Fokus/ Shqipëria, një vend që prodhon lajme të çuditshme
Nganjëherë realiteti faktik në vend e tejkalon imagjinatën më të ndezur dhe i jep kronikës ngjarje të pazakonta, paradoksale, të jashtëzakonshme dhe të habitshme që të lënë pa frymë. Lajmet e çuditshme të krijojnë një gjendje të pafajshme humori. Çdo mëngjes “lutja laike” siç e quan filozofi gjerman Kant leximin e gazetave, është një ritual i punëtorit të shtypit për të parë jo vetëm sesi ka punuar “konkurrenca”, por dhe konstatimin se si sektori i kronikës së zezë është më afër humorit të zi anglez. Sigurisht raportimi i djeshëm se u kap grabitësi i pistoletës së truprojës së kryeprokurores Ina Rama është njëri prej tyre. Hajduti pasi ka marrë armën e ka shitur për 30 mijë lekë dhe lekët i ka harxhuar në bixhoz. Policia e Tiranës ka ndaluar ditën e djeshme 12 vjeçarin me inicialet G.P., i cili është i dyshuar për së paku 5 vjedhje banesash në kryeqytet, mes tyre dhe banesën e Marie Ramajt, truproja e Prokurores së Përgjithshme. Pasi zgurdullon sytë i thua vetes hajduti është 12 vjeçar, brenda pak ditësh ka bërë 5 vjedhje dhe paratë i ka harxhuar në bixhoz.
Një lajm i pazakontë është ndalimi në kufirin me Greqisë dhe Maqedonisë i një shqiptari që tentoi të kalonte gruan e fshehur në bagazhin e makinës. Policia e Maqedonisë ka njoftuar se para dy ditëve ka ndaluar makinën e tipit “Hyundai” në vendkalimin Bogorodicë dhe gjatë kontrollit policia ka pyetur shqiptarin, i cili ishte edhe pronar i automjetit, nëse kishte gjë në makinë, ai ka deklaruar se nuk po transportonte asgjë. Ndaj 35-vjeçarit, A.M., nga Shqipëria është shqiptuar masa e paraburgimit prej 20 ditëve, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij pritet të ndërmerren masa tjera, për shkak se ajo nuk posedonte dokumente personale.
Një lajm tjetër i çuditshëm i djeshëm ishte se një bankë private, e cila kishte njoftuar pronarin për sekuestrimit dhe ka kontaktuar me një kompanie Përmbarimi për marrjen e makinës së blerë me këste e kanë gjetur të aksidentuar dhe pa targa. Nuk dihet sesi do t’i vejë halli shlyerjes së kësteve me këtë fakt të parashikuar. Duke shfletuar gazetat gjen lajmin se një e moshuar 79 vjeçare me banim në fshatin vajzë të Vlorës është proceduar penalisht për mbledhje e 73 rrënjëve kanabis sativa. Kultivuesja 79 vjeçare quhet Miserdhe C. Ndërsa lajmi radhës ka të bëjë me arrestimin e dy biznesmenëve nga Fieri, që shisnin të njëjtat shtëpi disa herë. Dhjetëra qytetarë të Fierit dhe zonave përreth kanë rënë pre e mashtrimit të dy biznesmenëve që e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në fushën e ndërtimit. Mashtrimi i dyshuar se u është bërë këtyre qytetarëve u ka kushtuar jo pak, por gjithë kursimet e jetës.
Kurse në qytetit e Beratit vjedhja e kabllove është kthyer në një fenomen shqetësues për banorët. Vetëm në ditët e fundit janë denoncuar me dhjetëra raste të grabitjeve të kabllove në shtylla dhe kabina nga ana e qytetarëve, por edhe nga biznese të ndryshme, me qëllim tregtimin e tyre më pas për skrap. Po ashtu, vjedhjet për skrap kanë prekur edhe kapakët e pusetave, apo materiale të hekurta të banesave të vjetra, duke krijuar një rrezik edhe për jetën e tyre. Shumë persona, kryesisht fëmijë dhe adoleshentë kanë mbetur të plagosur, por edhe kanë ndërruar jetë nga shembja e ndërtesave te vjetra, si pasojë e zhveshjes së tyre nga materialet e hekurta për skrap.
Sidoqoftë sollën këto pak raste të çuditshme për të vërtetuar se nga njëherë realiteti ia “fut” fantazisë. Ngjarjet e mësipërme dëftejnë për një konkurrencë të ndodhive alla “Balzak”, me protagonistë një hajdut 12 vjeçar që harxhon lekët në bixhoz, një plakë 79 vjeçare kultivuese droge, një trafikant familjar dhe mashtrues të rëndomtë.
Përgatiti: L. Lita