Jonida Maliqi: Si më mban bashkëshorti...

A gatuan fashionistja Jonida, a bën punë shtëpie apo del në mëngjes duke lënë pas gjithçka rrëmujë?! Të gjitha këto i zbuloni në intervistën e mëposhtme dhënë “Standard”
Për të gjithë personazhet publikë, është i natyrshëm kurioziteti për jetën e tyre pas kuintave, nëse janë përherë aq të kuruar sa shfaqen në publik, nëse dinë të gatuajnë, të pastrojnë, si duken pa make-up etj. Duke iu referuar personazhit të intervistës sonë, Jonida Maliqit, e cila së fundmi pati një eksperiencë si prezantuese në Festivalin e 49-të të Këngës në RTSH, dhe qw për hir të së vërtetës është një nga këngëtaret më “inn” me modën botërore, mësojmë se ajo kurrë nuk shkel jashtë shtëpisë, nëse nuk ka rregulluar më parë gjithçka në të, qw nga shtrati, pluhurat etj. Interesante dhe e çuditshme paksa, apo jo, sidomos nëse mbajmë si shembull VIP-at e huaj, të cilët edhe kur shkojnë në hotele me pesë yje, lënë pas një tsunami të vërtetë në dhomat e tyre. “Edhe ditën e shtunë, nuk dal nga shtëpia para orës 12:00, jam perfeksioniste, shtëpia ngjan gati-gati si farmaci”, shpjegon për gazetën Jonida, duke na shuar kështu kureshtjen për një pjesë të jetës së saj që nuk duket para kamerave. Por, kur vjen puna te gatimi (s’mendojmë se Jonida ha çdo vakt në shtëpi, pasi ia lejon vetes luksin e restoranteve!), këngëtarja na shpjegon se i shoqi i saj, Genti, është ekspert në këtë drejtim. “Kam tentuar të realizoj receta të ndryshme, por bashkëshorti im kur i futet gatimit, është profesionist i vërtetë, ndaj unë mbetem pas tij, pasi rivali është shumë i fortë. (Qesh)”. Zbuloni më tej të tjera detaje..., natyrisht edhe në lidhje me muzikën.
Jonida, Së pari, do të donim të dinim si ka nisur ky vit për ju?
Mendoj se ka nisur i mbarë. Ia kaluam shumë mirë për festa, nuk isha në Shqipëri, festova jashtë vendit, natyrisht që u relaksova pas gjithë aktivitetit të ngjeshur në prezantimin e Festivalit të Këngës në RTSH. Kisha me të vërtetë nevojë për pak ditë pushim, kështu që fillimi i mbarë gjysma e punës, apo jo? (Qesh)
Të ndalemi paksa te festivali, si ishte për ju kjo eksperiencë?
Ishte një eksperiencë e këndshme, nuk hezitova për ta pranuar që kur m’u ofrua. Në fund të fundit, unë jam profesioniste sa i takon rrugës që kam zgjedhur në jetë, nuk do lë muzikën se tentova me prezantimin, natyrisht. Mbetem e mendimit se ishte një eksperiencë e këndshme, por them se në të ardhmen do të hezitoja për ta bërë.
Përse kështu?
Sepse është e ndryshme marrëdhënia që krijoj unë përmes të kënduarit me publikun dhe është krejtësisht e ndryshme kjo marrëdhënie kur ti i përmbahesh një skenari të përcaktuar paraprakisht, si në rastin e prezantimit. Për më tepër, salla e Pallatit të Kongreseve nuk është krijuar për koncerte dhe mendoj se nuk të jep atë “feeling” që unë e gjej dhe e ndjej gjatë momenteve të performancës sime muzikore. Këtu qëndroja brenda kornizave, gjë që të privon disi, ndërsa me artin që bëj unë kam totalisht hapësira të lira për të dhënë maksimumin, pasi edhe gjendja emocionale që më përshkon gjatë këngës përcillet edhe te spektatori...
Megjithatë, ju patët edhe disa performanca në atë skenë, aty ishit vetvetja apo jo?
