E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e portit rrëzohet nga të djathtët

Mbledhja Dako: Kjo cenon një investim të rëndësishëm publik në infrastrukturën rrugore

Anëtarët e djathtë të KRRT-së në Bashkinë e Durrësit kanë hedhur poshtë me shumicë votash projektin e rrugës së re që do të ndërtohej paralel me portin detar. Rruga konsiderohej një zgjidhje mjaft funksionale për shfryrjen e trafikut të rënduar të qytetit bregdetar dhe njëkohësisht rritjen e nivelit të sigurisë në port, pasi shkurton distancën mes shëtitores bregdetare dhe hyrjes së Durrësit. E kthyer prej muajsh në objekt debati mes Bashkisë dhe Autoritetit Portual Durrës, rruga ka mbetur e pamiratuar, duke hedhur poshtë dhe shpresat e kryebashkiakut Vangjush Dako për një marrëveshje me anëtarët e djathtë të KRRT-së që kanë shumicën në këtë organ vendimmarrës. Edhe takimi i ekspertëve i organizuar në odeonin e pallatit të kulturës për këtë projekt nuk solli asnjë ndryshim në qëndrimin e të djathtëve, të cilët gjatë mbledhjes së të enjtes u kapën në anë të natyrës teknike dhe më pas në një marrëveshje mes Bashkisë dhe Hekurudhës Shqiptar,e që ka në pronësi një pjesë të territorit ku kalon gjurma e rrugës. Pas hedhjes në votim, me 8 vota kundër dhe 7 pro, projekti nuk u miratua. Nga kreu dhe administrata e Bashkisë, vendimi është konsideruar një qëndrim e vendim i pastër politik që cenon drejtpërdrejt një investim të rëndësishëm publik në infrastrukturën rrugore. Aktualisht, Durrësi ka vetëm një rrugë hyrëse-dalëse në qytet, dhe 3 vitet e fundit ndërtimi i rrugës paralele me rrethimin e portit ka mbetur i pazbatuar, ndonëse është miratuar në KRRTRSH-ja si pjesë e Planit Rregullues Urbanistik të qytetit. Shumë automjete shfrytëzojnë rrugën brenda territorit portual për të shmangur trafikun dhe humbjen e kohës në rrugën e vetme që të nxjerr dhe të fut në Durrës, gjë që është konsideruar e dëmshme për nivelin e sigurisë në portin më të madh të vendit. Megjithëse të dy krahët e politikës dhe pushteteve janë dakord për ndërtimin e rrugës së re dhe zgjidhjen që ajo jep, investimi mbahet peng për shkak të subjektit politik/pushtetit që do të marrë meritat për realizimin e saj.

Afrimi i zgjedhjeve vendore e ka shtuar presionin e palëve politike për Bashkinë e Durrësit. Projektet për investimet publike në Durrës kalojnë nëpër një varg kundërshtish nga anëtarë të KRRT-së së Bashkisë, duke shtyrë në kohë zbatimin e tyre.

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, njëherazi edhe kryetar i KRRT-së, edhe dy ditë më parë ka reaguar në mbledhje ndaj qëndrimit kundërshtues të anëtarëve të djathtë. Sipas tij, ata po mbajnë peng investime të rëndësishme. “Një gjë e tillë nuk ndodh me lejet e ndërtimit të kërkuara nga privati. Projekti për ndërtimin e rrugës është më i mirë në të gjithë parametrat, i realizuar nga kjo bashki, po edhe i 100 viteve të fundit në infrastrukturën rrugore të Durrësit, e po merr kundërshtimin më të madh. Qyteti, njerëzit duan rrugën, ju jo”, - ka sqaruar Dako.

Ndërtimi i rrugës pritej t’i jepte fund trafikut të rënduar rrugor, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Përplasjet e mëparshme mes Bashkisë dhe portit detar u zhvendosën dy ditë më parë në terma teknikë, që kishin lidhje me zgjidhjen e lëvizjes tek Ura e Dajlanit, pika fundore e kësaj rruge që do të nisë pranë hyrje-daljes së portit. Kjo do të ishte zgjidhja që do të përcaktonte edhe koston reale të krejt rrugës. Fillimisht projektuesit e kishin menduar me semafor, një zgjidhje që nuk e kalon vlerën e 1-2 mijë euro, ndërkohë që u propozua edhe ndërtimi i një rreth-rrotullimi ose mbikalimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›