Fokus/ Një exit-strategy për manjatin e mediave Murdok
Tingëllon si një histori nga kohë të tjera dhe megjithatë vetëm 5 javë më parë Murdok organizoi një mbrëmje në Kensington Gardens në Londër, në një godinë historike me tulla të kuqe, me dritare të mëdha me bojë të bardhë që zakonisht porositet për organizimin e dasmave luksoze. Plaku i mediave po organizonte një mbrëmje për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe aty ndodheshin të gjithë të afërmit dhe njerëzit e rëndësishëm që e kanë rrethuar gjithmonë Murdok. Ndër të ftuarit bënte pjesë edhe vetë Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, dhe gruaja e tij, Samantha, lideri i opozitës, Ed Miliband, dhe shumë figura të tjera të shquara të politikës së vendit, si dhe ata që duan në një të ardhme të afërt të lançohen në politikë e sigurisht kjo përmes medias së gjithëpushtetshme të Murdok. Miqtë u servirën me ushqime të rralla deti, me shampanjë dhe mes tyre bënë biseda sekrete.
Sot, pesë javë më vonë, po ata politikanë që ndodheshin në këtë darkë i kanë bërë një ftesë detyruese mikut të tyre 80-vjeçar nga Australia. Kështu dje Murdok dhe djali i tij 38-vjeçar James, që është shefi i seksionit të operacioneve të “News of the World”, kanë dalë para Komisionit të Mediave të Dhomës së Komunave, së bashku me Rebeka Bruks, ish-shefja ekzekutive e kompanisë dhe një nga të akuzuarat drejtpërsëdrejti për skandalin e përgjimeve telefonike. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë darkë miqësore ku pihet shampanjë dhe flitet për çështje me rëndësi dhe sekrete. Këtë herë anëtarët e Parlamentit kanë vendosur që t’i bëjnë Murdokut dhe të birit disa pyetje shumë interesante. Njëra prej të cilave është se në ç’mënyrë i justifikon ai akuzat për përgjime të ndyra telefonike që nëpunësit e tij u kanë bërë dhjetëra personave, përfshi edhe përgjimin e telefonit të vajzës së grabitur, më pas të vrarë dhe vejushës së ushtarit të vrarë në Irak e shumë raste të tjera. Ai është pyetur edhe në lidhje me akuzat se punonjësit e tij kanë joshur dhe kanë korruptuar me para policinë për të marrë informacione dhe mbi të gjitha ata duhet t’i përgjigjen pyetjes se përse e lanë për një kohë të gjatë të ndodhte një gjë e tillë.
Për Murdok gjëja më e rëndësishme nuk është çështja e shitjes së gazetave që ka në pronësinë e tij në Britaninë e Madhe, duke filluar nga tabloidi “The Sun” apo gazetat e tjera “The Times” apo “Sunday Times”. Kjo, sepse këto gazeta përbëjnë vetëm 5% të të ardhurave të kompanisë. Ajo për të cilën është i shqetësuar Murdok është parandalimi i përhapjes së “zjarrit” që ka rënë në Londër dhe në anë të tjera të perandorisë së tij në botë dhe mbi të gjitha te zyrat e tij qendrore në Nju Jork.
Ajo çka me të vërtetë kërcënohet është vetë kompania që ka ndërtuar Murdok, e cila ka nisur me dy gazeta lokale australiane që ai i trashëgon nga i ati thuajse 60 vjet më parë. Perandoria në fjalë quhet “News Corporation”. Dhe është Murdok ai që e quan biznesin e tij me mburrje një perandori, e cila ka një vlerë prej 32 miliardë dollarësh nga shitjet e përvitshme të produkteve të saj mediatike. “News Corporation” është madje më e madhe se tre konglomeratet gjermane të mediave, Bertelsman, Axel Springer dhe ProSiebenSat.1 të marra së bashku.
Në të shkuarën, pra vetëm 5 javë më parë, vajtja e Murdok para një komisioni parlamentar do të ishte diçka e padëgjuar dhe e pamundur. Murdok, kukulla dinake e politikanëve britanikë dhe kreu i organizatës së tretë më të madhe në planet, që thirrej me përkëdheli nga miqtë “Rupi”, thotë se në fakt nuk ka asnjë mik. Në fakt ai ka armiq, të cilët e përshkruajnë manjatin e mediave si “peshkaqen” apo më keq akoma, edhe pse kanë deklaruar para tij se e kanë fort për zemër. Por tani në korrik të vitit 2011 çdo gjë duket krejt ndryshe dhe krejt befas brenda një harku kohor prej pak javësh. Me reputacionin e çuar në fund dhe me perandorinë e jetës së tij në rrezik të madh, shfaqja e Murdokut para komisionit në Dhomën e Komunave është njëherazi një mundësi dhe akt pendese. Këtë herë Murdok nuk është më një kukull, por një personazh real, madje një personazh kryesor. Ai ka potencialin që të shkëlqejë në rolin e një plaku të sinqertë dhe të përulur. Në fakt, ofensivën e faljeve dhe të përulësisë 80-vjeçari e nisi që disa ditë më parë, kur i kërkoi familje të afërmve të disa viktimave të skandalit të përgjimeve të kompanisë së tij. Murdok nuk e ka problem që të hidhet degë më degë për të arritur objektivat e tij. Në vitin 1985 ai madje u bë qytetar britanik, në mënyrë që të mund të hynte në tregun amerikan pa problem. Si një gjeneral ai arriti që të pushtonte kompani mediatike në të gjitha kontinentet për dhjetëvjeçarë me radhë. Mbretëria e tij përfshinte dhe “20-th Century Fox”, studion kinematografike që ka krijuar gjigantë kinematografikë si “Titaniku” apo “Lufta e yjeve” dhe ka rreth 200 gazeta në të gjithë botën përfshi edhe gazetën e pasuksesshme të internetit “The Daily” dhe shumë të respektueshmen “Wall Street Journal”.
