedulojnë për më vonë ose t’i rimbursojnë në vlerë të plotë. Nga Shqipëria udhëtojnë çdo ditë me aeroplan mesatarisht rreth 3500 vetë në ditë. Mbyllja e fluturimeve gjatë katër ditëve të fundit ka prekur axhendën e mbi 10 mijë shqiptarëve.
“Për pasagjerët është rënë dakord me kompanitë ajrore për dhënien e dy alternativave: riprenotim të biletës për një afat të caktuar kohor dhe nëse pasagjerët kanë shkuar në destinacionet e tyre me mjete alternative, do t'u rimbursohet bileta”, deklaroi Mazniku.
Shumë shqiptarë mbetën të bllokuar nëpër aeroporte të ndryshme të Europës gjatë ditëve të fundit dhe u detyruan të marrin trenat për të mbërritur në Bari.
Kompanitë ajrore në Europë po shtojnë protestat ndaj qeverive të veta, pasi vlerësojnë se bllokimi i fluturimeve për shkak të hirit vullkanik është një masë sigurie e zgjeruar. Agjencia Ndërkombëtare e Trafikut Ajror, IATA, akuzoi Bashkimin Europian për mungesë aftësie udhëheqëse në këtë situatë, duke arsyetuar se BE ka nevojë të organizojë fluturime provë për të parë nëse hiri vullkanik përbën apo jo një rrezik real. Dëmet ekonomike duket se po i pëson më së shumti vetë industria e fluturimeve ajrore, por impakti i tyre në ekonominë e gjerë do të jetë i vogël, sipas ekspertëve, për shkak se biznesi i humbur nga aviacioni është transformuar në biznes të shtuar për hotelet, trenat, makinat me qira etj.
#