Drini del nga shtrati, dëmtohet ura e Fierzës

Niveli i liqenit të Fierzës po arrin në kuotën kritike. Burime nga hidrocentrali i Fierzës bëjnë të ditur se dje në mesditë, prurjet kanë qenë rreth 1200 m³/sekondë, ndërsa niveli i liqenit ka qenë në kuotën 296.4 m mbi det, fare pranë pikës kritike. Vetëm një apo dy herë në gjithë historinë e këtij hidrocentrali që nga viti 1978 është arritur një kuotë e tillë e liqenit.
PërmbytjetRritja maksimale e nivelit të liqenit të Fierzës ka shkaktuar përmbytjen e qindra hektarëve toke bujqësore dhe një numri banesash në fshatrat: Breglum, të Komunës Tërthore, Kodër Lumë të Komunës së Shtiqnit dhe fshatra të tjerë. Banorët tregojnë se që nga koha e ndërtimit të hidrocentralit, vetëm një herë ka mbërritur uji në këto kuota, kështu që ata i kanë shfrytëzuar këto toka për bimë bujqësore, madje nuk i kanë lëvizur edhe shtëpitë e banimit që nga viti 1978. “Një nivel kaq të lartë të ujit, mbaj mend të ketë qenë vetëm në vitin e ndërtimit të hidrocentralit në vitin 1978, si dhe në vitin 1985. Këto toka i kemi shfrytëzuar për bujqësinë dhe tani na vjen pak si e papritur”, tha një banor i fshatit Breglum, duke treguar arat me grurë që janë mbuluar nga uji. Një banor tjetër ankohet se uji i ka depërtuar deri në katin dytë të shtëpisë dhe se për më tepër i ka bllokuar edhe rrugën me të cilën lidhet me fshatin.
Ura e FierzësShkarkimi i ujit nga tunelet rezervë të hidrocentralit të Fierzës ka dëmtuar edhe urën që lidh Tropojën me Tiranën. Ura e cila ndodhet në anën perëndimore të hidrocentralit, të ngritur mbi kaskadën e lumit Drin, ka dëmtuar krahun verior të drejtimit Fierzë-Koman. Shkarkimi i ujit nga tunelet në afërsi të urës ka krijuar një vorbull të fuqishme në Drin dhe dallgët e fuqishme godasin vazhdimisht trupin e urës. Burime nga Fierza tregojnë që mjetet vazhdojnë të kalojnë mbi të, por situata po bëhet serioze.
#