Por askund tjetër më shumë se në Shtetet e Bashkuara Murdok nuk ndihet më fuqiplotë dhe më zot shtëpie. Por Amerika gjithashtu po nis që t’i krijojë probleme Murdokut në lidhje me veprimtari të paligjshme të mundshme të mediave të tij të kryera prej vitesh. Madje në këtë rast është përfshirë edhe FBI-ja në lidhje me akuza të mundshme për përgjime të familjarëve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Në rrezik në këtë rast ndodhen mediat e fuqishme të Murdokut në Shtetet e Bashkuara, si “Fox News”, një nga ekranet më të ashpra ndaj Obamës dhe një nga pjesët e medias së Murdokut që nxjerr më shumë fitime. Por nëse s’do të shembet “Fox News” do të shembet pas saj e gjithë perandoria.
Ndërkohë britanikët janë duke u treguar amerikanëve se sa shpejt mund të bëhen disa ndryshime. Sipas një profesori universiteti, ajo që po ndodh ka shanse që të formatojë marrëdhënien e deritanishme mes politikës dhe medias. Sipas tij, miti i Murdokut ka vdekur.
Ndërsa skandali që po përhapet me shpejtësi po përfshin shumë persona dhe mbi të gjitha po rëndon mbi vetë Murdokun, ky i fundit është duke u konsideruar nga ish-miqtë edhe mbështetësit e tij të dikurshëm si një njeri me lebër. Vetë Kryeministri britanik, Cameron, është duke i dhënë personalisht këshillë Murdokut se si ta drejtojë biznesin e tij. E si për ironi, ish-drejtori i komunikimeve të Kryeministrit është një nga njerëzit më të akuzuar dhe më të përfshirë në skandalin e Murdokut, duke qenë një nga figurat më të rëndësishme të “News Corporation”. Për disa politikanë ngjarjet e fundit janë si një zile që i ka çuar nga një gjumë apo ankth i gjatë në të cilin ishin zhytur dhe përfshirë, duke menduar gjithmonë se ishin në kthetrat e Murdokut. Ka edhe nga ata politikanë të paskrupullt si ish-kryeministri britanik Bler, një nga më të afërtit me Murdok dhe Bruk që në një intervistë të fundit për BBC u ankua se ishte ndier gjithmonë “në siklet” në lidhje me marrëdhëniet e ngushta mes politikanëve dhe medias. Si për ironi Bleri në vitin 1995 kur ishte lider i opozitës bëri një udhëtim në Australi pikërisht për të takuar Murdokun. Si Kryeministër ai ka folur shpesh në telefon me Murdokun para pushtimit të Irakut për t’u siguruar që plaku i mediave do t’i jepte mbështetjen e tij përmes mediave. Nëse Bler na qenka ndier me të vërtetë “në siklet” për marrëdhënien e tij me Murdok, atëherë e paska fshehur shumë mirë këtë ndjenjë. Ndërkohë Summer Redstone, themeluesi i “Viacom”, shkruan: Murdok kërkon që të qeverisë botën dhe i duket se është duke e bërë një gjë të tillë”. Por të paktën për momentin ai nuk është duke sunduar më. Në vend të kësaj ai është duke reaguar dhe duke e bërë këtë shumë shpejt. Ai mbylli fillimisht “News of the World”. Tërhoqi edhe kërkesën e tij për të blerë BSkyB britanik. Nga përtej Atlantikut “New York Times” është duke i dhënë zë fenomenit që e quan “pranvera britanike” dhe në një artikull të saj shkruhet: “Demokracia e ndihmuar nga drita e diellit ka shpërthyer në Britaninë e Madhe. Po a do ta ndjekë këtë shembull Amerika”? Në një koment të tij në “Newsweek”, gazetari Carl Bernstein ose njeriu i “Watergate”, shkruan: “Ky është ‘Watergate’ i Murdok”.
Për sa u përket disave, ata thonë që ndoshta ka ardhur koha që Murdok plaku t’ia lërë vendin pasardhësit të tij. Por princi i kurorës James, djali i tij, nuk duket aspak i prerë për pasardhës. Edhe ai është shumë i përfshirë nga skandali britanik. Ai ka pranuar ndërkohë tashmë se pagesat ishin autorizuar prej tij dhe madje rrezikohet shumë. Në rininë e tij, James ka qenë një lloj rebeli. Braktisi Harvardin dhe u shndërrua për disa vite në hipi. Më pas kur u bë shef për Europën ai nuk ngjante fare si një shef. Megjithatë për momentin ai është pasardhësi i mundshëm. Por a do të jetë i një perandorie të fuqishme, apo i një gërmadhe? Kjo vlen për t’u parë.