E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/ Kërkimfalja e pasinqertë e Edi Ramës

06-05-2013 / Gazeta 55

A është e mundur që një shef opozite, njëkohësisht kryetar i partisë më të madhe në opozitës, PS, Edi Rama të ndryshojë radikalisht sa të kërkojë falje për gabimet e së shkuarës? 
Ose, sa i sinqertë është Edi Rama në kërkim-faljet e tij kur heq nga listat e deputetëve të sigurt të Partisë Socialiste personalitete që kanë kontribute dhe vlera të padiskutueshme, si për shembull të grevës së urisë, dhe jo vetëm në protesta apo demonstrata.
Në listat e sigurta të PS Edi Rama shpërbleu deputetët që u futën në grevë të urisë për alibinë  e Edi Ramës për “hapjen e kutive”, si fjala vjen deputetët Ligori, Hasa, Kadeli, Bello, Dogjani, etj, që sakrifikuan deri shëndetin. 
Nga kjo deklaratë shihet se Edi Rama nuk është i sinqertë.
“Kemi pasur padyshim edhe kundërshtitë, moskuptimet dhe keqkuptimet tona. Rivalitetet e brendshme, nganjëherë të kthyera në deformime të imazhit të kësaj familjeje të madhe politike…Sot është dita për t’ju thënë të gjithëve, nëse ka ndodhur, dhe me siguri ka ndodhur, që pa dashje të kem gabuar edhe unë, me këdo prej jush, në rrugën e vështirë e plot mundime që kemi përshkuar deri këtu, për t’ju thënë se ju kërkoj sinqerisht ndjesë”.
Kuptohet vetiu, se kërkim-falja e Edi Ramës në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS, “ndjesë nëse kam gabuar” është e pasinqertë pasi çdo lëvizje e tij politike ka qenë e llogaritur mirë me efekte dhe defekte, pra, ndjesa është padobishme. Përjashtimi i Kastriot Islamit nga PS-ja përpara dy vitesh nuk është sinjalizues i demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste.  
Nuk është e sinqertë as ndjesa e Edi Ramës për aventurat në të cilat i futi socialistët dhe deputetët në katër vite, ku me siguri aventura e 21 janarit të 2011 ishte me fatkeqja. 
Gjithashtu ndjesa e Edi Ramës vjen në limitet e kohës për të paraqitur listën shumë emërore të kandidatëve për deputetë të PS, ku “prurjet e reja” të tij kanë zëvendësuar kontributor të përditshëm të katër viteve të fundit. 
Kandidatë e sigurt të Edi Ramës në listat e PS, Peza, Kushi, Cara, Celibashi,etj janë të vetëdijshëm se do të jenë parlamentarë, ndërsa figura të dorës së parë të PS si Malaj, Braçe, Dade, Bello, etj janë nën ethe sepse nuk kanë asnjë informacion nëse do të përfshihen në lista.
Dy ditët e fundit kanë nisur të qarkullojnë informacione të lëshuara nga burime të PS, se njëri prej deputetëve më aktivë të opozitës, Erjon Braçe, nuk do të përfshihet në listën finale të opozitës. Të tilla (diz)informacione kanë nxitur një grup të rinjsh nga FRESSH, të cilët, dje, i kanë dërguar mediave e-maile, përmes të cilit kërkojnë përfshirjen e Elisa Spiropalit dhe Erjon Braçes në listat e deputetëve socialistë përndryshe do të sabotojnë fushatën elektorale duke mos marrë pjesë dhe votuar kundër. Kjo situatë paqartësie e krijuar prej Edi Ramës që pret koka deputetësh me kontribute në PS, dhe pasi i pret kërkon falje, është sindroma e Ponc Pilatit. 
Në vend të një kërkim-faljeje si fjalë goje, Edi Rama duhet të tregonin me vepra se respekton vlerat dhe kontributet politike dhe jo t’u thotë një fjalë të mirë sepse do të kujtohet për ta pas katër vitesh, ashtu siç u kujtuar për Mimoza Hafizin dhe Musa Ulqinin. Përderisa Edi Rama nuk shpërblen vlerat pozitive dhe njerëzit që japin kontribute intelektuale, PS-ja do të jetë për herë e më shumë strehë e jeniçerëve të kryetarit të pagabueshëm në stilin diktatorial.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›