Rikthehet trafiku në Tiranë, bllokohet sheshi “Skënderbej”
Rikthehet sërish trafiku në Tiranë. Këtë herë nuk janë bërë shkak reshjet e shiut, por bllokimi i një pjese të rrugës së sheshit “Skënderbej” që ndodhet pranë xhamisë. Vazhdimi i punimeve përgjatë këtij sheshi ka bllokuar këtë herë edhe “arterien” kryesore në qendër të Tiranës, duke sjellë edhe devijimin e trafikut për në rrugën “Abdi Toptani”, ose siç njihet ndryshe, rruga e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ka qenë pikërisht ky devijim ai që ka sjellë trafik edhe në rrugën në afërsi të Ministrisë së Transporteve, pasi përveç automjeteve të vogla, në këtë aks rrugor të ngushtë do të duhet të qarkullonin edhe autobusët e linjave të Kombinatit, Tiranës së Re apo linjave të tjera. Një situatë e tillë kaotike ka shkaktuar probleme jo vetëm në lëvizjen e automjeteve, por edhe në mendjen e shoferëve, të cilët edhe pse të nervozuar, janë detyruar të fikin makinat duke pritur për orë të tëra që të lëviznin sikur edhe për pak metra më shumë, ndonëse duhet të shkonin në punë apo të drekonin me familjet e tyre.