“S’më largoi politika, por kapriçioja e një tekanjozi, i cili po fut nga oxhaku ata që populli i përzuri nga dera”
Marko Bello reagon për moskandidimin në listat e PS
Deputeti socialist në Qarkun e Beratit, Marko Bello nuk do të jetë në listat e Partisë Socialiste, për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Lajmin e jep vetë Bello, përmes një deklarate për mediat, duke pranuar moskandidimin nga PS, por gjithashtu shton se, atë nuk e largoi vota e qytetarëve, por kapriçioja e një tekanjozi (Edi Rama) i cili po fut nga oxhaku ata të cilët populli i përzuri nga dera.
Këtu Bello aludon për qëndrime antikonseguente të Edi Ramës, duke përforcuar kështu atë që qarkullon në korridoret e PS se, gjithçka që luhet sot në ngrehinën socialiste, është pazar. Thjesht Pazar. “Jam krenar se nga politika aktive nuk po me largon vota e qytetarëve, por kapriçioja e një tekanjozi, i cili, ata që populli i përzuri nga dera, po i fut nga oxhaku...”, deklaron në reagimin e tij deputeti i Qarkut të Beratit. Pak orë përpara dorëzimit të listës së kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, klima politike në Partinë Socialiste duket e tensionuar dhe gati në shpërthim nervash.
Të pakënaqurit po shtohen ditë pas dite, ndërsa sot ata do të jenë edhe më të shumtë. Pas Gjovalin Kadelit dhe Asllan Dogjanit, të cilët kanë shpallur zyrtarisht largimin nga PS, por jo nga politika, e njëjta gjë ndodhi edhe me ish ministrin socialist, Agron Duka i cili edhe pse kishte marrë premtimin e Ramës për të kandiduar në listën fituese në Berat ose Durrës, mësoi se gjithçka ishte një premtim i rremë - duke e detyruar atë të pranojë ofertën e Partisë Republikane për të kandiduar nën logon e saj.
Në harkun kohor të pak ditëve që nga zyrtarizimi i “koalicionit të 1 Prillit”, PS ka humbur 3 kandidatë potencialë, pa llogaritur këtu ish themeluesin e PS dhe kryetarin e Kuvendit të parë pluralist shqiptar, Kastriot Islami.
Por, hemorragjia në PS s’ndalet me kaq. Në pritën e çetnikëve të Ramës ndodhet dhe Erjon Braçe me kryetaren e FRESSH, Elisa Spiropali. Kjo e fundit ka paralajmëruar për bojkotimin e zgjedhjeve nga çdo i ri socialist dhe nisjen e protestave kundër lidershipit të PS. Ndërsa Braçe dhe Bello, dy deputetët e Qarkut të Beratit, bëhen kurban për hir të pazareve politike të Edi Ramës, për të rikthyer në rrangallën socialiste kusarët dhe mamuthët e korrupsionit. Hemorragjia s’do ndalet sepse jo të gjithë pranojnë të identifikohen si ofiqarë të pazareve, por risku i tyre është se do të mbeten jashtë listave të deputetëve.
Gjithsesi, zëri i tyre është sot më i fortë se kurrë.
Vëmendja e socialistëve të thjeshtë, është sot e fokusuar tek ata, më shumë se kurrë – dhe protesta e tyre do jetë më e fortë se asnjëherë tjetër. Dhe të mendosh që është vetëm fillimi i fushatës zgjedhore... Edhe sa rrjedhje të tjera do të ketë gjatë rrugës..., mbetet për tu parë! Kjo është dhe antireklama më e mirë që Edi Rama dhe PS i bëjnë elektoratit socialist 6 javë përpara zgjedhjeve parlamentare...