Patjetër që pata edhe pjesë të performancës sime, te ajo pjesë isha unë, isha vetvetja. (Qesh). Por, eksperienca e festivalit ia vlejti, pasi sikurse e dini, edhe në botë ka personazhe të ndryshëm, aktorë e këngëtarë, që prezantojnë evente të tilla. Aq më tepër, fakti që kishe në krah Josif Gjipalin, Mirela Laskën ishte një kënaqësi më vete, sikurse edhe bashkëpunimi me Bojken Lakon, Zefina Hasanin, Iva Tiçon etj. Ju nuk e dini, por pas kuintave ne kemi bërë “çmendurira” të vogla, kemi kënduar, kemi kërcyer, pra jemi kënaqur pafund.
A e shihni ju personalisht Festivalin e Këngës në RTSH si një trampolinë për në Eurosong?
Unë jam paksa skeptike, pasi duket sikur rëndësia e këtij festivali është fokusuar vetëm te pjesëmarrja në Eurovizion, po kështu edhe këngët realizohen ose ekzekutohen për këtë qëllim, kështu që unë nuk mendoj se kam kaq ambicie të prek skenën e Eurovizion. Sigurisht që kjo do t’i pëlqente çdo këngëtari, por kjo për mua nuk ka qenë asnjëherë pikësynim në vetvete. Në Shqipëri ndodh edhe diçka e shëmtuar, pasi këngëtarët marrin përsipër pasojat nëse nuk kualifikohen në vendin e duhur dhe publiku është ai që i mëshon këtij fakti, duke e konsideruar x këngëtar si të “paaftë”. Ndërkohë, dimë që një këngë ka shumë komponentë që e përbëjnë, siç është muzika, teksti, orkestrimi, performanca etj., për më tepër që edhe në Eurosong votohet në bazë të gjeo-politikës dhe sikurse e mbajmë mend të gjithë, mbi një dekadë më parë ishte Italia ajo që refuzoi të merrte më pjesë në këtë kompeticion, sepse nuk ishte dakord që publiku nuk vendoste fituesin.
Sicc e pamë, pati hatërmbetje edhe në edicionin e fundit të festivalit të Këngës në RTSH. Ju si i komentoni të tilla ngjarje?
Kjo pjesë për mua është e shëmtuar, pasi çdo artist ka për detyrë që vlerat e tij t’i tregojë në performancën që ka marrë përsipër të ekzekutojë. Për mua, një artist duhet të jetë i tillë mbi të gjitha në shpirt. Më ka ndodhur edhe mua, siç mund t’i ketë ndodhur çdo kolegu tjetër që të ketë mbetur i pakënaqur, por kurrsesi nuk kam guxuar ndonjëherë që t’i marr atributet atij që është fitues. Kjo gjë më duket totalisht absurde.
Të kalojmë paksa te jeta juaj akademike në Akademinë e Arteve, ku edhe jepni mësim në lëndën e Edukimit Muzikor për artistët e ardhshëm. Si po shkon deri tani mësimdhënia?
Është e këndshme, sivjet është viti i dytë që jap mësim dhe mund të them që me të vërtetë të kap psikologjinë e studentëve. Është eksperiencë e veçantë.
Po nga pjesa juaj më e dashur, muzika, a do të kemi së shpejti ndonjë të re?
Po punoj për një material muzikor, për një këngë të re, të cilës shumë shpejt do t’i realizoj videoklipin. Është një këngë shumë e dashur për mua, e ndjerë, që i përket rrymës pop-rock / pop- baladë.
A keni ndonjë bashkëpunim në plan, si ai me Big Bastën?
Ai me Big Bastën ishte shumë i këndshëm. Do të punoj sërish me të, ndoshta jo në duet, por kam dëgjuar disa materiale muzikore që ka realizuar ai dhe të shohim. Big Basta është një artist që punon shumë, që premton shumë, ka një disiplinë artistike që i mungon shumicës së artistëve, e bën me dashuri dhe pasion punën e tij dhe ky mendoj se është sekreti.
