E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët 5-vjeç, një vit arsim të detyruar para regjistrimit në shkollë

Projektligji i ri standarde për fëmijët e pakicave

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, prezantoi dje gjatë një konference për shtyp, projektligjin “Për Arsimin parauniversitar” në Shqipëri. Në të parashikohen një sërë pikash kyçe që pritet të ndryshohen me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor. Barazia për arsimimin e të gjithëve, pra pa diskriminuar askënd për shkak të origjinës sociale, përkatësisë fetare, kombësisë, gjinisë, ngjyrës apo gjendjes shëndetësore, është një nga të rejat që pret të realizojë ky projektligj në rast se miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. “Projektligji përmirëson dukshëm kuadrin e menaxhimit financiar të APU-së. Ai legjitimon modelin e financimit të arsimit parauniversitar publik, të mbështetur në formulën ‘për nxënës’.

Në kuadër të kësaj logjike synohet arritja e transparencës së përdorimit të fondeve financiare dhe shtimit të përgjegjësisë së personelit shkollor në përdorimin e mirë të mjeteve dhe shërbimeve që sigurohen nga këto fonde”, - shtoi ministri i Arsimit. Nëpërmjet këtij ligji parashikohet të përfshihet për herë të parë në skemën financiare, metoda e granteve për shkollat publike me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e cilësisë së shkollave.

Në projektligj thuhet se një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm janë edhe përcaktimet që parashikon ligji për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta, me qëllim mënjanimin dhe disfavorizimin e tyre në procesin e të nxënit për shkak të aftësive fizike të kufizuara.

Ndërkohë, burime zyrtare nga ky institucion bëjnë me dije se ky projektligj parashikon të konsolidojë standardet e ligjit aktual për shkollimin e fëmijëve të pakicave kombëtare.

Në të theksohet se çdo fëmijë në moshën 5- vjeçare duhet të vijojë në mënyrë të detyruar, së paku një vit arsim parashkollor, përpara regjistrimit në klasën e parë.

E megjithatë, ministri i Arsimit nuk lë pa përmendur edhe rëndësinë që do t’i kushtojë projektligji institucionalizimit përfundimtar të statusit të mësuesit dhe drejtuesve të shkollave në lidhje me të drejtat, detyrat dhe procedurat e konkurrimit për emërimin në punë.

“Nëpërmjet tij synojmë krijimin e hapësirës reale për rritjen e cilësisë dhe transparencës së politikëbërjes në arsimin parauniversitar. Në këtë projektligj sanksionohet qartë roli i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, në të cilin bëjnë pjesë figura të njohura publike për arsimin. P/ligji kërkon që MASH-i dhe Këshilli i Ministrave të këshillohen me KKAP-në për çështje themelore të politikave arsimore, si kurrikula, programet mësimore, tekstet, buxheti, rajonizimi i shkollave, kriteret e hapjes së shkollave publike dhe private”, - tha Tafaj.

Sipas tij, ky projektligj vjen si një reformë e re, pas vlerësimit të raportit “PISA”, që e rendit Shqipërinë ndër tre vendet me progres më të dukshëm nga 65 vende të vlerësuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›