E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët, aty ku një zemër është sa një botë

Murale për pavijonin dhe dhurata. Këtë ta iniciuar shoqata “Një botë për një zemër”, duke ndryshuar jo pak atmosferën e Pedaitrisë në QSUT.

Në të majtë është Tomi&Xherri, në të djathtë janë Ëini Pooh, Borëbardha dhe një fushë me dëborë e plot dhurata.... Në fund të korridorit një sallë plot lodra dhe stacioni i Bang-Bang. “Fëmijët ndihen më të qetë kur shohin se janë rreth tyre edhe figurat më të dashura për ta”, na shpjegon psikologja e Pediatrisë së Përgjithshme, Alberta Shkëmbi, e cila prej disa muajsh ka nisur punën e saj në asistimin e jetës psikologjike jo vetëm të prindërve që shtrojnë fëmijët në këtë pavijon, por edhe atyre fëmijëve më të rritur që kërkojnë të harrojnë për disa çaste shëndetin e dobët që i ka detyruar të qëndrojnë për disa ditë në spital. 

Gjithçka ka ndryshuar në prag të festës së fundvitit, kur shoqata “Një botë për një zemër” e drejtuar nga gazetari Agim Baçi, mundësoi zbukurimin me murale të ambienteve në katin e parë dhe katin e dytë të pavijonit ku qëndrojnë të shtruar fëmijët me “vese kardiake” dhe të sëmurët infektivë. Kohë më parë ishte ndërtuar salla me lodra – një dhomë kjo të cilën Baçi ka mundur ta sigurojë edhe nga angazhimi i shefit të pavijonit Durim Bebeçi. “Kjo panoramë e përshtat këtë pavijon me botën e fëmijëve duke ndihmuar edhe punën e gjithë stafit”, shprehet kryeinfermierja Miranda e cila shoqëron gjithnjë fëmijë drejt dhomës së lodrave për të harruar disa çaste takimin e fëmijëve me mjekët.

Një dhuratë për një fëmijë është gjithnjë një mesazh – që çdo fëmijë duhet të jetë pjesë e botës së tij të lodrave pavarësisht se ku ndodhet. Pikërisht këtë ka bërë edhe shoqata “Një botë për një zemër”, e cila në prag të ndërrimit të viteve ndryshoi pamjen e pavijonit si dhe mundësoi që përmes mbështetjes financiare të “Eagle Mobile” t’u shprëndante 40 fëmijëve të shtruar në Spitalin Pediatrik dhurata.. “Deshëm të përshtasim këtë ambient me botën e fëmijëve dhe t’u dhuronim atyre pak gëzim. Falenderojmë dy kompanitë, Eagle dhe AVANCE shpk që e bënë të mundur këtë eveniment, duke ndryshuar sadopak ditët e fëmijëve të shtruar në këtë pavijon”, shprehet Presidenti i Shoqatës “Një botë për një zemër” Agim Baçi në një prononcim për “Standard”. Por, ky ndryshim ambientesh mbetet vetëm njëra anë e shoqatës, për të cilën Baçi flet me shumë pasion. “Ardhja në ndihmë për fëmijët e lindur me probleme në zemër është edhe destinacioni ynë më i rëndësishëm”, tregon Baçi, i cili e ka ngritur shoqatën së bashku me disa kolegë gazetarë, për t’u ardhur në ndihmë, siç thotë ai, sa më shumë fëmijëve që vijnë në këtë jetë me probleme të lindura në zemër, ose siç thuhet në gjuhën e mjekëve “me vese kardiopatike”, të cilët në Shqipëri besohet se janë 250-300 raste çdo vit, e ku pjesa më e madhe e tyre ka nevojë për ndërhyrje emergjente.