Prej gati dy vitesh, keni një biznes këpucësh në Tiranë, gjë që do t’i pëlqente thuajse çdo femre? Si ju lindi kjo ide?
Ende pa mbaruar studimet, i thoja Gentit, që atëherë ka qenë i fejuari im; që doja të mendoja diçka për të ardhmen, pasi nuk doja të ndjehesha pa një pikësynim kur të mbaroja shkollën. Shkoi pak gjatë kjo punë, pasi unë ende nuk e dija mirë se çfarë doja. Kisha një pikësynim tjetër në fakt, që shpresoj ta realizoj, gjithmonë në lidhje me biznesin, por që nuk ishte i mundshëm për standardet e Shqipërisë. Kështu që i thosha tim shoqi që “Tiranës i mungon një dyqan i mirë këpucësh”, pasi këtë gjë e kam ndier në supet e mia, kur më është dashur të jem super e kuruar për një event të caktuar. Fatmirësisht, tanimë që jemi në rrugën drejt Europës, në Tiranë ekzistojnë dyqane apo sallone të mirë, megjithatë një sallon këpucësh të këtij niveli unë nuk e kisha parë këtu, por vetëm jashtë vendit, ku isha e detyruar të blija aq shumë këpucë sa të më mjaftonin për gjithë sezonin, duke u ngarkuar shumë me çanta. Për më tepër që për mua këpuca është një detaj i rëndësishëm, pasi në shekullin XXI imazhi shet shumë, jo vetëm për mua si artiste, por për çdokënd, sidomos në impaktin e parë të takimit. Markat që janë këtu janë luks, por kur kujtoj këpucët e fillimit të viteve ’90 me gomë peshku, me këmbë të ftohta etj., joshem ndërsa shoh se tanimë bëhet art me këpucën, aq sa kjo punë më ka hyrë në gjak. Për shkak se kam ekskluzivitetin, unë bëj që një vit para porositë e koleksioneve të ardhshme, ndaj i shoh këpucët që në qelizë në fabrikat ku prodhohen dhe njëherazi informohem e para për tendencat e pritshme të modës. Kështu që im shoq besoi te dhuntitë e mia, pasi unë jam natyrë emotive dhe paksa e tërhequr, me shpirt artisti dhe nuk e dija sa do ia dilja me biznesin. Rezultoi i suksesshëm, më pëlqen dhe ndjehem shumë mirë kur vij këtu. Me këtë rast, edhe kur kam ndonjë event, di ku të vij.
Keni guxuar të krijoni stilin tuaj, pa këshillat e një eksperti. Si është e mundur?
E kam pasion, mbaj mend që kur kam qenë e vogël e deri në gjimnaz, librat kanë qenë të mbushur me fustane të vizatuar prej meje.
Si është Jonida në shtëpi, pasi ju shohim përherë kaq të kuruar dhe nuk mund të mos bëhemi kuriozë?
Kur nuk kam punëtoren e shtëpisë, nuk ndodh që unë të dal pa vënë çdo gjë në vijë në shtëpinë time. Edhe ditën e shtunë, nuk dal nga shtëpia para orës 12:00, jam perfeksioniste, shtëpia ngjan gati-gati si farmaci.
Me gatimin si i keni marrëdhëniet?
Me gatimin e kam keq marrëdhënien. Kam tentuar të realizoj receta të ndryshme, por bashkëshorti im kur i futet gatimit, është profesionist i vërtetë, ndaj unë mbetem pas tij, pasi rivali është shumë i fortë . (Qesh).
Kështu që përballë këtij rivali, keni hequr dorë fare, apo jo?
Nuk është se kam hequr dorë nga gatimi, ndoshta kur familja të shtohet në numër, me siguri do të guxoj më tepër...
Së fundmi, çfarë i uroni vetes për vitin 2011?
I uroj jo vetëm vetes, por edhe gjithë shqiptarëve, mbi të gjitha shëndet. Shëndeti mbizotëroftë në familjet tona!