E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katherine Heigl: Është bukur të jesh nënë

Bukuria dhe zgjuarsia jo gjithmonë ndërthuren në Hollivud. Katherine Heigl i ka të dyja. Në kinema, Heigl po bëhet imazhi i komedive më popullore si “Knocked Up”, apo “27 Dresses”

Bukuria dhe zgjuarsia jo gjithmonë ndërthuren në Hollivud. Katherine Heigl i ka të dyja. E ndoshta për këtë arsye 32-vjeçarja nga Uashingtoni shihet paksa me frikë nga drejtuesit e studiove kinematografike. Në kinema, Heigl po bëhet imazhi i komedive më popullore, si “Knocked Up”, apo “27 Dresses”. Më pak me fat “Killers” me Ashton Kutcher, që edhe ajo vetë e ka cilësuar si një triller “mediokër”. “E di, ma thonë shpesh se jam shumë e drejtpërdrejtë. Nuk e kuptoj nëse duan një aktore që është vetvetja apo një që shtiret të jetë ajo që të tjerët mendojnë se është”. Heigl sot është një aktore që fiton rreth 10 milionë euro për film. Që të vogël prindërit e kishin futur në botën e shou biznesit si modeleve katalogësh apo në publicitetet televizive për fëmijë. Që kur u bë e famshme, duke interpretuar doktoreshën Izzie Stevens në serialin televiziv “Grey’s Anatomy”, përkrah Patrick Dempsey dhe Ellen Pompeo, Katherine Heigl ka ecur gjithmonë e më lart. Është cilësuar si një lloj Grace Kelly dhe ka talentin e nevojshëm për të bërë bashkë stilin, spontanitetin dhe ironinë. Ashtu siç tregohet në filmin “Life as We Know It”, ku interpreton përkrah Josh Duhamel: protagonistët e filmit janë dy persona që nuk u përputhen karakteret dhe që papritur u duhet të kujdesen për vajzën e tyre të adoptuar, të mbetur jetime. Në fillim pa asnjë eksperiencë në rolin e prindërit avash-avash të dy mësojnë të duan: në fillim vajzën, pastaj njëri-tjetrin. Si për ironi të fatit, pak para xhirimeve të filmit, aktorja dhe bashkëshorti i saj, Josh Kelley, sapo kishin adoptuar Nancy Leigh (të quajtur Naleigh), një vajzë koreane tetëmuajshe me probleme me shëndetin. Kështu Katherine e gjeti veten nënë si në sheshin e xhirimeve ashtu edhe jashtë tij.

Si ka qenë eksperienca e të kujdesurit për një fëmijë të vogël si në film ashtu edhe në realitet?

Ka qenë një eksperiencë e bukur, kaotike, e paharrueshme. Është e pashpjegueshme se sa shumë kam mësuar për mëmësinë teksa xhiroja filmin tim që “rrokte” këtë temë. Pampersa, biberonë, ushqim, të qara... të gjitha së bashku. Për këtë arsye dola shumë më e përgatitur nga ajo që përjetova.

Në film interpreton Holly-n, një grua që gjendet e vetme me një fëmijë pak muajsh? Si e gjete veten në rolin e nënës?

Dualizmi mes meje dhe Holly-t më ndihmoi t’i jepja filmit edhe ato ngjyra komike për të cilat ai kishte nevojë. Eksperiencat paralele mes filmit dhe realitetit janë të jashtëzakonshme. Në fund të fundit filmi tregon se sa e vështirë është të merresh me fëmijët. Mbi të gjitha nëse nuk janë të tutë. Ishte njëlloj si historia e jetës sime.

Cila është pjesa më e vështirë në rolin e nënës?

Kur një fëmijë është i vogël, gjërat janë më të thjeshta. Ha e fle, i ndërron pampersat dhe i bën banjë. Por kur nis të bëhet më i lëvizshëm gjërat vështirësohen shumë. Do ta shihni në film, por e kam jetuar këta muajt e fundit edhe me Naleigh.

