TAP, projekt dominues me financimet e BP-së dhe Total
Shtohen financuesit për ndërtimin e “TAP” me gjigandët britanikë e francezë të nxjerrjes dhe tregtimit të hidrokarbureve. Marrëveshjet ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë e bëjnë projektin TAP të jetë më konkurrues, përballë rivalit Nabucco
Dy kompanitë më të mëdha botërore të hidrokarbureve, BP dhe Total kanë firmosur një marrëveshje me kompaninë e Azerbajxhanit Socar për të financuar realizimin e gazsjellësit të TAP.
Sipas njoftimit më të fundit të konsorciumit kjo marrëveshje parashikon se të tre kompanitë mund të blejnë deri në 50 për qind të kapitalit të projektit, që aktualisht ka si aksionere të tjera zviceranen Egl, kompaninë norvegjeze Statoil dhe gjermanen E.ON Ruhrgas.
Investimi i BP, Total e Socar do të kontribuojë në drejtimin e punës së vazhdueshme në disa fusha të rëndësishme gjatë gjithë periudhës që do të vijojë nga vendimi final e deri në përfundim të projektit që pritet në vitin 2013.
Sipas drejtorit menaxhues të TAP, Kjetil Tungland, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të rëndësishme është një votë më shumë për besimin në cilësinë e zgjedhjeve teknike e tregtare që TAP ka zgjedhur me aktorët e industrisë kryesore, gjithashtu forcon edhe njëherë mbështetjen e bashkëpunimit që u nënshkrua mes TAP dhe Shah Deniz në muajin qershor.
“Bashkëpunimi ynë me Shah Deniz, thotë drejtori i TAP, tashmë është edhe më afër dhe ka një ndikim edhe më të gjerë”.
Marrëveshja jep një siguri më shumë për rezultate pozitive në përfundimin e kësaj vepre të madhe të korridorit të Jugut.
Ecuria e deri tanishme e projektit duke parë edhe marrëveshjet e tjera ndërqeveritare të suksesshme mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë e bën projektin TAP të jetë më konkurrues dhe ndoshta fitues të garës ndaj konkurentes tjetër Nabuço për transportimin e gazit nga Deti Kaspik drejt Europës.
Interes të madh për projektin dhe kosto të ulëta
Depozitat në Shqipëri do të magazinojnë rreth 3 miliardë m3 gaz
Gazsjellësi TAP, që do të kalojë përmes Shqipërisë, po shqyrton mundësinë e ndërtimit të depozitave nëntokësore të gazit në vendin tonë. Kjo do të rrisë në mënyrë efektive besueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit me gaz në rajon, në rast se do të ketë ndonjë ndërprerje të furnizimit.
Sipas inxhinierëve të TAP-it, këto depozita do të vendosen në Dumre dhe Divjakë të Lushnjës dhe parashikohet të rezervojnë 3 miliardë metër kub gaz. Depozitimi do të shërbejë për furnizimin me gaz në rast të mungesës nga Kaspiku.
Mësohet se këto dy depozita kanë një interes të madh për projektin, pasi do të ulin koston për ndërtimin e depozitave të reja, ndërkohë që do të sjellin për shtetin përfitime të tjera ekonomike.