Fokus/ Klishetë e Edvinit për të frikësuar qytetarët janë ditëshkurtra
Partia Socialiste si më e madhja e opozitës komunikon çdo ditë me publikun. Duket sikur opozita politike nuk bëjnë pushime, në fakt është e kundërta. Deputetë e opozitës e kanë marrë lejen e zakonshme por jo të gjithë përnjëherë.
Kreu i partisë Socialiste, Edi Rama e ka organizuar punën e me turne duke plotësuar grafikë të daljes në konferenca për shtyp. Nëse ditët e mëparshme kanë qenë Taulant Balla, Blendi Klosi, Vasilika Hysi, Besnik Baraj, të cilët janë ushtruar në leximin e përditshëm hartimin kundër kryeministrit Berisha.
Dje radha i takoi deputeteve Klodiana Spahiu dhe ish-prokurores Ermonela Felaj të lexonin akt-padinë e Ramës për shefin e qeverisë. Akt-akuza e ish-prokurores Felaj kishte elementë të aktualitetit publik, pra, lidhet me lajmin e ndërrimit të kreut të Shërbimit Informativ dhe çështja e referendumit popullor për heqjen e imunitetit.
Synimi retorik i deputetes Felaj për llogari të agjendës së opozitës është të krijojë diversion në publik me teza të konsumuara që qarkullojnë prej vitesh në basifonde.
Sidozot për çështjen e shefit të SHISH, PS-ja e sulmon në formë të çuditshme kryeministrin Berisha teksa pyet pse nuk është këshilluar për këtë punë me SHBA-të. Them e sulmon në mënyrë të çuditshme sepse është partia Socialiste e cila prej kohësh nuk po dëgjon zërin e ndërkombëtarëve. Ajo nuk e dëgjoi SHBA-në dhe BE-në me paralajmërime para dhe pas 21 janarit 2011 për të mos organizuar demonstrata me funerale; PS-ja nuk e dëgjoi për një kohë të gjatë për miratimin e Gjykatës Administrative as për çështjen e fundit për heqjen ose kufizimin e Imunitetit ku zëri i Amerikës si këtu apo përtej atlantikut ka qenë e qartë: t’u hiqet mburoja parlamentarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë.
Ambasadori Arvizu është deklaruar “pro” heqjes së Imunitetit, madje shpresonte të votohej më 6 gusht. Kongresmeni amerikan mik i shqiptarëve Eliot Engel u shpreh se kongresmenët nuk kanë imunitet, ndaj ishte absurde të mos votohej ajo.
Megjithatë ajo që bie në sy është hipokrizia e Ramës kundrejt ndërkombëtarëve. Kur i intereson i përdor të gjitha skenarët për të dalë kampion i qytetërimit, por nuk i intereson të jetë qytetar ai kthehet në një radikal të pashembullt me bojkot, protesta, bllokime rrugës, djegie gomash, greva urie dhe demonstrata të dhunshme ndaj institucioneve. Retorika e frikësimit të qytetarëve nëpërmjet baterive mediatike sikur të ndodhë bëhet nami është e papranueshme.
Opozita ka nevojë për një rifreskim të menjëhershëm për të dalë nga klishetë e politizimit të institucioneve Kushtetuese.
Leximi i Kushtetutës do të ndihmonte partisë Socialiste dhe juristët e saj të gabonin më pak në shtimin e “kushteve” për të bllokuar integrimin Europian.