Përse zgjodhe të adoptoje një vajzë koreane?

Sepse motra ime është koreanojugore. U adoptua nga prindërit e mi dhe ardhja e saj ka pasur një impakt të madh pozitiv mbi mua. Tashmë adoptimi është një traditë familjare: e ndjeva nevojën për të vepruar si prindërit e mi. Për të sjellë në jetë fëmijë në mënyrë biologjike ka kohë…

Ju jeni edhe producente e këtij filmi. Me se jeni marrë?

Kam punuar pas kuintave. Nga zgjedhja e gardërobës tek ajo e muzikave. Mbi të gjitha jam përpjekur që t’i jap pjesës dramatike tone pak më komike dhe ia kam dalë mbanë.

Ju pëlqen të merreni me produksion?

Mendoj se është e nevojshme për një aktor nëse do të ketë një kontroll më të madh në karrierën e tij. Kështu edhe mund ta planifikoj punën në vend që të pres që dikush mund të më ofrojë diçka.

Ju nuk jetoni në Los Anxhelos, por në Utah. Me se merreni kur nuk aktroni?

Bëj një jetë të qetë e të gëzueshme. Mbrëmjeve shijoj ndonjë koktej nën shoqërinë e bashkëshortit dhe miqve tanë. Qeshim e bëjmë shaka. Madje kam nisur të punoj me shtiza e të mësoj receta të reja gatimi. Pastaj kam shumë qejf edhe kuajt dhe shpesh merrem me kalërim.

Te filmi “Life as We Know It”, në një farë pike puthesh me Josh Duhamel. Ka qenë e lehtë?

E kisha të vështirë të mos qeshja, duke qenë se Josh është miku më i mirë i bashkëshortit tim. Ai është një muzikant dhe burri i Fergie, që është edhe mikja ime. M’u duk sikur po puthja tim vëlla.

Përse u largove nga “Grey’s Anatomy”?

Pas gjashtë vjet pune pa ndërprerje mes serialit dhe kinemasë vendosa të heq dorë nga disa gjëra e t’i kushtohem më shumë familjes. Gjithmonë kam dashur të bëhem nënë dhe kinemaja më jep mundësinë të punoj part-time. Përkundrazi, një serial televiziv nuk e bën këtë.

E dimë se mes aktiviteteve të tuaja larg sheshit të xhirimit është edhe lufta për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe të qenve në veçanti. Pse kështu?

Kam krijuar një fondacion bashkë me nënën time Nancy dhe e kemi quajtur “Jason Debus Heigls Foundation”, për nder të vëllait tim Jason, që vdiq shumë i ri në një aksident rrugor. Pak kohë më parë prezantuam “Compassion Revolution”, një iniciativë për strehimin e qenve të rrugës në zonën e Los Anxhelos. Kemi shpenzuar më shumë se një milion dollarë për ta çuar përpara, duke shpresuar se të tjerët të ndjekin shembullin tonë, me donacione dhe ndjeshmëri.

Burri juaj Josh është një baba i mirë?

Përtej mesatares. Nuk dua t’i ofendoj meshkujt, por me aq sa kam parë, kam arritur në përfundimin se nuk janë të zotë të bëjnë asgjë. Josh, përkundrazi, është një baba fantastik. Ndaj gjithçka me të, dashuri, punë, pasion. E duam shumë njëri-tjetrin.

Cilat janë aktoret e tua të preferuara?

Meryl Streep, një aktore e madhe pa u sforcuar aspak për të qenë e tillë, dhe Shirley MacLaine, e jashtëzakonshme në filmin “Steel Magnolias”

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Sapo kam përfunduar së prodhuari një film, me temë të marrë nga romani i Janet Evanovich. Më pas duhet të merrem me dramën “Outlander”, në rolin e një heroine skoceze. Siç e shihni kam shumë punë për të bërë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›