Fokus/ Nami i keq i PS i ka rrënjët tek Edi Rama
Partia Socialiste iu shtua nami i zi. Është e qartë që partia më e madhe opozitare ka marrë gjatë viteve të fundit shumë goditje të imazhit të saj publik. Perceptimi për PS-në si një parti të lodhur që është mbushur me plot njerëz të papërshtatshëm për të qeverisur është sendërtuar nëpërmjet akteve të veprimtarëve të saj që kanë lënë gjurmë negative në diskursin publik. Janë disa akte publike të përfaqësuesve të opozitës që kanë ulur ndjeshëm besueshmërinë e profilit të saj politik e intelektual. Nuk është vetëm politika radikale e kryetarit të PS, Edi Rama, që karakterizon deri në palcë profilin konfliktual të opozitës. Por janë dhe disa ngjarje publike, në dukje të vogla, por që kanë dëmtuar rëndë imazhin publik e mediatik të partisë më të madhe opozitare. Nëse do të listonin disa prej incidenteve gjatë rrugës së tyre të pandalshme drejt humnerës padyshim do të rendisnim “faullin” kushtetues të Ilir Bejqas, të cilit iu hoq mandati i deputetit sepse kishte përfituar tendera publikë në Bashkinë socialiste të Durrësit kur ligjit Themeltar i Shtetit, Kushtetuta, nuk e lejonte këtë gjë. Padyshim në listë është çështja e rremë “Griselda”, ku sekretari i PS, Erjon Veliaj akuzoi qeverinë për grabitje të foshnjës në bark të ish-dashnores të kryebashkikut të Kavajës, duke dërguar qindra e-maile të gabuara në kancelaritë e Europës. Dezinformimi i anëtarëve të Parlamentit Europian, ku Eurodeputetja Tanja Fajon kërkoi sqarime për Griseldën delegacionit shqiptar të komisionit të Jashtëm ishte akti më kuptimplotë e një intrige të sajuar për qëllime politike. Njëkohësisht dëfteu papërgjegjshmërinë e një njeriut më të afër të kryetarit të PS. Më pas një vend të veçantë zë braktisja e radhëve të deputetëve Rudina Seseri dhe Andis Harasani, që u larguan nga PS-ja pa asnjë arsye të besueshme, përpos interesave të tyre personalë. Ndërsa përjashtimi i Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i opozitës dhe heqja e anëtarësisë nga PS-ja për motive të dobëta të Edi Ramës sinjalizoi bunkerizimin dhe zhdukjen e demokracisë së brendshme. Sigurisht konflikti sektar i Elisa Spiropalit dhe Erjon Veliajt për kompetencat në FRESH dhe shkarkimet e kryetarëve të degëve brenda dhe jashtë vendit zhvlerësoi jo pak formulën e kooptimit të ish-anëtarët e organizatës “Mjaft” në strukturat drejtuese të PS. Kulmi i prishjes së imazhit të opozitës u arrit me pengimin me çdo kusht të marrjes së Statusit të vendit Kandidat, kryesisht me mosmiratimin e tre ligjeve në kuvend, por në planin mediatik ishte dizastër tërheqja e padisë nga Vangjel Ndreko në Gjykatën e Lartë për çështjen e qarkut të Fierit, një ditë pas djegies së afatit të vendosur nga BE-ja për plotësimin e tre kushteve. Në gjykatë kanë përfunduar një sërë deputetësh socialistë që janë listuar e gjobitur si “shpifës”. Certifikatë për shpifje të lëshuar nga Gjykata e Tiranës kanë marrë deputetët Artan Gaçi, Ermonela Felaj, Eduard Shalësi, Sajmir Tahiri dhe sot Taulant Balla dhe në pritje për certifikatë janë dhe Erjon Braçe, Eltar Deda dhe Vasilika Hysi. Sidoqoftë dy ngjarjet e fundit ku janë përfshirë deputeti Eduart Shalsi dhe Kosta Bajraba kanë shkaktuar një çarje të thellë, të pariparueshme në imazhin publik të Partisë Socialiste. Deputeti Shalsi në një emision televiziv deklaroi faqe botës se, “mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani, nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante”. Mirëpo ky premtim i sinqertë i deputetit të PS Eduart Shalsi për të mos vjedhur më mënyrë kaq flagrante, si duket, nuk vlente për socialistët jashtë vendit. Kreu i grupit pranë PS-së për Çështjet Sociale Kosta Barjaba ka “shkelur betimin”, duke u arrestuar në flagrancë familjarisht në një qendër tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me akuzën e vjedhjes.
...