Themelimi i shoqatës “ Një botë për një zemër”

Shoqata është themeluar pikërisht një vit më parë, më 19 janar 2010. Një muaj pas themelimit ata ishin partnerë në vendosjen e aparatit të telemjekësisë në Martenitetin “Koço Glozheni”, një aparat që u jep mundësinë mjekëve shqiptarë të konsultohen në kohë me mjekët e spitalit në Massa Carrara. “Aparati ishte pjesë e projektit të qendrës “Un cuore un mondo”, një shoqatë që është edhe partnerja kryesore e shoqatës sonë. Aktualisht, përmes telemjekësisë janë kontrolluar shumë fëmijë, një pjesë e të cilëve janë operuar më pas në Massa pa asnjë shpenzim nga familjet e tyre”, shprehet Baçi, duke treguar se shoqata ka si synim të mbledhë bashkarisht prindërit që kanë patur të njëjtin fat- që të kenë fëmijë që kanë lindur me vese kardiopatike. Historia e suksesshme me dy djemtë e tij, të cilët sot gëzojnë shëndet të plotë si pasojë e ndërhyrjes në kohë, e ka bërë Baçin “të sëmurë me optimizëm”, siç i pëlqen atij të thotë. “Në fillim u bashkuam disa miq, një pjesë gazetarë, por edhe prindër me histori të ngjashme me tonën. Aktualisht, shoqata është drejt ngritjes së një grupi vullnetarësh me qëllim ardhjen në ndihmë të atyre familjeve që fati u sjell të tilla raste”, thotë Baçi, duke shpjeguar se në qendër të shoqatës që drejton është sensibilizimi i prindërve dhe mjekëve neonatalë, që të jenë të kujdeshëm në kontrollin gjeneral të fëmijëve në momentin e lindjes, me qëllimin për të evidentuar sa më saktë shëndetin e fëmijës. “Duke bërë kontrollin në kohë, ne mundemi më pas të ndihmojmë fëmijët në rikuperimin e plotë shëndetësor, pasi shpejtësia është efikase”, thotë Baçi, duke shprehur optimizmin e tij për mjaft emra mjekësh shqiptarë, si Baboçin Kuneshkën apo të riun Veshti, me të cilët bashkëpunon për të koordinuar gjetjen e zgjidhjes për rastet që tashmë vetëm sa i shtohen për ndihmë.

Operacionet e fëmijëve, këtu apo në Itali?

Rastet më të vështira vitin e shkuar shoqata ka mundur t’i dërgojë në Massa Carrara. Ndërkohë që për rastet e lehta ka këmbëngulur t’ua besojnë mjekëve shqiptarë. “Synimi ynë është që të bëjmë të mundur pajisjen me aksesorët e nevojshëm të qëndrës së ndërhyrjeve në kardiologjinë pediatrike, me qëllim që shumica e operacioneve të përballohet në Tiranë, pasi kështu lehtësojmë shumë bashkëatdhetarë nga vuajtjet e ecejakeve, e pse jo, edhe nga shpenzimet që u duhen kur shkojnë në vende të tjera. Ndërkaq, kemi kërkuar nga partnerët tanë në Itali që të marrin përsipër përballimin e rasteve që në Tiranë shihen si të pamundura, pikërisht për shkak të mungesës së mjeteve”, shprehet Baçi, duke i bërë thirrje prindërve që të jenë të kujdeshëm në momentin e diagnostikimit të fëmijëve në momentin e lindjes. Ai thotë se do t’i drejtohet biznesit shqiptar, institucioneve dhe qytetarëve që të mbështesin modernizimin e mjeteve në QSUT, duke nisur nga blerja e një ekografie moderne që do të saktësonte diagnozat. Gjithashtu, ai thekson si shumë të rëndësishme ekzaminimin që në shtatëzani, përmes telemjekësisë, për të shmangur lindjen e fëmijëve me vese ta pakorrigjueshme. “Shoqata shumë shpjet do t’u drejtohet mejkëve në martenitete, neonatalëve dhe prindërve, për të forcuar gjithë zinxhirin e kontrolleve, që të bëjë të mundur ndërhyrjet në kohë, pasi tashmë është e mundur që problemet në zemër të jenë 100 për qind të durueshme nëse diagnostikohen në kohën e duhur”, shprehet Baçi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›